Vendet e Kuintit dënojnë kërcënimet në zgjedhje
Me anë të një deklarate, ambasada Franceze, Gjermane, Italiane, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një reagimi kanë thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të drejtën që pa kërcënime, ndikime dhe frikë të votojnë ashtu siç ua merr mendja.
“Ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi marrë një numër të konsiderueshëm të raportimeve shqetësuese lidhur me përpjekjet për të pasur ndikim përmes frikësimeve dhe kërcënimeve mbi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Në veçanti, duket se ekziston një gatishmëri për të frikësuar dhe detyruar pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës që të votojnë në mënyrë të caktuar”, thuhet në një reagim të zyrave të këtyre shteteve në Kosovë.
Në këtë drejtim thuhet se veprimet e tilla janë krejtësisht të papranueshme.
“Ftojmë të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të tilla ti ndërpresin ato dhe i bëjmë thirrje autoriteteve dhe policisë së Kosovës që ti hetojnë këto raste në plotni. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të drejtën që pa kërcënime, ndikime dhe frikë të votojnë ashtu siç ua merr mendja. Këto zgjedhje janë një mundësi për qytetarët e Kosovës ti zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm qytetarët e Kosovës kanë këtë fuqi dhe përgjegjësi. Si pjesë e komunitetit ndërkombëtarë, ne do të punojmë me këdo që përzgjedhni ju”, thuhet në fund të reagimit. /Telegrafi/


