Mobi Casa

Partitë, fole të krimit

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Në planin legjislativ të Qeverisë së Kosovës nuk është futur as për këtë vit dhe as për vitin në vijim ligji për partitë politike, një ligj i veçantë i kërkuar edhe nga BE-ja, e që do të definonte saktë e qartë rolin dhe përgjegjësinë e partive politike, për respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit. Në mungesë të një ligji të tillë, sipas analistëve, tani për tani, partitë sikur janë shndërruar de fakto në korporata tepër kriminale.

Analistët theksojnë se mosbërja e këtij ligji vjen nga fakti se partitë politike po i frikësohen një ligji të tillë para të cilit duhet t’i japin më shumë llogari shtetit. Analisti politik Gani Qarri konsideron se ky është një precedent që ndodh vetëm në shtetin e Kosovës, prandaj është koha e fundit që kjo çështje të alarmohet. “Kaluan afro 19 vjet nga çlirimi dhe më se 10 sosh nga shpallja e pavarësisë së shtetit tonë, që nga pas lufta e këtej partitë politike dhe pushtetarët më të lartë të shtetit, pa asnjë lloj kontrolli dhe transparence publike, krijuan monopolet e veta të dyshimta mbi bizneset më fitimprurëse dhe janë shndërruar në figurat kryesore të zhvillimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Ndaj, është koha e fundit, kur Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës do të duhej të inicionin nxjerrjen e një ligjit të qartë, i cili do t’i obligonte të gjitha partitë pa dallim, për përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Zvarritja e qëllimshme

Ish-anëtari i KQZ-së Blerim Burjani, njohës i afërt i kësaj fushe, thotë se politika si e tërë është kundër një ligji të tillë, sepse ligji për partitë, nëse do të bazohej në standard evropiane, do të duhej t’u jepte fund partive që janë mbi rendin dhe ligjin, mbi qytetarin dhe sundimin ndaj tij në mënyrë kriminale e të pamëshirshme. “Prandaj, ky ligj me qëllim po prolongohet dhe nuk po nxirret, sepse nga moment i nxjerrjes së një ligji të tillë, partitë politike duhet të japin përgjegjësi shumë të sakta për verimet e tyre , llogaridhënie të plotë për financat, për donatorët e tyre. Do të përcaktoheshin me ligj kriteret e kandidimit për të qeverisur me institucionet dhe nuk do të mund të kandidoheshin bashibozukë”, potencoi Burjani.

Sipas tij, ky ligj duhet të vendosë kritere shumë të ashpra se kush mund të kandidohet e kush jo, kritere të qarta për partitë. “Me këtë ligj ato parti politike, që nuk veprojnë me Kushtetutën, do të çregjistroheshin nga regjistri i partive politike. Regjistrimi i partive nuk mund të bëhet më në KQZ, por vetëm në gjykata , jo me regjistrim administrativ dhe pa përgjegjësi totale sikur deri më tani, ku nuk po përfillen fare as vendimet e KQZ-së. Këto janë defekte të mëdha ligjore, që krijojnë tash për tash mundësi për shumë veprime antikushtetuese, kurse për të njëjtët, partitë politike me ligj të ri do të çregjistroheshin menjëherë, ashtu siç i kanë të përcaktuara sanksionet të gjitha shtetet e tjera në rajon, sikur e ka edhe Sllovenia dhe shtetet e tjera të BE-së”,tha Burjani për “Kosova Sot”.

FIDANISHTJA

Legjislatura e kompromentuar

Mungesa e vullnetit të politikës për ballafaqim me shtetin ligjor është arsyeja kryesore që politika nuk po arrin ta bëjë një ligj të tillë, edhe sipas analistit Ragip Guraziut. “Po shihet ashiqare që edhe kjo legjislaturë e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, as Qeveria, nuk po planifikojnë ta iniciojnë, ta nxjerrin për miratim në Kuvend ligjin për partitë politike, një ligj të ri të bazuar në Kushtetutë, të hartuar sipas normave më të avancuara të shteteve demokratike, që definon saktë rolin dhe përgjegjësinë e partive politike, për respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit. Nuk ka pengesë tjetër në inicimin e këtij ligji, përveç faktit se të gjitha partitë politike, si pozita si opozita që po heshtin, po i frikësohen një ligji të tillë, para të cilit duhet t’i japin më shumë llogari shtetit”, u shpreh ai. “Le të kuptojmë se pa një ligj të definuar, që e rregullon fushëveprimin e saktë të partive politike, gjendja do të vazhdojë të jetë akoma më kaotike, dhe partitë do të vazhdojnë të shndërrohen në klientela akoma më kriminale të matrapazllëkut politik, ose de fakto në korporata të krimit”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Lakmia për jetëgjatësi kriminale në zhvatjen dhe abuzimin me institucionet e shtetit, nuk e lejon politikën ta bëjë një ligj të tillë, edhe sipas analistit Ali Hertica. “Në shtetin e brishtë të Kosovës akoma janë të lidhura ngushtë politika dhe paraja. Politika dhe fondet janë të lidhura ngushtë midis tyre, madje edhe fondet e financimit të dyshimtë nga paratë e pista, nga të cilat mbijetojnë partitë politike”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo praktikë e funksionimit të egër të partive politike është në kundërshtim të plotë me normat e një demokracie pluraliste.

(Kosova Sot)