Vjen një yll
Poezi nga Avdush Canaj
Yjet m`i lënë pizhamet
mbi shtrat si gjinkallave
e karamelen e gjumit
nën jastëk të përrallave.
Pa pritur vjen një yll i vogël
me kapelë hënore,
kopshtijeve të ëndrrës
më shetitë përdore.
N`ballkon të një kënge
diçka në vesh më flet,
më lexon vargje shpirti
për yllushen e vet.
Yllushja e sheh pa dylbi,
mbi rrushin ëmbëlush,
i buzëqesh zemra si hënës:
Jam dritëza yte, yllush.


