U përurua vepra e “Arsyeja dhe virtyti”, autor Ibrahim Kalin nga Turqia
Gjilan – Në ambientet e medreses “Alaudin” në Gjilan, sot para një numri jo aq të madh të adhuruesve të librit, u bë përurimi i veprës “Arsyeja dhe virtyti” prej studiuesit dhe krijuesit Ibrahim Kalin, doktor i shkencave humane dhe i filozofisë krahasimtare nga Turqia. Përndryshe, Ibrahim Kalin është autor i dhjetëra veprave voluminoze me trajtesa dhe studime të fushave të ndryshme të dijes.
Fillimisht, fjalën e parë të këtij evenimenti kulturor e pati Selim Selimi, profesor, i cili tha se, autori Ibrahim Kalin është njëra nga figurat mjaft të njohura në veprimtarinë humaniste në Turqi. ”Ky autor është i njohur në opinionin turk dhe në opinionin botëror jo vetëm si palitikan dhe studiues bashkëkohor, por është i njohur edhe si shkrimtar i shumë punimeve në gjuhën angleze, i cili ka bërë një bujë të madhe në opinionin vendor dhe ndërkombëtar, ku njihet si diplomat, kritik, shkrimtar, filozof, mendimtar etj. Ai (I. Kalin), me veti morale e me cilësi njerëzore është bërë armik i injorancës. Me fjalë të tjera, ai e ka një opinion se shoqëria nuk mund të jetojë pa dituri dhe pa njohje të kaluarës historike e kulturore”.
Nexhat Rexha, profesor dhe kritik letrar ka shtuar se, njeriu i qytetëruar, duke krijuar ekzistencën e tij më të rëndësishme, ka shkrirë në përhapjen edhe mendimin e tij pa imponim të detyrave, për botën ku ai ka vepruar, e thith përditshmërinë e tij si kapital njerëzor dhe familjar. “Ibrahim Kalin në librin e tij “Arsyeja dhe virtyti”, ka shpalosur ide e depërtime të theksuara, të cilat janë konkretizuara në shfaqjen e të ndodhurave nëpër shekuj. Vepra e I. Kalin “Arsyeja dhe virtyti, në brendi të faqeve të saja ka të shtjelluara, gërshetuara dhjetë kapituj, në të cilët autori ka stigmatizuar me elokuencë çdo kapitull. Në këto ndarje e trajtimesh mendimi dhe idetë kanë një trajtueshmëri shkencore, me të cilat lidhen kohët e ngjarjet për të cilat autori ka piketuar saktësimin sa më të avancuar, gjithnjë duke i dhënë frymën e lirë edhe për lexuesin.
N. Rexha shton edhe këtë se, “kur është fjala tek mendimi ofrues dhe Kur-anin apo Biblën, ai afron njeriun kah paqja dhe botëkuptimi sa më i lirë shpirtëror, edhe pse vetë jeta e popujve ka krijuar realitete në mbështetje të këtyre udhëzimeve, të cilat në vetë bartin realen dhe filozofinë e dukshme dhe filozofinë kërkimore në jetën e njeriut. Kjo vepër, siç dihet, përherë të parë botohet në Stamboll në vitin 2013, kështu përkthimi i tij nga turqishtja në gjuhën shqipe vjen me zell, aftësi e mjeshtri nga Metin Izeti, i cili librit i ka dhënë afërsi për lexim, kuptim, qartësi e mundësi për të kuptuar mesazhin brenda kopertonave edhe si fjalë e lirë shqipe, edhe si figurë metaforike. Në fund, N. Rexha shtoi se, “libri i Ibrahim Kalin bën pjesë ndër librat e rrallë që i qëndrojnë kohëve, sepse brenda kopertinave ka funksion dhe mendim të thellë shkencor”.
Ndërsa, Mr. Mirlind Behluli, master i shkencave politike nga Lubishta e Vitisë, por student në Turqi, tha se, Ibrahim Kelin na vjen në gjuhën shqipe dhe e pasuron bibliotekën shqiptare edhe me një libër filozofik, cili flet për vetëpërcaktimin ontologjik të homo’islamicus-it në botën moderne. “Sikur edhe në librat e mëparshëm të autorit, edhe ky libër u përkthye nga Shtëpia Botuese Logos-A. Vetë autori që nga faqet e para të librit tregon se ky libër është përpjekje për të mbushur mjedisin e zbrazur filozofik në përgjithësi dhe atë të nënqiellit, musliman ne veçanti. Kjo mungesë e gjatë e debatit mbi qenien dhe rendet e ekzistencës ka realizuar në një vetmi ekzistenciale dhe prishtje balancash në shoqëri dhe kosmoz. Autori thekson se “qytetërimi, si tërësi e vlerave kolektive, konsiderohet si gjendje dhe shkallë që në thelb është racionale dhe që shpreh vlera me të cilat njeriu dallohet nga gjallesat e tjera (f.163)”.
Sylejman Çerkezi, profesor tha se, libri, që sot po e përurojmë, ka vlera të mëdha jo vetëm mendimtare, filozofike, por ka edhe vlera njohëse dhe shkencore. “Tek ne ekziston një pyetje: Kush është njeriu?! A dimë këtë përgjigje? Sigurisht se po apo tjetër. Njeriu është vlerë e pakontestueshme në botë. Ky njeri komunikon, ka vlera, por ky njeri krijon edhe vepra për ta dashur e vlerësuar. A e dini pse e duam apo na duan të tjerët? Këtu është virtyti i njeriut ose arsyeja pse duhet njeriu ynë. Ky njeri krijon miqësi në mes njerëzve apo shoqërisë. Këtu lind filozofia politike, ajo që e njeh vetën e tij, por i njeh edhe të tjerët. Me një fjalë, autori, i cili na mungon, me këtë vepër sikur po e shpërfaq një ide me vlera universale e bashkëkohore për njeriun tonë të sotëm”. Libri ka 533 faqe tekst./tefik selimi/rajonipress/


