ARKATANA

Vërbani Antik, qyteti që hesht

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Egzon Trena – Jeta në trojet e Dardanisë antike, përkatësisht të Kosovës së sotme dhe për rreth saj është shumë e vjetër. Këtë e argumentojnë monumentet e vjetra të gjetura në Anamoravë, ato na japin të dhëna të rëndësishme për ilirët-dardanët dhe fakte mbi jetën dhe ekzistencën e tyre. Po ashtu, duke u bazuar edhe sipas burimeve gojore të cilat na japin njohuri për ekzistencën e këtij vendi antik, historitë e njerëzve mbi të dhënat e këtij qyteti na lënë të kuptojmë se vendi ynë ka qenë i banuar qysh nga kohët e lashta duke dëshmuar për lashtësinë e qytetërimit te popullit tonë.

Të dhëna të rëndësishme për Vërbanin antik na jep arkeologu i famshëm Dr. Emil Çershkov, në saje të cilit ai ka bërë gërmimet e para arkeologjike në tërë territorin e Moravës Jugore. Mirëpo, vdekja para kohe e E. Çershkovit në një aksident automobilistik me 13 maj 1969, shënoi një humbje të rëndë në arkeologjinë e Kosovës. Vërbani antik supozohet se gjendej në mes fshatit Çifllak afër Pozhoranit dhe të Terpezës përkatësisht përmes toponimit që edhe njihen si arat e Vërbanit, ku dhe mendohet të jetë gjetur busti i gruas nga Kllokoti.

Kur themi është “gjetur” busti i gruas nga Kllokoti lindë pyetja kush e gjeti atë? A është gjetur busti nga grupi i arkeologëve gjate ekspeditave të tyre arkeologjike, apo u gjetë në mënyrë spontane nga vetë banorët e këtij vendi. Mirëpo, në bazë te burimeve gojore dhe informative është thënë se; gjatë punimit të tokave bujqësore një bujk i nacionalitetit serbë ka hasur në gjetjen e bustit të gruas nga Kllokoti. Megjithatë, ende nuk dihet qartë se a u dorëzua busti në Institutin Arkeologjik nga bujku, apo ekziston mundësia tjetër ku thuhet se është gjetur nga ekspedita e arkeologëve.

Në rast se, është gjetur nga arkeologët serbë atëherë kjo na lë të kuptojmë që kanë dhëna të sakta rreth këtij qyteti të lashtë. Ndërsa, sa i përket etimologjisë së emrit “Vërban” ka mendime të ndryshme mbi prejardhjen e këtij emri, sa që janë munduar ti japin kahje sllave, siç thotë edhe shkencëtari Atanasije Ushoroviç: sipas tij emri Vërban rrjedhë nga fjala serbe “vrba-lis”. Mirëpo, kjo tezë e tij nuk ka kurrfarë baze shkencore dhe më i besueshëm është konstatimi i Emil Çershkovit dhe konstatimi i prof.Dr.Edi Shukriut, të cilët janë të mendimit se ky emër vjen nga fjala latine;urbs-urbis(urban) që do të thotë qytet. Të dhëna të hershme për qytetet pararomake në Dardani ofron edhe shkrimtari romak Tit Livi (59 p.e.r – 17e.r) i cili qytetet i quan me emrin e përgjithshëm -urbs- që ka ekzistuar në vitin 176 p.e.r., duke thënë se dardanët u grumbulluan të armatosur nga të gjitha anët nën muret e një qyteti.

Në Banjë të Kllokotit është zbuluar busti i një gruaje i skalitur në mermer, i cili u bë i njohur me emrin Busti i Gruas nga Kllokoti. Busti i takon shekujve II-III e punuar prej mermeri të bardhë me dimensione 75x55x15 cm. Në të është paraqitur një grua, e cila ka nënkresën qe i’a mbulon tërësisht flokët, mbi të mban shami të gjatë që në ketë rastë bëhet fjalë për një veshje autoktone, për dallim nga ato greke dhe romake. Fytyra ka trajtë vezake, sy te mëdhenj në trajtë bajameje.

ARKATANA

Përderisa, në sy bien edhe vathët e mëdhenj në trajtë të kalaveshit të rrushit si dhe qaforja me zbukurime rrethore dhe sfere të theksuar në mes, që është simbol i diskut diellor. Qafore identike me varëse rrethore mban edhe Hyjnesha në fron, gjë që mundëson një kontinuitet të traditës, ndonëse ka një periudhë kohore midis tyre.

Monumenti nuk përmban asnjë mbishkrim, mbishkrimi ka mundur të jetë edhe në pjesën e poshtme të monumentit por kjo nuk është e sigurt. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se Hyjnesha Dardane e njihnin të gjithë dhe të njëjtës hapësirë i takon edhe monumenti i Smirës, i përkushtuar kësaj hyjneshe.

Pra, gjetja e fakteve si busti i gruas nga Kllokoti, monumentet epigrafie nga Smira, si dhe së fundi monumenti mortor i gjetur në fshatin Mogillë, me një vlerë të madhe arkeologjike na dëshmojnë për një qytetërim të lashtë antik me kulturë tipike ilire. Kjo do të thotë që jemi afër një zbulimi të madh arkeologjik ndoshta mbi themelet e këtij qyteti. Sa i përket përkrahjes nga qeveria e shtetit të Kosovës pak është bërë në këtë aspekt.

Sikur Ministria e Kulturës të kishte hartuar një projekt dhe të sigurojnë mjete financiare për të filluar gërmimet për zbulimin e gjetjeve arkeologjike me qëllim që artefaktet e gjetura të flasin për civilizim. Vlen të përmendet edhe numri i vizitorëve që ka komuna e Kllokotit për dy qendrat e rehabilitimit mjekësor që janë “Banja e Kllokotit” dhe “Nëna Naile”. E rëndësishmja e kësaj është zhvillimi i turizmit që mundë të sjellë përftime ekonomike për banorët e kësaj komune./rajonipress/