Fundamenti

Nexhat Orana, na ishte një veprimtar i madh i arsimit shqip

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Nexhat Orana është i lindur në vitin 1930 në Gjilan. Rrjedh nga një familje arsimdashëse me tradita patriotike. Për veprimtari kombëtare e liridashëse, i ati, Ibrahimi, u likuidua nga njësitë partizano-çetnike në vitin 1944-45, kurse vëllai më i madh i tij, Halimi, mësues i paraluftës, me procedurë të shpejtë është dënuar me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Beogradit dhe u pushkatua në vitin 1947.

Arsimi ynë shqiptar, edhe më herët ka pasur figura të njohura të dijes e të diturisë. Të tilla figura e veprimtarë nuk i ka dashur okupuesi i huaj. Ai (okupuesi) gjithmonë veprimtarët e ditur i ka përcjellur dhe, në disa momente, edhe i ka likuiduar apo edhe larguar nga puna. Dihet mirëfilli se, i huaji kurrë nuk ka dashur që veprimtarët e kombit tonë të ecin përpara. E kanë dashur një arsimim jo në nivel, sa për t’u arsyetuar para botës se, populli shqiptar i gëzon (gati) të gjitha të drejtat! Kjo ishte një politikë shoviniste serbe, e cila, arsimin shqip përherë e ka shtypur për të mos ecur përpara. Edhe në këtë “trysni” të rëndë kohe, ka pasur shkollarë shqiptarë që kanë ecur përpara, duke mos u gjunjëzuar asnjëherë para një politike shoviniste serbe. Jo vetëm kaq.

Familja Orana ka dhënë figura të njohura të arsimit të kombit tonë. Ajo është krenare me disa personalitete të dalluara të arsimit shqip, të cilat figura, sot i njeh dhe i respekton populli ynë. Është i njohur Halim Orana, një figurë atdhetare dhe arsimore. Mandej, na është Isane Orana, një profesoreshë e zonja dhe e dalluar e Gjimnazit “Z. Hajdini” të Gjilanit. Etj., etj.

Nexhat Orana është i lindur në vitin 1930 në Gjilan. Rrjedh nga një familje arsimdashëse me tradita patriotike. Për veprimtari kombëtare e liridashëse, i ati, Ibrahimi, u likuidua nga njësitë partizano-çetnike në vitin 1944-45, kurse vëllai më i madh i tij, Halimi, mësues i paraluftës, me procedurë të shpejtë është dënuar me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Beogradit dhe u pushkatua në vitin 1947.

Nexhat Orana, shkollën fillore e kreun në vendlindje, kurse në klasën e shtatë gjimnaz është përjashtuar nga gjimnazi për bindje kombëtare e demokratike. Dhe, ma vonë, ai i vazhdoi mësimet në Mitrovicë e Prishtinë. Për talentin e tij të dalluar për shkencat ekzakte, veçmas për matematikë, ai ishte njëri ndër të rrallët që paralelisht i regjistroi dhe i kreu me sukses të shkëlqyeshëm, dy ndër fakultetet më të vështira të dijes, si: Fakultetin e Elektroteknikës dhe Fakultetin e Shkencave Natyrore- Matematikore – Dega e matematikës në Beograd. Jo vetë kjo.

Mobi Casa

Në vitin 1980, Nexhat Orana dekorohet në shkencat teknike, më 1981 zgjidhet profesor ordinar e më 1986 profesor i Universitetit të Prishtinës.

Punën në arsim e filloi qysh herët. Pos tjerash, bashkë me Tahir Berishën, një veprimtar i arsimit, ata, te dy ishin të vetmit profesorë të Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan, por vazhdimisht nën mbikëqyrjen e organeve të UDB-ës dhe, gjatë aksionit të armëve, të dy janë përjashtuar nga procesi mësimor, e më vonë edhe janë larguar nga Gjilani.

Pastaj, Nexhati punoi inxhinier i elektronikës në Radio-stacionin e Shkupit e të Radio Prishtinës, në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe në Fakultetin Teknik të Prishtinës. Udhëhoqi punimet për montimin e raportit të parë në Kosovë e hartimin e elaboratit për ndërtimin dhe kompletimin e Radio-Televizionit të Prishtinës me pajisje teknike. Udhëhoqi Qendrën llogaritëse e Qendrën kompjuterike të Fakltetit Teknik në Prishtinë, e ndërkohë dha mësim edhe në Shkollat e Larte Teknike në Mitrovicë e Ferizaj, kurse ligjërata mbajti edhe në Beograd, Tiranë, Portorozh, Jahorinë, Maribor, Mokskë, Krakovë etj.

Ai ka qenë shfrytëzues i bursës amerikane të Fulbajtit dhe i kyçur në projektet afatgjata hulumtuese të Departamentit të elektrotekinës në Universitetin e Xhorxh Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është autor, koautor ose përkthyes i pesë teksteve profesionale dhe i gjashtë teksteve universitare e shkollore. Ky ishte Nexhat Orana, një veprimtar i madh i shkollës shqipe. Ai vdiq në Prishtinë në vitin 1996. Tash e 21 vjet më parë./tefik selimi/rajonipress/