Vllaznia e Pozheranit shkruan historinë
Gjilan – Qyteza dhe skuadra e Vllaznisë së Pozheranit kanë shkruar historinë e tyre futbollistike, duke u bërë anëtare e Superligës së Kosovës në futboll pasi në ndeshjen e barazhit të zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta”, në Mitrovicë me penalti ka mposhtur Ferizajin.
Puna profesionale e trajnerit, Sallah Sherifi, ka bërë që kjo skuadër me strukturat udhëheqëse të skuadrës së Vllaznisë, që nga themelimi i saj për herë të parë të shkruajnë historinë me shkronja të arta.
Tifozët e dy skuadrave “Tigrat” e Vllaznisë dhe “Ujqit” e Ferizajit, përgjatë 120 minutave asnjëherë nuk janë ndalur duke i përkrahur ekipet e tyre. Futbollistët e Ferizajit në minutën e 16-të, godasin pingulen e Jaser Bajramit, ishte Kuka i cili nga 8 metra godet pingulen.
Në pjesën e dytë zëvendësuesi, Mensur Livoreka i Vllaznisë për pak sa nuk shënon nga 16 metra.
Ferizajasit kanë mundur shumë lehtë në minutën e 90-të, të shënojnë nëpërmjet Kukës, topi i tij devijohet duke goditur pingulen e Bajramit të Vllaznisë.
Në kohën e vazhdimeve në minutën e 97-të, Brruti pason një top tek Ferati i cili shënon duke sjell “tërmet” tek tifozët e tij “Tigrat”.
Futbollistët e Ferizajit arrijnë të barazojnë pas gabimeve të mbrojtjes së Vllaznisë, ishte Enis Kuka i cili jep shpresë edhe njëherë për skuadrën e tij.
“Trilleri” futbollistik ishte në ekzekutimin e penaltive.
Në radhët e Ferizajit shënojnë Shabani e Tërshana ndërsa dështojnë Bushi, Kuka e Salihu.
Tek skuadra e Vllaznisë, Ferati dështon, Brruti shënon, Maroci dështon, Sylejmani shënon, ndërsa penaltinë e jetës e shënon futbollisti nga Maqedonia, Kallaba i cili shkruan histori për skuadrën e Vllaznisë.
Trajneri i Vllaznisë Sallah Sherifi pas fitorës nuk mund ti kontrollonte emocionet e tij nga gëzimi.
“Që nga fillimi i kampionatit kemi treguar se kemi kualitet, këta djema janë heronjët e skuadrës së Vllaznimit dhe qytezës së Pozheranit, ne kemi festë dhe do të festojmë gjerë në orët e hershme të mëngjesit”./rajonipress/


