UBT

Politika e bllokoi edhe një vit sundimin e ligji

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se fatkeqësisht politika, e cila duhet të krijojë infrastrukturë ligjore dhe humane për ta reformuar sistemin e drejtësisë në Kosovë nuk ka qenë e interesuar as në vitin 2017 që të bëjë reformat e nevojshme në drejtësi, pra procesin e Vetting-ut, Ligjin antimafia etj., në mënyrë që sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës të jetë analog me vendet e tjera të Ballkanit.

Sipas tyre, në fakt mosaprovimi i Ligjit antimafia si dhe ligjeve të tjera përcjellëse e ka dëmtuar në masë të madhe gjithë ekonominë e vendit, për shkak se njerëzit, të cilët janë pasuruar duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke kryer vepra penale të korrupsionit të nivelit të lartë, nuk kanë mundur të ndiqen dhe nëse janë ndjekur penalisht kanë marrë dënime minimale, ndërkaq pasuria e tyre nuk ka mundur të konfiskohet për shkak se nuk është mundur të zbulohet prejardhja e tyre. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se si dhe pse dështoi qëllimshëm politika në Kosovë që edhe vitin që po lëmë pas të mos fillojë reformën në drejtësi dhe procesin e Vetting-ut, dekriminalizimin e politikës dhe pushtetit, hapjen e dosjeve dhe Ligjin antimafia. Profesori universitar Muhamet Kelmendi ka thënë se çështja e mosnisjes së reformave të detajuara, sidomos në sistemin e drejtësisë, rrjedh nga një faktor i vetëm që është faktori politik në Kosovë, i cili ka arritur që gradualisht sistemin e drejtësisë, përfshirë gjyqtarët, prokurorët, njerëzit e policisë e tutje t’i kap në kuadër të strukturave të veta të organizimit informal dhe natyrisht në këtë drejtim ka arritur pushtetin shtetëror në njërën anë dhe në anën tjetër oligarkia financiare e politike të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe këtë sistem të së drejtës, duke filluar nga policia, prokuroria, gjykatat të fusë nën kontroll dhe të shkojnë në drejtim të cilin ata e dëshirojnë për të realizuar pikësynimet e tyre financiare dhe të tjerat që i kanë.

Sistemin e kalbur nuk ka kush ta shërojë

Sipas Kelmendit, as me ministrin e tashëm të Drejtësisë dhe natyrisht me ecurinë e tashme, që aktualisht është shumë e brishtë në kuptimin e zgjidhjes së problemeve, në veçanti me këtë sistem që është koka e të gjitha veprimeve destruktive në Kosovë, si në fushën politike ashtu edhe në atë juridike e ekonomike, vitin e ardhshëm nuk do të kemi diçka pozitive në drejtim të fillimit të një rruge të kapshme të logjikshme e juridikisht të drejtë të reformave në polici dhe të prokurorisë e gjyqësorit. “Ne kemi në Agjencinë antikorrupsion pasurinë e deklaruar nga njerëzit e tillë që vijnë nga politika dhe në anën tjetër veprimtarinë e oligarkëve mafio-ekonomikë, të cilët e kanë kapur në tërësi Kosovën lë të nënkuptojë se fakte ka të mjaftueshme për të hapur hetimet ndaj mafiozëve ekonomikë dhe në pushtetin shtetëror në përgjithësi, në mënyrë që vërtet ky shtet të shërohet”, theksoi ai.”Por, unë mendoj se nuk mund të shërohet sistemi juridik, prokuroria e as gjyqësori dhe nuk do të kemi kurrë reforma të nivelit të tillë të definuara dhe të thella në drejtim të krijimit të sistemit juridik të shëndoshë në qoftë se me të vërtetë sistemi politik nuk shëndoshet, nëse partitë politike nuk janë komplet sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe nëse ato nuk japin llogari para organeve konkrete dhe nëse natyrisht nuk do ta hapim një ligj të vetting-ut, i cili do të na bëjë të kuptojmë dhe të shohim se me çfarë njerëz kemi të bëjmë cilët janë ata njerëz, çfarë njerëz kemi ne në prokurori, në sistemin gjyqësor dhe ajo që është më e rëndësishmja hapja e dosjeve, sepse përmes kësaj shumë njerëz të politikës, të gjyqë- sorit, prokurorisë e të policisë s’do ta gjejnë veten aty dhe do të shkojnë në shtëpi, sepse në një mënyrë apo tjetër, ose me politikë, ose me veprimtari anti- shtetërore, ose me korrupsion janë të inkriminuar dhe kjo është situata që kemi”, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar Muhamet Kelmendi.

