Selimi për rastin e Surinamit: Serbia po sulmon në prag të 10-vjetorit të shtetit të Kosovës
Akt të pazakontë dhe propagandistik të Serbisë po e quan ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, pretendimin e shtetit serb se Surinami ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës. Zyrtarë nga Kosova thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje nëse është marrë një vendim i tillë. Gazeta Express ka nisur pyetje në qeverinë e Surinamit për të konfirmuar ose mohuar vendimin në fjalë. E deri më tani ende asgjë e re përveç pretendimeve të Serbisë.
Ish-zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thotë se nuk ka informata nëse Surinami është tërhequr nga njohja e tij për Kosovën, por sqaron se krejt kjo po bëhet në prag të shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së vendit. Ndër tjerash, Selimi madje e quan edhe një akt të pazakontë, mundësinë që Surinami ta ketë marrë këtë vendim.
“Serbia në prag të 10-vjetorit të pavarësisë të Republikës do të tentojë ta godasë Kosovën me propagandë dhe akte që sjellin mëdyshje në projektin e Kosovës Republikë. Nuk e di nëse Surinami ka tërhequr njohjen. Ndoshta është akt i pazakontë, por efekti propagandistik dhe medial është ajo që kërkon Serbia e jo ligjshmëri ndërkombëtare”, ka thënë Selimi.
Duke folur për pretendimet e Serbisë, për gjoja se Surinami, shteti më i vogël i Amerikës Jugore e ka tërhequr njohjen për Kosovës, Selimi kujton edhe një rast të ngjashëm kur një ministër serb kishte deklaruar për disa tërheqje tjera, e që dolën të ishin jo të vërteta.
“Edhe më 2011, ish-ministri serb Jeremiq pati deklaruar se Omani dhe Guinea kanë anuluar pavarësinë, por kjo doli e pavërtetë dhe puro propagandë serbe. Mendoj se në shumë vende në botë sot për shkak të polarizimit në mes Rusisë dhe Perëndimit, ka fluiditet në marrëdhënie ndërkombëtare dhe ndryshimi i qeverive mund të sjellë edhe te ndryshimi i qëndrimeve”, është shprehur Selimi për Express.
Ishte ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ditë më parë prezantoi një dokument ku flitet për revokimin e njohjes së pavarësisë së “Kosovës dhe Metohisë”, por që zyrtarë nga Kosova mohojnë se kanë marrë një njoftim për këtë situatë.
Petrit Selimi këshillon autoritetet kosovare që në dy muajt e ardhshëm Kosova të fokusohet në festim të pavarësisë, forcim të kontakteve me shtete që na kanë njohur dhe lobim te një apo dy shtete që janë afër njohjes, që kjo të ndodhë sa më shpejt.
“Zëvendëskryeministri Pacolli ka eksperiencë të mirë në këtë fushë dhe shpresoj të përdorë rrjetin e miqve që ka Kosova në përforcim të pozitës sonë”, tha ai.
Gazeta Express gjatë dy ditëve të fundit i ka dërguar pyetje Misionit të Përhershëm të Surinamit në OKB dhe Qeverisë së Surinamit (që sipas Daçiq e ka marrë vendimin më 27 tetor për çnjohjen e Kosovës), për të pyetur nëse vërtet ka ndodhur kjo dhe nëse dokumenti për revokimin e pavarësisë që e ka publikuar diplomacia serbe në media, është autentik.
Sido që të jetë, as Misioni i Surinamit në OKB, që vitin e kaluar ia kishte dorëzuar vendimin për njohje ambasadores Vlora Çitaku, nuk u është përgjigjur pyetjeve me shkrim e as Qeveria e këtij vendi. /D.K/GazetaExpress/


