ARKATANA

Drejtësia kosovare, rekord për padrejtësi

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se nëse në Kosovë ka rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura, pra dosje në prokurori dhe në gjykata, atëherë duke marrë parasysh se në çdo lëndë ka palë ndërgjyqësie, dhe palët nuk janë vetëm individë, por familjarë na rezulton se pothuajse e gjithë Kosova, qytetarët e saj qenkan në gjyq.

Andaj, sipas tyre, Kosova pashmangshëm duhet t’i nënshtrohet një procesi të reformimit në sistemin e drejtësisë, i cili duhet të jetë proces që i përfshin të gjitha nivelet e pushtetit. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se përse as pse Kuvendi i Kosovës nuk diskuton për drejtësinë dhe reformat në drejtësi dhe që institucionet e vendit ta kenë interes parësor forcimin e zbatimit të ligjit, pavarësimin e plotë edhe real të gjyqësorit dhe të prokurorisë? Analisti Skënder Kapiti ka thënë se nëse në Kosovë ka rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura, pra dosje në prokurori dhe në gjykata, atëherë, duke marrë parasysh se në çdo lëndë ka palë ndërgjyqësie, dhe palët nuk janë vetëm individë, por familjarë, na rezulton se pothuajse e gjithë Kosova, qytetarët e saj qenkan në gjyq. Sipas tij, Kosova mbaka kështu rekord botëror, duke ia kaluar edhe Shqipërisë, ku padrejtësitë dhe degradimi i sistemit politik dhe drejtësisë i paska dërguar pothuaj të gjithë qytetarët e saj nëpër dyert e gjykatave.

Mungon besimi te sistemi

Kapiti thotë se rezulton se nëpër dyert e drejtësisë nuk paskan punë vetëm politikanët, gjyqtarët dhe qeveritarët, derisa, siç tha, ” këtë e vulos dhe e vërteton fakti se prandaj edhe mbi 90 % e qytetarëve shqiptarë, si në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk kanë besim te drejtësia. Pra, 10- përqindëshi, i cili ‘beson’ te drejtësia janë pikërisht ata të cilët përfitojnë nga drejtësia e kapur dhe e privatizuar prej tyre. Prandaj, edhe nuk e dëshirojnë reformën dhe VETTING- un në drejtësi as parlamentarët, as qeveritarët, as gjyqtarët, prokurorët, as avokatët dhe as matrapazët e sekserët e politikës dhe të drejtësisë, pasi këta janë edhe matrapazët e drejtësisë, të kontrabandës dhe të shitjes e të ankandit me ligjin, drejtësinë, me korrupsionin e ryshfetin, duke e fituar të drejtën ata të cilët janë të fortë, oligarko- mafia, si dhe ata të cilët paguajnë më shumë”, vijoi më tutje ai. “Pra, KY 10- PËRQINDËSH E KA PRONËSUAR EDHE POLITIKËN, EDHE DREJTËSINË, EDHE AUTORITETIN E PRIVILEGJIN, EDHE EKONOMINË, dhe si e tillë kjo korporatokraci kurrë me vullnetin e saj nuk e bën reformën në drejtësi, por duhet një presion i madh nga shoqëria dhe nga faktori ndërkombëtar, kryesisht nga SHBA-ja, që ta detyrojnë politikën dhe Parlamentin e Kosovës për ta miratuar Ligjin e VETTING- ut, pra duhet bërë pikërisht kjo, e cila u krye edhe në Shqipëri. Pa i bërë gjyqin drejtësisë së padrejtësive, pa pastrimin dhe ndëshkimin ligjor të atyre të fortëve që shkelin dhe abuzojnë rëndë me ligjin dhe drejtësinë, e që janë ata të cilët janë ngarkuar dhe paguhen për të miratuar ligje, të atyre që paguhen për ekzekutimin e tyre, si dhe të atyre të cilët japin vendimmarrje në emër të ligjit dhe të Republikës, kurrë nuk do të ketë drejtësi, kurrë nuk do të funksionojë as ligji, as demokracia, as shteti dhe as shoqëria”, theksoi për “Kosova Sot”, Kapiti.

