Mobi Casa

Miliardat e mafisë kosovare në parajsat fiskale, Prokuroria në gjumë

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Oligarkët e Kosovës dyshohet se po i bartin pasuritë e tyre shumëmilionëshe e të dyshimta në parajsat fiskale. Për këtë temë, në intervistën e edicionit festiv të fundvitit në gazetën “KOSOVA SOT” ka folur edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Në pyetjen se si do të veprojë Prokuroria në rastet kur qindra miliona euro të mafio- oligarkëve tanimë janë fshehur në parajsa fiskale dhe veprojnë edhe nga atje (Maltë, Panama, ‘Virgin British Island’) sërish edhe në Kosovë, kryeprokurori Lumezi ka konfirmuar se nga kushdo dhe kurdo që janë kryer vepra penale ato hetohen dhe më pas nëse gjenden prova të mjaftueshme ngrihen aktakuzat dhe kërkohet dënimi i tyre, ndërsa që prokurorët e kanë obligim edhe të kërkojnë konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Kryeprokurori thotë se prokurorët e kanë për obligim, por analistët pyesin se a ka shanse që paratë e mafio-oligarkëve të derdhura në parajsat fiskale (Maltë, Panama, ‘Virgin british Island’ etj.) të konfiskohen nga këta prokurorë aktualë kosovarë? Analistët kanë thënë se mbase dhe mund të ekzistojnë raste në Prokurorinë Speciale, apo edhe në ato themelore, ku mund të hetohen qindra miliona eurot e mafio-oligarkëve, të cilët paratë i kanë fshehur nëpër parajsat fiskale jashtë Kosovës, ndërsa kompanitë e tyre në këto parajsa fiskale i kanë bërë si kompani “nënë”, apo pronarë të kompanive të tyre në Prishtinë.

Prokurorët të hetojnë firmat e dyshimta

Analisti Naim Kelmendi ka thënë se është fakt i pamohueshëm se paratë qindra milionëshe të mafio-oligarkëve që janë pasuruar kundërligjshëm gjatë këtyre viteve në Kosovë janë derdhur në parajsat fiskale, si në Maltë, Panama,”Virgin British Island” etj., dhe mbi këto firma të këtyre mafio-oligarkëve prokurorët e kanë obligim të ngrenë hetimet dhe t’u konfiskohen pasuritë e paligjshme.”Duke e njohur gjendjen në sistemin e drejtësisë kosovare, zor se kjo mund të bëhet nga prokurorët aktualë, të cilët nuk kanë denjuar as deri më tash të tregojnë më shumë efikasitet dhe vullnet profesional në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit të nivelit të lartë, mbase dhe mund të ekzistojnë raste në Prokurorinë Speciale, apo edhe në ato themelore, ku mund të hetohen qindra miliona eurot e mafio-oligarkëve, e të cilët paratë i kanë fshehur nëpër parajsat fiskale jashtë Kosovës, ndërsa kompanitë e tyre në këto parajsa fiskale i kanë bërë si kompani ‘nënë’, apo pronarë të kompanive të tyre në Prishtinë”, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi. Kurse analisti Dardan Grapci thotë se nëse kryeprokurori i Shtetit, z.

Aleksandër Lumezi ka ndonjë dyshim, do ishte mirë që ai vetë t’u jepte urdhër prokurorëve dhe hetuesisë për t’i hapur këto raste të pastrimit të parave ilegale që janë duke bërë biznesmenët dhe pronarët e kompanive të ndryshme, siç janë: ‘Birra Peja’, ‘Z-Mobile’, ‘Klan Kosova’, ETCja, etj.”Duke e ditur nga e kaluara se korporata DEVOLLI paratë e tyre të investuara në mënyrë ilegale janë në Amerikë dhe në Austri”, potencoi për “Kosova Sot” analisti Grapci. Gazetari edhe pse ua ka dërguar pyetjet Blerim Devollit, Shkëlqim Devollit si dhe kompanive të tjera të përmendura nga analistët, ata nuk kanë kthyer si zakonisht përgjigje.