Keqpërdorimet vazhdojnë, reformat zvarriten

ARKATANA

Avokati Skënder Musa ka nënvizuar se fatkeqësisht politika, e cila duhet të krijojë infrastrukturë ligjore dhe humane për ta reformuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, nuk ka qenë e interesuar as në vitin 2017 që të bëjë reformat e nevojshme në drejtësi, pra procesin e Vetting-ut, Ligjin antimafia etj., në mënyrë që sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës të jetë analog me vendet e tjera të Ballkanit. Sipas tij, në fakt mosaprovimi i Ligjit anti-mafia si dhe ligjeve të tjera përcjellëse e ka dëmtuar në masë të madhe gjithë ekonominë e vendit për shkak se njerëzit, të cilët janë pasuruar duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke kryer vepra penale të korrupsionit të nivelit të lartë nuk kanë mundur të ndiqen dhe nëse janë ndjekur penalisht kanë marrë dënime minimale, ndërkaq pasuria e tyre nuk ka mundur të konfiskohet për shkak se nuk është mundur të zbulohet prejardhja e tyre. Sa i përket organizimit të sistemit gjyqësor në Kosovë, Musa thotë se sistemi gjyqë- sor dhe ai i prokurorisë është i ndërtuar në bazë të praktikave evropiane, mirëpo nuk funksionon në një nivel të tillë të kënaqshëm, pasi ka zvarritje jashtë mase të lëndëve në civile, ku ka lëndë që nuk janë zgjedhur që nga përfundimi i luftës.”Nuk ka politikë standarde të vendosjes në lëndë ku shpeshherë kemi për çështje të njëjta vendime shumë të ndryshme, qoftë në lëmin civil apo penal, edhe pse përafërsisht provat mund të jenë të njëjta, nuk ka politikë unifikuese të dënimeve për vepra të caktuara, jemi larg për t’u krijuar kushtet që në Kosovë të ketë gjykim të drejtë në anën tjetër gjithë mekanizmat ligjorë, duke filluar nga Kushtetuta, Konventa evropiane, deklarata universale për të drejtat e njeriut e kombeve të bashkuara, kodi i procedurës penale e obligojnë Kosovën që të garantojë gjykim të drejtë e që për fat të keq në shumicën e rasteve drejtësia në Kosovë dështon për të organizuar gjykime të drejta, sidomos dështon për gjykime të drejta kur kemi të bëjmë me vepra të rënda penale, qofshin ato të ndonjë zyrtari të lartë qeveritar, zakonisht nuk mund të pretendohet se kemi gjykime të drejta”, ka vijuar ai për “Kosova Sot”.

PRETENI: PROGRESI ËSHTË I PAMUNDUR, SEPSE ATA QË DUHET LËVIZUR JANË VETË NË LISTËN E TË DYSHUARVE!

Hasan Preteni, nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet, ka veçuar se i tërë viti 2017 ishte i dështuar, pa asnjë përpjekje dhe asnjë angazhim serioz.”Kjo klasë politike nuk ka vullnet për t’i lëvizur çështjet. Progresi është i pamundur, sepse ata që duhet lëvizur janë vetë ata që duhet të jenë në listën e të dyshuarve”, potencoi ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, ato pak përpjekje në legjislacion bëhen për çështje kozmetike dhe për të krijuar përshtypje se diçka po ndodh, por asgjë me vlerë dhe me kualitet, prandaj s’ka progres.”Mbetet të shpresojmë se këto erërat e dobëta që kanë filluar të fryjnë mbi Shqipëri të forcohen dhe të kalojnë tek ne. Uroj që viti 2018 të jetë vit i mbarë dhe vit i fillimit të progresit pozitiv”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” Hasan Preteni nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet.

MUNGON VULLNETI POLITIK PËR NDRYSHIME

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu mendon se së pari duhet që klasa politike ta ketë një qëllim të lartë patriotik që vendin ta bëjë me drejtësi dhe nëse kreu më i lartë politik nuk e ka atë synim, atëherë sigurisht që edhe ligjet në fjalë nuk mund të realizohen dhe krijimi i një sistemi të drejtësisë nuk bëhet pa sakrifica, pa impenjim të thellë, i cili nuk ka ekzistuar asnjëherë në Kosovë.”Sistemi i drejtësisë është shtyllë e shtetit dhe njerëzit më patriotë të vendit duhet të drejtohen, të punojnë në prokurori e gjykata, gjë që tek ne ka qenë kjo traditë krejt e kundërt, ku tek ne në prokurori kanë shkuar ata që i kanë shërbyer regjimit pushtues dhe jo patriotët dhe kjo tash është bartur një inercion edhe në shtetin tonë dhe njëherë duhet të ketë një motiv politik, një forcë politike në krye të vendit, e cila do t’i motivojë njerëzit që të sakrifikohen për drejtësi, për krijimin e një sistemi të drejtësisë dhe për t’i shërbyer vendit. Kjo është arsyeja pse vazhdimisht po dështojnë, sepse s’ka forca politike që janë të interesuara për ta realizuar këtë”, potencoi për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.