Mbi 400 mijë lëndë të pazgjidhura

Uji Dea

Analisti Naim Miftari thotë se për mospunën e organeve tona gjyqësore më së miri flasin mbi 420.000 lëndë të pazgjedhura, lëndë që flenë në gjumë letargjik nëpër sirtarët e gjykatave dhe prokurorive të shtetit të Kosovës, derisa, siç tha, kjo s’do koment mbi 420.000 persona, pa llogaritur familjarët e tyre, që kalon 1 milion banor, tanë kanë mbetur pa drejtësi, ku kjo e kalon 50% e popullatës së tërë Kosovës. ” Vetëm ky shembull tregon se pse jemi vrimë e zezë në Evropë, kjo tregon po ashtu pse jemi të izoluar, të varfër dhe popull dhe shtet pa SHPRESË, shtet i korruptuar, ku sot të leverdis të jetosh në Kosovë vetëm si politikan, pushtetar dhe njeri i korruptuar, i lidhur me mafinë politike të Kosovës, mafi e cila kontrollon shtetin, gjyqësinë, policinë, prokurorinë, inteligjencën, Parlamentin, komunat, firmat shoqërore, universitete, etj.”, u shpreh ai. “Dhe, normal, me një “shtet” të kapur nga mafia politike (krimi i organizuar) tentimet për VETING nuk vijnë as në rend të ditës, edhe kur flitet për luftën kundër krimit të organizuar flitet në disa mbledhje, konferenca, debate, por edhe ato mbledhje i kryesojnë njerëzit, pushtetarët e korruptuar, pastaj Kosova i ka të korruptuara edhe sindikatat e punëtorëve, ku nuk mbrohet e drejta e punëtorit tonë, i cili sot trajtohet si skllav i shekullit 21. Po ashtu korrupsioni i ka kapur edhe OJQ- të, që shumica janë të korruptuara dhe janë dorë e zgjatur e pushtetit dhe politikës së korruptuar të lidhur ngushtë me mafinë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.

Kuvendi të iniciojë reformën

Analisti Naim Kelmendi ka veçuar se Kosova pashmangshëm duhet t’i nënshtrohet një procesi të reformimit në sistemin e drejtësisë, i cili duhet të jetë proces që i përfshin të gjitha nivelet e pushtetit, derisa, sipas tij, kjo veç të tjerash edhe për faktin kur dihet që janë rreth 400 mijë lëndë akoma të pazgjidhura, që është çereku i popullatës dhe të cilat po rriten në vazhdimësi e nuk po zvogëlohen. “Andaj, Parlamenti i ri i Kosovës, legjislatura e gjashtë, si institucioni kryesor legjislativ në vend duhet të inkuadrohet në reformimin e sistemit të drejtësisë, e sidomos duke e përgatitur bazën ligjore për reforma, por edhe duke e kontrolluar Qeverinë në atë mënyrë që t’ia pamundësojë ndërhyrjen apo ndikimin në zgjedhjen e emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po ashtu t’ia pamundësojë ndikimin dhe ndërhyrjen në vendimmarrje, sidomos në rastet që kanë të bëjnë me krim të organizuar, korrupsion, pastaj çështjen e bartjes së pronave si dhe veprave të tjera, të cilat konsiderohen si të kualifikuara, dhe që zakonisht kryhen nga politikanët apo njerëz të veshur me petkun shtetëror”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu ka nënvizuar se është evidente fatkeqësisht se në segmente të konsideruara të drejtësisë që hallkat e ndryshme, tepër të rëndë- sishme për vitalizimin dhe funksionalizimin e gjyqësorit dhe të drejtësisë përgjithësisht në sistem pas reformimeve që janë bërë si përpjekje që nga pas lufta e këndej nuk kanë dhënë rezultatet e duhura, derisa, sipas tij, është evidente se nuk ka thjesht kredibilitet dhe kapacitet profesional që të ndiqen dhe elaborohen, përkatësisht të trajtohen, procedohen dhe të përfundohen rastet e ndërlikuara, rastet që kanë të bëjnë me njerëz të caktuar të fuqishëm qoftë nga politika, apo nga parapolitika, ose nga grupet e ndryshme të një autoriteti formal e jo formal. “Pra, nuk ka as gatishmëri dhe as kurajë e guxim për t’i marrë dhe për t’i konstatuar ato raste, për t’i gjykuar dhe për t’i trajtuar me kompetencë dhe drejtësi të plotë”, theksoi Baraliu për “Kosova Sot.” Sipas tij, shkalla e besueshmërisë ka rënë përgjithësisht në institucionet e drejtësisë dhe kudo tjetër.

(Kosova Sot)