Zgjimi i serbëve kosovarë
Nga Imer Mushkolaj – Gjatë gjithë kohës serbët e Kosovës janë manipuluar, kanë shërbyer si mjet kusuritjeje, si mekanizëm për realizimin e interesave të gjithkujt, përpos të vetë atyre. Më në fund duhet ta kuptojnë se askush më mirë se vetë ata nuk mund të vendos për të ardhmen e tyre. As Beogradi. E ardhmja e tyre është në shtetin e Kosovës, jo në Serbi.
Më në fund duhet dhe duket se do të ndryshojë diçka në mesin e serbëve të Kosovës. Tetëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, është koha që ata të zgjohen dhe të vetëdijesohen për të ardhmen e tyre. Për të ardhmen e tyre reale në shtetin e Kosovës, e jo të ardhmen e ëndërruar në shtetin e Serbisë.
Gjatë gjithë zgjedhjeve që janë mbajtur në Kosovë, serbët janë manipuluar nga Beogradi dhe liderë të tyre në Kosovë, duke u kthyer në vegël për realizimin e qëllimeve politike dhe qëllimeve të tjera, të atyre që ua kanë marrë votën. Rasti i Listës Serbe në zgjedhjet e kaluara tregon më së miri se ai ata, duke e votuar me shumicë një subjekt të krijuar nga Beogradi, në fakt kanë votuar kundër të ardhmes së tyre.
Përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës nuk ishin aty për të përmirësuar jetën e votuesve të tyre, por për të shërbyer si mashë në duart e Aleksandar Vucicit me qëllim të sabotimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Sot serbët e Kosovës nuk jetojnë më mirë se në kohën para Listës Serbe, sot serbët kanë shumë probleme e sfida për të jetuar në Kosovë dhe jeta e tyre, nga përfaqësimi i Listës Serbe, nuk iu është lehtësuar. Përkundrazi.
Deputetët të Listës Serbe madje i kanë bojkotuar për një kohë të gjatë insitucionet kosovare, por nuk kanë hequr dorë nga privilegjet e shumta të po këtij shteti që e sabotojnë dhe nuk e njohin. Në këtë mënyrë, ata më së shumti i kanë dëmtuar qytetarët, të cilët ua kanë dhënë votën për t’i përfaqësuar. Ata i kanë rregulluar mirë punët për vete, por jo edhe për serbët e rëndomtë.
* * *
Incidentet e fundit në veri të vendit janë treguesi më i mirë se ku ka çuar politika e Listës Serbe që, përpara se të jetë në shërbim të serbëve kosovarë, të jetë vegël e Beogradit.
Tash, në prag të zgjedhjeve të 11 qershorit, ky subjekt është shumë më i dobët sesa herën e kaluar. Partia e Slobodan Petrovicit ka përkrahje të madhe në mesin e serbëve – përveç veriut, ndërkohë që një ndër ish-njerëzit kryesorë të Listës…, Aleksandar Jablanovic, garon në zgjedhje me partinë e vet.
Lista Serbe është e ndarë dhe e përçarë gjithandej mjediseve të banuara më shumicë serbe. Por, pasojat e kësaj situate po shihen çdo ditë në veri të vendit, ku nuk kanë munguar edhe përleshjet fizike ndërmjet serbëve atje. Ekziston rreziku i një destabilizimi në atë pjesë sa më afër zgjedhjeve të 11 qershorit. Janë shënuar edhe kërcënime ndaj kandidatëve të partive të tjera serbe që marrin pjesë në zgjedhje, disa nga të cilat edhe janë tërhequr nga listat.
Beogradi dërgon emisarë në tubimet parazgjedhore të Listës… duke premtuar se ata që votojnë për këtë subjekt, do të votojnë për vazhdimin e pranisë së Serbisë në Kosovë.
Ndërkohë, në komunat e udhëhequra nga kjo parti nuk kanë munguar keqpërdorimet, disa nga të cilat janë bërë publike.
Për gjithçka që po ndodh me dhe rreth subjekteve politike që mbledhin serbët në Kosovë, për shantazhet e kërcënimet ndaj atyre që nuk i binden Beogradit, organet përkatëse në Kosovë nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret.
Slobodan Petrovic ka shprehur shqetësimin për këtë. “Është e çuditshme se pse po heshtin këto organe, kur të gjitha rastet e kërcënimeve ndaj kandidatëve tanë i kemi paraqitur në polici e prokurori”, ka thënë ai.
Petrovic, Jablanovic e Nenad Rasic janë në shënjestër të Beogradit dhe të njerëzve të Listës Serbe.
Se politika e Beogradit për t’i komanduar serbët në Kosovë duhet të përfundojë, e thonë edhe analistë kredibilë serbë. Pozicionimi i Beogradit krah një subjekti të veçantë politik dëmton në radhë të parë interesat e serbëve kosovarë.
* * *
Serbët e Kosovës duhet të lihen të lirë që të vendosin për fatin e tyre, në zgjedhjet që organizohen në shtetin ku jetojnë. Vetëm në këtë mënyrë ata do të zgjedhin vullnetshëm se kush do t’i përfaqësojë. E ardhmja e tyre është në Kosovë, jo në Serbi, andaj përpara se të bien pre e propagandës, duhet të vlerësojnë në mënyrë racionale se cila është rruga që duhet ndjekur.
Ata mund t’i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese brenda shtetit të Kosovës, por është e domosdoshme pjesëmarrja më e madhe e tyre në jetën shoqërore e politike të vendit. Ëndrra për kthimin e Serbisë dhe kthimin në Serbi do t’i izolojë edhe më shumë, ndërkaq politikanët e dirigjuar nga Beogradi do të jenë ata që do të përfitojnë më së shumti.