HW

Rastet e ndjeshme kalojnë në heshtje

Analisti Gani Qarri ka veçuar se natyrisht kryeprokurori i Shtetit është një nga figurat kryesore që bart përgjegjësitë më të ndjeshme ligjore dhe vendimmarrëse për funksionimin e ligjit dhe organeve shtetërore të drejtësisë në Kosovë, gjë që duhet të reflektojë besim dhe të përcjellë e garantojë siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Por, sipas tij, me gjithë mirëkuptimin për premtimet e dhëna në intervistën e edicionit festiv të fundvitit për gazetën ‘KOSOVA SOT’, nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, nga ajo sa deri më tani kemi parë mbetet skeptik se për kohë të shkurtër vërtet do të kthehet çdo gjë për së mbari dhe do të ndodhë mrekullia në Kosovë. Tutje ai shton se fakti i transferimit të pasurive të dyshimta në vende të largëta dhe fshehja e qindra miliona eurove nga mafio-oligarkët në parajsat fiskale, si në Maltë, Panama, ‘Virgin british Island, Zvicër, Luksemburg, Austri, etj., është i njohur qëmoti për Prokurorinë dhe gjyqësinë në Kosovë, ashtu siç dihen edhe emrat e autorëve, të cilët tash e atëherë, përkundër të gjithave sa kanë bërë, veprojnë të lirë edhe nga atje.”Një katund që duket nuk do kallauz, andaj edhe në Kosovë, në gjendjen çfarë sot ndodhet sistemi i kapur i drejtësisë, pa marrë parasysh deklarimet e kryeprokurorit se prokurorët kanë obligim, kjo më tepër është një shprehje dëshire, se çfarë në të vërtetë, në kushte normale, do duhej të ndodhte, sesa që mund të garantojë se në realitet një- mend ka shanse që me prokurorët aktualë mund të vijë deri tek ndryshimi dhe ndonjë përmirësim i dukshëm ligjor”, u shpreh ai.”Mjerisht, nga përvoja e deritanishme, të gjithë e dimë se ata kurrë nuk kanë dëshmuar që janë në gjendje t’u kundërvihen veprimeve të kundërligjshme të cilitdo politikan dhe mafio-oligarkëve më të mëdhenj në vend”, potencoi Qarri për “Kosova Sot”. Sipas tij, për fat të keq, në krejt historinë e kësaj prokurorie dhe drejtësisë vendore, që nga paslufta e këtej, nuk mbahet mend ndonjë rast i rrallë ose edhe i vetëm, qoftë nga Prokuroria Speciale apo edhe ato themelore, të jenë hetuar ose hetohen qindra miliona eurot e mafio-oligarkëve, se lëre më edhe paratë e derdhura në parajsat fiskale, kudo qofshin ato, afër apo larg në botë, të kthehen apo edhe konfiskohen nga po këta prokurorë, pa reformimin e thellë të të gjithë sistemit të drejtësisë kosovare.

Drejtësia e kapur nga politika

Analisti Naim Miftari shprehet se kishte pasur rastin që ta dëgjonte deklaratën e kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksander Lumezi, ku deklaronte se do ta ndiqte çdo korrupsion apo vepër kundërligjore dhe se prokurorët e kanë për obligim të veprojnë kundër shkelësve të ligjit. “Por, si qytetar i thjeshtë, nuk i besoj aspak kësaj deklarate të kryeprokurorit, pasi tani dihet shumë mirë se drejtësia është e kapur keq nga krimi i organizuar politik për interesa të bosëve dhe nuk mbaj mend se ka pasur ndonjë hetim apo gjykim kundër milionerëve që prapa tyre fshihen politikanët e korruptuar”, u shpreh ai. “Kjo mafi politike deri më sot dyshohet se ka gllabëruar afër 3 miliardë euro, para këto për zhvillimin e Kosovës: KEK, MAGJISTRALET, TREPÇË, PTK, AEROPORT, BANJAT TERMIKE, FERRONIKELI, BIRRARIA PEJA, MULLINJTË BUJQËSORË etj., dhe mos të harrojmë se me para të krimit të organizuar janë blerë shumë lirë pasuritë kombëtare të Kosovës, ku nga ish-AKM- AKP janë përvetësuar mijëra prona shoqërore, kanë përfunduar në duart e krimit të organizuar, pastaj qindra fabrika, lokale, toka bujqësore, janë përvetësuar me ndihmën e kinse Ligjit e privatizimit në Kosovë, kurse në fakt është vjedhja legale dhe themeli i krimit të organizuar”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari. Sipas tij, kurrë nuk do të ketë drejtësi pa u ndjekur shitjet mafioze që i ka bërë AKM-ja, ku përveç vendorëve janë të përzier edhe shumë ndërkombëtarë të tjerë që Kosovën e kanë përdorur vetëm si shkallë ngjitëse, të jenë vetë privatisht si multimilionerë.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.