Plutokrati i ri i një oaze në veprimtarinë letrare
Nga Shefik Shkodra – Një shkrim denigrues nga denigruesi Sinan Sadiku, titulluar, “Degradimi i shprehjes poetike” për përmbledhjen antologjike “Zjarri poetik”, të botuar me 18 maj 2017, në portalin Rajoni press. Autori i “Zjarri-t poetik”, botim i Shtëpisë Botuese, Sogjetime, në Gjilan, përmbledhje prej njëzet e pesë poetëve të Dardanës (Kamenicës), nuk i përgjigjet artikullshkruesit shpifarak, veç si njoftim për lexuesit e nderuar. Kjo s’ka të bëjë fare me vlerësimin kompetent të krijimtarisë letrare e më së paku të poezisë. Ky shkrim është një shfryrje dufi e vjellje vreri në anormalen e një plutokrati provincial e diletant. Njeriu që sa më pak ka njohuri në disa mjeshtëri, shpejt u kridhet atyre thellësive, prej të cilave nuk mund të dalë lehtë.
Kur njeriu nuk ia di “hallin” veti
Unë i kam braktisur moti idhujt dhe ikonat. Ata kanë influencuar në çdo kohë diktaturash. Për mua janë vetëm emër kuptimi. Ishin mizoritë e shpirtit tim si të shumëkujt nga e kaluara. S’ka rëndësi nëse është bërë ky artikull me bashkautorë, i përgatitur apriori qëllimkeq. Nuk kuptohet ndryshe, kur vepra në fjalë vihet në thonjëza – “antologjia” si diçka pezhorative. Po të ishte pak i kthjelltë nuk do të m’i referonte ata që kanë bërë antologji më herët: “Shembull konkret e kemi Agim Vincën [çdo respekt për A. V.] i cili ka hartuar disa antologji dhe në asnjërën prej tyre nuk i ka ‘përfshirë’ poezitë e veta.” Më vjen mirë që ke arritur të mësosh, kush ka bërë antologji. Eh, shiko! Unë nuk kopjoj askënd, kjo është mania ime!
Megjithatë, shumë e qartë që edhe unë kam mundur të mos i “përfshijë” këtu poezitë e mia, por ja që i kam botuar. Dhe fare s’kam gabuar. Veç më duhet të them pa modesti para lexuesve, unë jam poet, ti jo! E sa shihet kurrë nuk do të bëhesh…! Dhe ti nuk je i vetmi që po merresh me punë që nuk të takojnë, sepse nuk di! Nuk përvetësohet as privatizohet me dhunë veprimtaria letrare e artistike.
Duke mos dashur t’i mohojë gabimet e rastit dhe ato teknike të këtij libri, si te çdo botim tjetër, konsideroj se ti nuk arrin për të këshilluar askënd. Para se të bëhesh “princ” i poezisë në Dardanë, madje kritik e shkencëtar – teoricien, siç e mendon veten, merre pak me gjakftohtësi çështjen. Nuk vlejnë vetëm shprehjet “degraduese” ndaj cilitdo vepër qoftë dhe autor. Duhet ta kuptosh se nuk je njeriu që varet sfera letrare nga ti e aq më pak poezia. Mos e shndërro në oazë Dardanën!
Nuk dëshiroj ta analizoj atë farë shkarravine, për sa radhë ke bërë, veç po të tregoj, se ti nuk ke relacion më të gjatë se Kamenicë – Gjilan, eventualisht Prishtinë. Unë nuk kam bërë antologji për vendasit të zë vend me poezitë e mia, të shtirem se jam më i ngrituri, më i vlershmi, më specialisti e i veçanti. Nuk kam pasur kurrfarë rivalësh, as klane. Nuk degradoj askënd, nuk masakroj asgjë. Përkundrazi. Po këto janë shpikjet tua me aleatët e tu të fshehtë. Unë kam shijen time letrare, jo hatrin.
Ndjenjat e pakontrolluara
Eh, u mor vesh ku të dhembë. Dhe vërtet unë kam faj, mos ta kam humbur pak pahen djalë. Pa qëllim. Ndoshta ti këtë e merr si shumë tragjike. E di, klubet letrare ty dhe disa të tjerëve ju kanë habitur dhe e mendoni veten se, krejt ata çka renditin fjalë në letër janë poetë, e ti më i shkëlqyeshmi e më i gjithëpushtetshmi. Së paku në Dardanë. Me tonelata janë shkruar libra qe njëzet-tridhjetë vjet në vendin tonë. Nuk dua të futem në vlerësimin e “veprave” tua e të disave, s’është koha dhe s’di çka të them për to.
