Fundamenti

Po vjen koha e Avdulla Hotit, siç kishte ardhur koha e Ibrahim Rugovës?

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Gani Sadiku – Duket se në Kosovë ka munguar alternativa qeverisëse, për të cilën shqiptarët kanë ëndërruar një kohë të gjatë. Thonë se koha i sjell njerëzit e mëdhenj, dhe se ata vinë pa i vërejtur fare. Nëse ashtu është, unë them se koha po vjen bashkë me njerëzit e shpresës. Partitë politike të dala nga krahu i luftës, në secilën palë zgjedhje deri më sot, ishin të ndara dhe të shpërndara, që proklamonin vlerat e luftës jo për ta bërë shtetin, e për ta pasuruar qytetarin, por për ta përvetësuar pushtetin që pastaj me varfërue qytetarin.

Ai krah i pasivizoi qytetarët e vendit duke sjellur pesimizmin dhe duke shpërfaqur pamundësinë e ndryshimit të gjendjes aktuale. Në këtë mënyrë komandantët e ndryshëm pasuroheshin çdo ditë me levën e pushtetit në dëm të vendit. Kjo klasë politike, tashmë e ka njohur dështimin por që ende nuk ofron largimin. Kjo klasë politike, e korruptuar dhe e kriminalizuar, solli mungesën e mundësive të reja, mungesën e të ardhurave dhe ardhmërisë.

Prej pavarësisë e këndej zbrazi Kosovën nga të rinjët, që në statistikë janë vetëm numra, por në jetën e përditshme, janë ardhmëria e një vendi. Sollën një kohë prej nga e ardhmja nuk mundë të fillojë për askënd.

Në vend se të krijojnë profesionistë të profileve të ndryshme për ti mbajtur prodhimet industriale, krijuan profesionistë dhe ekspertë të propagandës së pushtetit të tyre dhe kuadro të kualifikuar për të ikur jashtë. Ata nuk krijuan mundësi të punës për biznese, duke u kërkuar favore dhe haraç secilit biznes që lakmonte fuçinë punëtore dhe urtësinë popullore në këtë vend. Largimi i bizneseve po ashtu signifikon dhe amplifikon largimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre.

ARKATANA

Ata krijuan një parodi të “kapitalizmit të xhungllës”, duke krijuar një shtet të dështuar, që funksionon si një korporatë favoresh dhe allashvereshesh për ta. Defuturizuan rininë dhe sollën të riun deri në mentalitetin e një “robi”, që shtetin e shohin vetëm si shtet i të fortëve dhe qytetarin si të dobët dhe të shitur, i aftë për të krijuar vetëm marrëdhënie indiferente, me raporte nënshtruese.

Ata, në vend se të krijojnë shtetin e së drejtës, krijuan pushtetin e së padrejtës, për t’i tërhequr fijet, të cilat kontrollojnë marionetat e shtetit. Sot qytetari me mentalitetin e “robit” sillet sikur lepuri në mes të hienave, i zhveshur nga lëkura e tij, i zhvatur e i varfëruar të cilin çdo ditë e vrasin faturat e papërballueshme të jetës së tij. Tani kur “krahu i luftës”, janë bërë bashkë, qytetari e ka të kristalizuar si kurrë më parë rrugën e ecjes drejt heqjes së konçensionarizmit të jetës dhe arrogancës së shtetit. Në duhet ti përkrahim njerëzit e së ardhmes të cilët shtetin e shohin si një aparat shoqërorë për rregullimin, harmonizimin, mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së çdo qytetari, jo aparat konçensional për mbrojtjen e oligakëve dhe klaneve të tyre.

Është koha e ndryshimeve të mëdha, sepse e keqja që të ka çuar deri në greminë, s’mundet të jetë e njëjta që të ofron zgjidhjen tani. Po vjen koha e rinisë, e brezit të artë, e njerëzve të ditur, e atyre që kurrë nuk rreshtin duke punuar për shtetin dhe idealin. Po vjen koha e Avdulla Hotit tani, siç erdhi koha e Rugovës dikur, bashkë me shpresën e çdo qytetari./rajonipress/