UBT

Specialja “përurohet” në mars, të arrestuarit e parë do të jenë profil i ulët

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Analistët politikë besojnë se me kalimin e Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës dhe marrjen e sinjalit të qartë nga BE-ja për liberalizim të vizave është shumë e pritshme që të aktivizohet me arrestimet e para edhe Gjykata Speciale.

Sipas analistëve fillimisht të arrestuarit e parë do të jenë profili i ulët dhe fillimisht nuk do të preken emrat e mëdhenj që përmenden në raportin e Dik Martit. Ajo që mbetet akoma zbrazëti në këtë proces të pritshëm të funksionimit të ligjit është se Gjykata Speciale nuk do të mund të sjellë drejtësinë e pritur në Kosovë, pasi që do të merret vetëm me disa vite të caktuara dhe dosjen e Dik Martit, ndërkaq krimet që në Kosovë do mbesin të pandjekura, e ku janë pikërisht krimet më të mëdha në Evropë, e që po bëhen nga parapolitika, pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale kosovare, të cilët qindra milionat e vjedhur nga ky popull i kanë strehuar kryesisht në “parajsa fiskale” jashtë vendit! Sidoqoftë ka edhe disa optimistë që theksojnë se në proces e sipër ka shanse që të nxirren para gjyqit edhe nga Gjykata Speciale ‘peshqit e mëdhenj’ të pushtetit, të parapolitikës dhe nëntokës kriminale, e me të cilët Prokurorisë dhe Policisë vendore as që po iu shkon mendja të merren e as t’i trajtojnë fare.

Mafiozët në liri

“Kjo shoqëri nuk ka zhvillim dhe nuk hapen vendet e punës pa e luftuar krimin ekonomik të lidhur me politikën”, tha Muhamet Kelmendi për ‘Kosova Sot’

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se zvarritja eventuale e mëtutjeshme e fillimit të punës së kësaj gjykate- Tribunalit, është njëkohësisht edhe shkelje ligji, prandaj zvarritja duhet të marrë fund dhe duhet të fillojnë pa vonesë arrestimet e para që në muajin mars.”Gjykata Speciale do të fillojë me punë. Është joligjore dhe humbje e madhe nëse nuk fillon puna, por në këtë kuadër janë dy momente shumë të rëndësishme, që ndikojnë në këtë gjykatë. Së pari, është çështja brendapërbrenda Gjykatës Speciale dhe të mekanizmave të saj dhe së dyti është gjendja politike, ajo e sigurisë në Kosovë. Këto dy çështje ndikojnë drejtpërdrejt në punën e gjykatës. Së këndejmi, kjo gjykatë në këtë pjesë të vitit do të fillojë nga puna”, u shpreh Kelmendi për “Kosova Sot”. Ai thotë se një mision tjetër me rëndësi, që nuk do të realizohet fare nga Tribunali i Speciales, ka të bëjë me krimin e korrupsionin.”Me të drejtë është mendimi i shprehur lidhur me kufizimin në kohë të punës së gjykatës. Me këtë gjendja në fushën e luftimit të krimit dhe të mafisë ekonomike e politike nuk arrihet fare. Kriminelët mbesin në liri, ndërsa mafiozët ekonomiko-financiarë me këtë gjykatë nuk kapen fare. Askush nuk e prek Devollin, ETC-në, HIB-in, ‘Lesna’-n, ‘Albi Mall’-in etj. Këto do të vazhdojnë aktivitetin e njëjtë në vend”, potencoi Kelmendi.

