Ligji shkelet nga krerët e shtetit, prokurorët e gjyqtarët në gjumë
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se Kosova, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, ka prokurorë dhe gjykatës të guximshëm që mund të sfidojnë mafiooligarkët e politikës dhe biznesit të inkriminuar, të cilët nuk hanë dreka e darka me ta dhe as nuk pranojnë detyra dhe interferime, por që janë të gatshëm t’i hetojnë dhe t’i burgosin me fakte e dëshmi për krimet ekonomike qindramilionëshe që i kanë bërë në kurriz të qytetarëve të Kosovës, por, sipas tyre, për fatin e keq të shtetit dhe qytetarëve vendi ynë është kapur keq nga uzurpatorët e lirisë, të cilët janë duke e mbajtur peng të ardhmen e Kosovës me ngulfatjen e sistemit të drejtësisë, gjegjësisht prokurorëve dhe gjykatësve me të cilët kanë krijuar aleancë të fuqishme në mbrojtjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit më të lartë.
Veç kësaj, ata thonë sërish se Kosova ka gjykatës dhe prokurorë të guximshëm, të cilët s’kanë frikë aspak nga mafio- oligarkët e politikës dhe bizneseve të inkriminuara, por, siç thonë, atyre s’po u jepet rasti që të merren me këto dhe kjo duke e ditur që këta do të veprojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës dhe betimit që e kanë bërë si gjykatës. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen për diskutim se a e kanë marrë peng të ardhmen e Kosovës gjyqtarët e prokurorët, të cilët me aleancën dhe heshtjen e tyre ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit e kanë bërë këtë shtet të pajetueshëm dhe krejtë- sisht të pashpresë!?. Analisti Florim Zeqa ka thënë se Kosova si në të kaluarën, ashtu edhe sot, ka prokurorë dhe gjykatës të guximshëm që mund të sfidojnë mafiooligarkët e politikës dhe biznesit të inkriminuar, të cilët nuk hanë dreka e darka me ta dhe as nuk pranojnë detyra dhe interferime, por që janë të gatshëm t’i hetojnë dhe t’i burgosin me fakte e dëshmi për krimet ekonomike qindra milionëshe që kanë bërë në kurriz të qytetarëve të Kosovës.
ALEANCA KRIMINALE POLITIKË-DREJTËSI
Sipas Zeqës, po ashtu, Kosova ka intelektualë të zgjuar dhe të guximshëm, që janë të zotët të marrin në dorë fatin e vendit, për të qeverisur në mënyrë të përgjegjshme, me transparencë dhe llogaridhënie para qytetarëve, të cilët me vendosmëri do të luftonin korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha dukuritë negative të shfaqura në Kosovën e pasluftës. “Për fatin e keq të shtetit dhe qytetarëve, vendi ynë është kapur keq nga uzurpatorët e lirisë, të cilët janë duke e mbajtur peng të ardhmen e Kosovës me ngulfatjen e sistemit të drejtësisë, gjegjësisht prokurorëve dhe gjykatësve me të cilët kanë krijuar aleancë të fuqishme në mbrojtjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit më të lartë, duke e rënduar në masë të madhe jetën e qytetarëve, duke ua gërditur jetën në shtetin për të cilin priten gjatë dhe sakrifikuan shumë”, potencoi ai.”Për këtë situatë të pashpresë për jetë në shtetin e Kosovës fajtore janë të gjitha qeveritë në këtë 10 vjetshin e fundit, të cilat në vend që të punojnë për shtet dhe interesin e qytetarëve, punuan vetëm për vetën e tyre, duke krijuar pasuri dhe privilegje të pafundme për veten e tyre, duke i mbajtur qytetarët e varfër dhe të pashpresë edhe të getoizuar si robër të skllavizuar në dekadën e dytë të mileniumit të tretë të epokës së re”, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa.
E ARDHMJA E KOSOVËS, E KAPUR NGA POLITIKA
Hasan Preteni nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet thotë shkurt për “Kosova Sot” se të ardhmen e Kosovës e ka kapur politika. “Dëshmi më të fuqishme nuk ka se këto veprimet e fundit të Qeverisë. Të gjitha këto vendime janë joligjore, por pasi që nuk ka prokurori dhe hetuesi ata veprojnë lirshëm, duke e shpërndarë paranë publike pa asnjë kriter dhe krejt jashtëligjshëm”, spikati Hasan Preteni.
GUXIMTARËVE NUK PO U JEPET SHANSI
Analisti Dardan Grapci ka konsideruar se Kosova ka gjykatës dhe prokurorë të guximshëm, të cilët s’kanë frikë aspak nga mafio-oligarkët e politikës dhe bizneseve të inkriminuara, por siç tha atyre s’po ju jepet rasti që të merren me këto, duke e ditur që këta do të veprojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës dhe betimit që e kanë bërë si gjykatës. “Dhe për të ndodhur kjo duhet njëherë që gjykatësit dhe prokurorët, të cilët aktualisht janë duke u marrë me këto seanca, duhet të largohen apo të japin dorëheqje, duke e ditur që janë të korruptuar nga mafio- oligarkët biznesmenë dhe politikë dhe vetëm kështu gjykatësit dhe prokurorët e drejtë mund të marrin pozitën e tyre si gjykatës dhe prokurorë. Ndryshe Kosova që nga viti 2000 është peng i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, prandaj duhet sa më shpejt të bëhet një ndryshim brenda gjykatave dhe prokurorive, duke i larguar gjykatësit dhe prokurorët e inkriminuar dhe t’i punësojnë më pastaj gjykatësit dhe prokurorët e rinj”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Dardan Grapci.
SERVILIZMI, PENGESË PËR REZULTATE
Analisti Naim Miftari ka vlerësuar se edhe për një kohë të gjatë Kosova nuk do të ketë prokurorë e gjyqtarë apo edhe hetues të policisë të guximshëm, që do të guxonin t’u shpallnin luftë krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar. “Dhe vetë pranimi i prokurorëve, gjyqtarëve dhe hetuesve bëhet me ndikimin e pikërisht krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar, të cilëve u duhen vetëm prokurorë dhe gjyqtarë SERVILË dhe assesi nuk u duhen prokurorë neutralë dhe prokurorë e gjyqtarë që e shikojnë dhe punojnë vetëm sipas ligjit”, u shpreh ai.”Prandaj, edhe këta njerëz që e mbrojnë ligjin nuk pranohen fare në prokurori apo gjyqësi, pasi kushti i parë dhe kryesori është që ata fillimisht duhet të jenë të dëgjueshëm e SERVILË të dikujt aty në organet e drejtësisë, sepse ndryshe nuk pranohesh dhe madje as që ke shanse minimale nëse nuk punon për BOSAT”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.
(Kosova Sot)


