Kadriu: Vota e dalur jashtë Gjilanit dhe Anamoravës, është votë që vështirë përkthehet në përfaqësim të denjë
Gjilan – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Gjilan, vazhdon fuqishëm të mobilizohet për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit nëpër të gjitha lagjet dhe fshatrat e Gjilanit. Në vazhdën e takimeve gjithandej komunës së Gjilanit me struktura të saj, AAK mbrëmë takoi edhe banorët e Kmetovcit. Kosova pret ditë të mira, mirëqenie për qytetarët dhe zhvillim ekonomik, vlerësuan banorët e Kmetovcit.
Rexhep Kadriu, kryetar i AAK-së në Gjilan, dhe kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, tha se edhe Kmetovci njihet me punën dhe angazhimin tim si nënkryetar i komunës së Gjilanit. Gjithandej komunës kemi realizuar projekte që në shikim të parë dukeshin të parealizueshme.
“Në bashkëqeverisje në Gjilan, së bashku me dy drejtorët nga radhët e AAK-s, Nazim Gagica dhe Agim Zuzaku, përpos që i kemi tejkaluar parashikimet tona për punë në të mirë të qytetarëve, kemi dhënë një shembull të mirë edhe për komunat tjera të Kosovës me risitë që kemi bërë. Ne sot kemi një zonë zgjedhore dhe qytetarët tanë duhet të kenë kujdes të shtuar se kënd po e përkrahin. Vota e dalur jashtë Gjilanit dhe Anamoravës, është votë që vështirë të përkthehet për përfaqësim të denjë”, tha Rexhep Kadriu.
Gjilani ka kandidat serioz, që kanë dëshmuar pjekuri në qeverisje, në projekte të ndryshme që kanë prekë thuajse tek çdo qytetarë, familje dhe lagje të qytetit, andaj vota juaj duhet të shkoj për kandidatët tanë nga Gjilani sepse nesër e keni më lehtë të kërkoni llogari nga ata. Vota juaj për Rexhep Kadriun, Ahmet Isufin dhe Magbule Shkodrën sot, do të thotë investim për Gjilanin, për Anamoravën dhe për Kosovën”, përfundoi Kadriu.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ne qendër, njeherit edhe kandidat për deputet, Ahmet Isufi tha se po takohemi me struktura te AAK-se me qellim te mobilizimit për zgjedhjet e 11 qershorit. Zgjedhjet e parakohshme na u imponuan për shkak se u pa qe qeveria ne ikje kishte mungese te projekteve, mungese te guximit por edhe te dijes për me i realizuar disa projekte për te cilat ka nevoje qytetari.
“Mungesa e Ramush Haradinajt ne Kosove, për shkaqe tanimë te njohura për te gjithë, ka krijuar një boshllëk ne politiken e Kosovës, rrjedhimisht i ka munguar proceseve ne Kosove. Fatmirësisht, sot Kosova ka një kandidat për kryeministër si Ramushin, njeri i cili ashtu siç ka qene i vendosur për me mbrojte popullin ne rrethana lufte, tani është edhe me i vendosur për ta integruar Kosovën ne struktura ndërkombëtare, ne kohe paqeje”, tha Ahmet Isufi.
Koha e dëshmoi se opozita ne kuvend kishte te drejte për kundërshtimin e marrëveshjeve te arritura përkitazi me shënimin e kufirit me Malin e Zi. “Qeveria e pas 12 qershorit, ne krye me Ramush Haradinaj kryeministër, këtyre temave te mëdha për Kosovën, do ti jap zgjidhjen e duhur, pa u dëmtuar as qytetari, as Kosova, madje as edhe një nen i vetëm i Kushtetutës se Kosovës”, shtoi Isufi.
Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatët e saj, qoftë ata për deputet, por edhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, po vlerësohen si një fillim i mbarë për realizimin e projekteve të rëndësishme për shtetin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e tij./rajonipress/