“Po qe se gjykata vërtet është një gjykatë e painstaluar politikisht, do t’i qesë para bankës së të akuzuarve edhe oligarkët dhe grupet, të cilat e tjetërsuan pasurinë e shtetit, duke u shndërruar në multimilionerë të pakontrolluar nga askush prej prokurorive dhe nga gjykatat vendore, sepse edhe ata gjykatës, pra vendorët, janë pjesë e këtij kori të oligarkëve dhe grupeve që shkelin ligjin”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”

Ndërsa analisti politik Ali Hertica beson që janë plotësuar të gjitha kushtet që fillimi operativ i Gjykatës Speciale të mos zvarritet dhe të mos e kalojë kohën e pritjes përtej muajit mars.”Tani është shumë e pritshme që marsi do të jetë një muaj me furtunë ndaj të gjithë atyre që janë të dyshuar për krime, po qe se për ta ka dëshmi nga Gjykata Speciale. Tani, edhe pas dhënies së votimit të demarkacionit dhe marrjes së sinjalit më të qartë për liberalizimin e vizave, do të jetë edhe më lehtë për vetë gjykatën, sepse aty shihen qëndrimi dhe politika, që lidershpi kosovar derisa e zvarriti për çështjet kur ishin në pyetje vetëm interesat personale”, u shpreh ai. “Është e pritshme që të gjitha arrestimet do të fillojnë gradualisht, fillimisht nga niveli më i ulët, duke shkuar ngadalë nga niveli i ulët tek ai i lartë, ku Prokuroria dhe gjykata do të jetë e kujdesshme, duke i arrestuar fillimisht të akuzuarit e nivelit më të ulët, që të mos eskalojë situata politike dhe mos të ketë kushtëzime politike nga ata që janë përfolur nga raporti i Dick Martit”, theksoi Hertica për “Kosova Sot”.

“Grupe të njerëzve kanë keqpërdorur vlerat e UÇK-së”

Kurse analisti politik Hidajet Ahmeti tha për “Kosova Sot” se edhe pse Gjykata Speciale në thelb është diskriminuese, ku bie ndesh me çdo akt ndërkombëtar, ajo në një formë është shndërruar si shpresë dhe mundësi e mirë që njollat e zeza të largohen nga lufta e pastër, e drejtë dhe dinjitoze e UÇK-së dhe njëherë e përgjithmonë të kuptohet se UÇK-ja ka vepruar brenda ligjeve dhe të drejtave ndërkombëtare.”Nuk duhet përjashtuar se grupe të njerëzve kanë keqpërdorur vlerat e UÇK-së dhe misionin e saj të drejtë e të pastër, duke tjetërsuar misionin në UÇK në interesa të ngushta personale e politike. Gjykata Speciale që në substancë është diskriminuese dhe ka rrjedhur si shkak i dështimit të sistemit të drejtësisë brenda juridiksionit të shtetit të Kosovës. Funksionalizimi i dhomave të specializuara është vonuar, pasi faktorët determinues janë të shumtë. Në njërën anë kemi situatën e brendshme dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, kurse në anën tjetër kemi faktorët e brendshëm të vet Gjykatës Speciale, e cila nuk është e interesuar të krijojë destabilitet të brendshëm të Kosovës”, potencoi Ahmeti për “Kosova Sot”. Sipas tij, ‘peshqit e mëdhenj’ do të mbeten për fund, aktakuzat do të fillohen nga bishtit tek koka.

Presioni për shfuqizimin e Gjykatës

“Shteti ynë i tiranizuar tash e sa vite kurrë nuk ka pasur më shumë nevojë se tani për t’u divorcuar përfundimisht nga politikanë të tillë të shantazhuar, të cilët me luftën e tyre, pa zgjedhur mënyrë as mjete, për ta shpëtuar veten, po ia zënë frymën këtij vendi dhe mbyllin çdo rrugë për të ecur përpara Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”

