Ajeti afër t’i bashkohet Abrashit në skuadër
Divorci mes Ajetit dhe Torinos është thuajse i sigurt dhe pritet vetëm hapja e merkatos së transferimeve për ta zyrtarizuar. Shqiptari ishte i pafat në Serinë A me këtë skuadër, pasi dëmtimet e shumta e kanë lënë jashtë fushave për një periudhë të gjatë dhe në ato raste që ka pasur besimin e trajnerit Mihajloviç e ka shpërdoruar.
Kjo u ka hapur udhë diskutimeve në merkato. Sipas mediave italiane, por edhe sajteve informative të ndryshme në Gjermani, Fraiburgu është duke punuar në avancë për një ofertë konkrete në adresë të mbrojtësit kuqezi.
Sipas njoftimeve në mediat pranë skuadrës së Torinos, bëhet fjalë për një ofertë prej dy milionë eurosh që skuadra e Bundesligës Gjermane është e gatshme të ofrojë për shërbimet e Ajetit.
Ai do të gjejë në këtë skuadër mikpritjen e shokut të skuadrës në Kombëtare, Amir Abrashit. Dyshja e shqiptarëve do të nisnin punën së bashku për të luajtur në Europa Ligë.


