Zahirajt të harruar e të braktisur nga shteti e komuna
Gjilan – Edhe pse Lagja e Zahirajve gjithmonë ishte pjesë e Kosovës ajo pas luftës ka mbetur si pjesë kontestuese dhe realisht shteti i Kosovës nuk ka qasje. Selver Lenjnai thotë se Zahirajt nuk guxojnë të harrohen sepse edhe ky vend duhet të bisedohet me Serbinë paralelisht sikurse Karaqeva.
Zahirajt ishin pjesë territoriale e Kosovës, por pas luftës hartat e KFOR-it dhe bisedimet e Kumanovës e lanë brenda kufijve artificial të Serbisë.
Tash pas 18 vitesh Zahirajt që tashmë e kanë braktisur fshatin nuk i ka vizituar askush. Dikur ishte Pajazit Zahiri dhe Rexhep Tahiri që bënin roje në atë lagje, e ka tri vite që edhe ata pothuajse janë shpërngulur.
Ajo që ka rënë në sy në fushatën e fundit zgjedhore, asnjë kandidat për deputet nuk e ka përmendur problemin e Zahirajve. E, Selver Lenjani thotë se Zahirajt nuk guxojnë të harrohen. “Gjatë bisedimeve me Serbinë kur të diskutohet problemi i Karaqevës patjetër që duhet të aktualizohet edhe Zahirajt. Është për keqardhje niveli i kandidatëve të cilët me ndonjë përjashtim të tjerët asnjë nuk kanë folur për problemet e brezit kufitar” tha Lenjani.
Rexhep Tahiri i cili tashmë jeton në Gjilan thotë se është detyruar që ta braktisë fshatin. “Nuk na donte askush dhe nuk na përkrahte askush. Komuna e Gjilanit nuk investonte dhe nuk na përkrahte. U detyrova që ta braktisë vendlindjen nga kushtet e rënda dhe nga provokimet e xhandarmërisë” shprehet ai.
“Unë e di që Zahirajt janë problem politik dhe realisht edhe tejkalon nivelin komunal, por të paktën me pak investime Komuna e Gjilanit duhet të tregoj se nuk e kanë harruar trungun e saj. Po t`i kishim pranuar kushtet e Serbisë, sot Zahirajt do të kishin të gjitha kushtet. Ne nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë asnjë investim që vjen nga shteti serb. Kam pasur shumë shpresa se Komuna e Gjilanit, meqë posedon tërë dokumentacionin kadastral do ta zgjidhë çështjen e rregullimit të rrugës e cila nuk ka më shumë se 2 km” shprehet Tahiri.
Tahiri nga Zahiraj thotë se modeli që pritet ta aplikojë KFOR-i dhe ushtria serbe në Karaqevë duhet të vlejë edhe për lagjen e Zahirajve.”Ne padrejtësisht jemi futur në kontestin kufitarë me Serbinë, edhe pse gjithmonë Zahirajt kanë qenë pjesë e Kosovës. Të gjitha tatimet dhe obligimet komunale i kemi paguar dhe i paguajmë në Gjilan”shprehet ai.
Lagja e Zahirajve para luftës ka pasur 10 shtëpi. Problemin kryesor ata e kanë se rreth 150 hektar tokë u ka mbetur përgjithmonë në pjesën e Serbisë, kurse shtëpitë e tyre ende figurojnë në hartat e KFOR-it dhe hartat serbe si pjesë të Preshevës. /rajonipress/