UBT

Edhe sipas Gani Qarrit, ajo që më së shumti i nevojitet Kosovës në këto momente hallakame është pikërisht spastrimi i skenës politike, mundësisht nga të gjithë krerët dallaveraxhinj, pazarxhinjtë e sprovuar të shtetit dhe politikanët e inkriminuar të vendit. Edhe Qarri dyshon se vetë akti i largimit të parakohshëm të kreut drejtues të Gjykatës Speciale do ta prolongojë edhe për një kohë më të gjatë fillimin e arrestimeve të para, që do të jetë një lloj kompensimi i dështimit të suspendimit të kësaj gjykate përmes nismës ligjore të iniciuar kohë më parë nga një grup deputetesh.”Në fakt, pas rrëzimit të përpjekjeve, të nisura me aventurën e javës së fundit të dhjetorit të vitit të kaluar, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, të paktën tre krerët institucionalë e shtetërorë të vendit; Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, lëvizjet e papritura të të cilëve jo vetëm këtë herë u bënë skajshmërisht kundërthënëse dhe nxitën debate të ashpra brenda dhe jashtë Kosovës, si iniciatorë të kësaj nisme të dështuar, do duhej të jepnin dorëheqje të menjëhershme. Por, pasi që kjo nuk ndodhi, sa u takon arrestimeve, se a do të fillojnë ato menjëherë që në mars të këtij viti, apo jo, për momentin është më se e vështirë të thuhet, edhe për faktin se siç duket vetë dorëheqja e papritur e kryetarit të Gjykatës Speciale, David Schverdiman, lë të dyshohet se nuk ishte vetëm mosha e tij faktor determinues i shkuarjes nga pozita, por, siç duket, nuk ka edhe akordancë të plotë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së, për kohën dhe mënyrën e fillimit të arrestimeve”, u shpreh ai.”Por, sido që të jetë, Kosova e kishte dhe do ta ketë edhe në të ardhmen të pamundur perspektivën me politikëbërës të tillë, dëshmojnë vetë zhvillimet e gjatë gjithë këtyre viteve sa Hashim Thaçi qëndroi në krye të shtetit dhe ndërroi pozitat udhëheqëse shtetërore si fontanë dëshirash, nga kryeministër në ministër të Punëve të Jashtme, nga ministër i Punëve të Jashtme në president të zgjedhur në mënyrën më kontroverse të mundshme në Parlament, nën udhëheqjen e të cilit Kosova ishte dhe do të mbetet një vend plotësisht i izoluar, pa lëvizje të lirë, pa liberalizim të vizave dhe pa asnjë shpresë për perspektivë, ani pse ai i filloi dhe do t’i përfundojë të gjitha mandatet politike, pikërisht me këto premtime, boshe dhe të papërmbushura asnjëherë”, tha Qarri për ‘Kosova Sot’.

Sipas tij, sido që të rrjedhin ngjarjet, shteti ynë i tiranizuar tash e sa vite kurrë nuk ka pasur më shumë nevojë se tani për t’u divorcuar përfundimisht nga politikanë të tillë të shantazhuar, të cilët me luftën e tyre, pa zgjedhur mënyrë as mjete, për ta shpëtuar veten, po ia zënë frymën këtij vendi dhe mbyllin çdo rrugë për të ecur përpara Kosovës dhe qytetarëve të saj.

BADALLAJ: DO TË SHIHNI SE NUK DO TË KAPEN KËTA “PESHQIT E MËDHENJ”

Analisti politik Reshat Badallaj i tha gazetës ‘Kosova Sot’ se me dorëheqjen e kryeprokurorit amerikan ka filluar të dyshojë edhe në këtë Tribunal që ka shenja se edhe këtu është e përzier politika dhe atë me ndikimin e treshes që janë të lidhura ngushtë, Edvin Kristaq Rama-Aleksandër Vuçiqi-Hashimi Thaçi dhe sipas tij edhe Baton Haxhiu.

Ai beson se do të ketë arrestime, por ato do të jenë shumë të improvizuara dhe të nivelit tejet të ulët. Kurse, sipas tij, liberalizimi i vizave nuk do të vijë automatikisht me kalimin e Demarkacionit, pa filluar edhe kapja e ‘peshqve të mëdhenj’ të krimit e të korrupsionit.”Arrestime do të ketë sa për sy e faqe, përse them sa për sy e faqe, se do të shihni se nuk do kapen këta ‘peshqit e mëdhenj’, Hashimi dhe klika e tij. Kam dëgjuar dhe po e shoh se në Kosovë po bëjnë hop pa e kërcyer gropën! Kurse unë kam bindjen se pasi t’i falen 8 mijë hektarë tokë që ia shitën banditët Malit të Zi, po ashtu dyshoj fort se Bashkimi Evropian nuk do e lë me kaq, ajo do t’ia zë bishtin me derë duke e zvarritur këtë punë dhe duke i vënë kushtin tjetër luftimin e korrupsionit”, theksoi ai.”Korrupsionin e kanë shkaktuar pikërisht shumica prej tyre që do të ndiqen nga Gjykata Speciale. Megjithatë, nuk besoj që këta do të shpëtojnë krejt të palagur dhe se kanë gjithsesi frikën se a do t´i kapë Tribunali i Speciales”, tha Badallaj për ‘Kosova Sot’.

