ARKATANA

Malin e Zi para Kosovës

/ 3 minuta lexim
United Hospital

Pranimi i Kosovës në UEFA e në FIFA kishte rezultuar me afrimin e disa futbollistëve cilësorë në Përfaqësuesen më të re evropiane. Mirëpo jo të gjithë i thanë “Po” Kosovës. Emrat si Shaqiri, Xhaka, Behrami, Januzaj dhe lojtarët që luajnë për Shqipërinë vazhduan me përfaqësueset respektive, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Njëjtë veproi edhe Fatos Beqiraj. Ai vazhdoi të luajë për Malin e Zi, ndërkohë që kohë më parë ishte ankuar se nuk kishte marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës.

Mirëpo, në intervistën e fundit sulmuesi pejan shprehet se, pavarësisht faktit se kishte kontakte me palën kosovare, vendosi megjithatë të vazhdojë të luajë për malazezët.

“Kisha disa kontakte dhe kishte thirrje nga Kosova, por asgjë specifike. Pasi kam biseduar me presidentin e Federatës Malazeze të Futbollit, Dejan Savicevic, kemi konkluduar se rruga e duhur do të ishte që të mbetem reprezentues malazez deri në fund të karrierës”, është shprehur Beqiraj për mediet malazeze.

Krenar që e përfaqëson Malin e Zi

Eco Higjiena

Beqiraj i ishte bashkuar Buduçnostit në janar të vitit 2008 si 19-vjeçar dhe në atë kohë nuk ishte i njohur për publikun malazez. Mirëpo, më pas, me paraqitjet e tij ai i bindi të gjithë se bëhej fjalë për një lojtar të madh të së ardhmes. Tash ai është njëri nga dy lojtarët aktualë të Malit të Zi që kanë së paku 50 paraqitje me ekipin kombëtar malazez.

“Unë erdha në Mal të Zi në Buduçnost dhe në Podgoricë pas një viti me ndeshje të mira. Jam ftuar të bisedoja, të flisnim për të luajtur për ekipin kombëtar të Malit të Zi. E pranova këtë në mënyrë pozitive, duke menduar në ndjenjat, punën dhe në paraqitjet e mira, të cilat ishin njohur nga të tjerët”, vazhdoi ai. “Në atë kohë ekipi kombëtar i Kosovës nuk zhvillonte ndeshje ndërkombëtare dhe në konsensus me familjen time, sepse në atë kohë isha i ri, pranova të luaja për Malin e Zi. Së pari për ekipin e të rinjve dhe shpejt, pas katër ndeshjesh aty, debutova me ekipin A. Natyrisht, ishte nder që ta përfaqësoja këtë vend dhe për besimin që ma kanë dhënë njerëzit e këtushëm. Ishte një gjë e madhe për mua. Jam munduar ta jap 100-përqindëshin nga vetja në çdo ndeshje dhe ta ndihmoja ekipin që t’i arrinte objektivat”, vazhdoi ai. Beqiraj nuk e harron asnjëherë debutimin tek Mali i Zi në ndeshje me Italinë, kampione e botës në atë kohë, më 28 mars 2009. Beqiraj i ka falënderuar edhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme, të cilëve u premton se do t’i gëzojë me gola.

Beqiraj ishte larguar nga Buduçnosti në drejtim të Dinamo Zagrebit, ndërsa më pas i provoi edhe dy ekipet tjera me emrin Dinamo, Minsk dhe Moska, por luajti një kohë edhe në Kinë me ekipin Cangcun Jatai.

Beqiraj, i cili në muajin maj do t’i mbushë 30 vjet, thotë se është i kënaqur me karrierën e deritashme, por e pranon se ëndërron të luajë në Evropian ose në Botëror me Malin e Zi pasi luajti në Europa League dhe në Ligën e Kampionëve./Zëri