Baton Haxhiu sërish nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetarit.

MEHMETI:KOSOVA KA NEVOJË QË TË ÇLIROHET NGA PSEUDOPATRIOTËT, QË NË EMËR TË LUFTËS ÇLIRIMTARE E KANË VJEDHUR KËTË VEND, DUKE U BËRË MILIONERË PA ASNJË DITË PUNE

“Këta që janë kupola e krimit ekonomik, duke shtrirë autoritetin e tyre, kanë arritur të kapitalizojnë ekonominë, duke e orientuar atë drejt monopolit. Prandaj nga një pjesë e madhe e popullit me gëzim priten arrestimet nga Gjykata Speciale të atyre që këtë vend e kanë degraduar tash e 18 vjet, të personave përgjegjës në cilësinë e politikanit e jo të ish-luftëtarëve. Kjo edhe ua ka zbehur shumë kontributin e tyre të mundshëm në luftë, pasi janë të njëjtit njerëz, që ia kanë zënë frymën këtij vendi”, potencoi analisti Faton Mehmeti për “Kosova Sot”

Analisti Faton Mehmeti beson po ashtu se së pari do të kalojnë Demarkacioni dhe Asociacioni, me mundësi që të shkohet me një pako, sepse vetëm kështu Lista Serbe do ta votojë Demarkacionin dhe pasi të kalohen këto Kosova do të përballet me Gjykatën Speciale, e cila me gjasë edhe do të tensionojë shumë gjendjen politike në vend, edhe ashtu të brishtë. “Arrestimet nga Gjykata Speciale nuk do të jenë ndaj njerëzve të zakonshëm, kur dihet se ish-krerët e UÇK-së janë në pozita të larta shtetërore dhe pikërisht për këtë edhe është themeluar Gjykata Speciale. Pamundësia e Kosovës që të krijojë sistem të pavarur të drejtësisë ka shtyrë SHBA-në dhe vendet e tjera që të krijojnë një Gjykatë Speciale, e cila është rast i rrallë që ndodh në një shtet. Kjo tregon më së miri se në çfarë gjendje kaotike ka rënë sistemi i drejtësisë dhe Kosova ku ka arritur “fal” këtyre që janë në pushtet. Në një shtet ku prokurorët emërohen me telefonata, aty ku drejtësia vlen vetëm për të varfëritë është vështirë të presësh diçka të mirë”, tha Mehmeti për “Kosova Sot”.

Ai shton se pikërisht këta që pritet të akuzohen për krime lufte janë edhe përgjegjës për gjendjen ekonomike në vend. “Këta që janë kupola e krimit ekonomik, duke shtirë autoritetin e tyre kanë arritur të kapitalizojnë ekonominë, duke e orientuar atë drejt monopolit. Prandaj, nga një pjesë e madhe e popullit me gëzim priten arrestimet nga Gjykata Speciale të atyre që këtë vend e kanë degraduar tash e 18 vjet, të personave përgjegjës në cilësinë e politikanit e jo të ish-luftëtarëve. Kjo edhe ua ka zbehur shumë kontributin e tyre të mundshëm në lufte, pasi janë të njëjtit njerëz, që ia kanë zënë frymën këtij vendi”, potencoi Mehmeti. “Kosova ka nevojë që të çlirohet nga pseudopatriotët, të cilët në emër të luftës çlirimtare e kanë vjedhur këtë vend, duke u bërë milionerë pa asnjë ditë pune. Kosova nuk meriton të udhëhiqet nga këta “mangupë”, por duhet të çlirohet për të ecur aty ku e ka vendin, në vlerat evropiane, larg së cilave jemi akoma fatkeqësisht”, tha Faton Mehmeti për “Kosova Sot”

(Kosova Sot)