Sa e ke pasur vrerin brenda nuk është hetuar, por kur të ka dalë në kokë është bërë i dëmshëm edhe përreth. Lexues të nderuar, atë që mund ta mësoni prej këtij Sinan Sadikut, është urrejtja nga smira. Asgjë tjetër. Kaq ka mësuar i përmenduri. Në vend se të përkrahet një punë si kjo antologji e vocërr për këtë rreth, ai derdh vrer mbi te. Nuk ke ti pendla për ta injoruar një punë të tillë. Vepra nuk çmohet për kah vëllimi…Hapësira është sipas shijes së atij që e përgatit dhe bën zgjedhjen. Titujt mbi poezitë e autorëve janë të mijtë dhe ti për këtë s’merr vesh! Nuk ka nevojë të m’i referosh autorët dhe veprat e tyre. Ata, ti ruaj për vete! Nuk di se çka do të thuash, jo “kthehemi edhe një herë” këtu e aty, me një përsëritje të një retorike të shtjerrë, duke kërkuar ndonjë pikë të shmangur apo të shtuar. Të gjitha këto që ke shkruar janë imitime, i ke mësuar përmendësh nga të tjerët. Nuk na ke sjellë asgjë të re! E sheh si bën “degradime” në emër të artit letrar e të shkencës, duke asgjësuar çdo fletë me tërbim!
Ke kërkuar që të mos prezantohesh në këtë vepër, pasi ta kam gjetur një “poezi”, sa për të mos lënë anash, meqë ke bërë disa veprime me klube letrare, pas asaj thirrje të kam hequr. Përpiqesh të bësh krahasime me atë e këtë, ti shijen time letrare s’ke aftësi të ma ndryshosh. Unë nuk jam ti. Dhe për fat të mirë, askënd nuk e emitoj. Ty s’po ta ndalon askush, ta përgatitësh një “antologji” të re, me “përzgjedhje” të poezive “të bukura”, të atyre që unë nuk i futa si të “merituar”, me kritere tuat e si di ti “stilist i hollë”. Beso, nuk do të më prishet qejfi. Por ti nuk ke arritur shkallë të dijes elementare në këtë fushë, sa ta kuptosh as këtë vëllim!
Emocionet me inate të largojnë nga gjendja normale, se, ndryshe do ta vlerësoje këtë punë, para se të përsëritësh fund e krye ofendime. Nuk kam pasur kurrfarë përfitimi, pos dëshirës dhe vullnetit tim që të bëj diçka për Dardanën. S’e kam ditur me kohë që ky “specialisti” me një vulë të shpikur nga ndonjë qatip-qiraxhi u bie si me sakicë të tjerëve. Me këtë “aftësi” të tebdil-insanit, sot u bërë inkuizitor bashkëkohor, si në monizëm ata të besueshmit e partisë që i ndiqnin letrarët. S’e kam ditur që këtë fakirin do ta prekë në sedër aq shumë, ndryshe s’është dashur të marrë rrugë kah Dardana, e lë më që të zhvillojë aktivitet letrar. As të përpiloj “antologji” poetike, e nulizuar nga ky “stilisti” e “eksperti” i pa identifikuar deri më tash.
Nuk më ka treguar fshehtas se, është aq i tronditur për atë që kam bërë unë me vullnet e dashuri, do ta braktisja këtë punë, apo do të botoheshin poezitë e tij më të “bukura” me katër pesë faqe libri. Do të shënoja se, ai është i pari në atë rrethinë si “poet, kritik e teoricien”. Po ti nuk deshe të botohen vargjet e tua nën firmën time, si jo (aq) ‘intelektual’ e i pa informuar, sidomos në lëmin e letërsisë, pikërisht në poezi si mendon ti.
*
Në shkrimin e letrës tënde shihet qartë se, ti jo që nuk e njeh letërsinë, po as me gjuhë nuk ke lidhje! Përmend figura stilistike, llojet e poezisë, e edhe ç’është ode, veç ke dëgjua diç nga të tjerët. Ti lexuesve ua përkujton edhe sintaksën: “Zakonisht hartuesit e antologjive në antologji nuk i përfshijnë poezitë e veta”. Lexojani ligjëratën e tij kush ka durim! S’është e vërtetë, i botojnë edhe tjerët. Po s’dua të sqaroj më shumë ty. Nuk e njohin njerëzia tipin, prandaj po shkruaj këto radhë se, ai kaq merr vesh në këtë aktivitet. Ti e di alfabetin dhe sot mund të shkarravitësh ku të duash e çka të duash.
*
Ti mos e prano, por unë po ta përkujtoj një porosi: Mos i dëgjo të gjithë çka të thonë. Ruaje pak etikë të njeriut! Kur takohesh me ndonjë dr. të “shkencës” (jo të gjithë) p. sh., ai do të lavdërojë për njohuritë tua në këtë drejtim, sepse edhe ai nuk di më shumë se ti; letrari që nuk e ka unin e vet, të ngazëllen se, ti je krijues i mirë, veç a ka mundësi të më ndihmosh (sigurisht në atë K. Letrar) për ndonjë botim; një “dashamir” tjetër përbri, cilido qoftë, të nxit: mirë e ke dhe bjeri “pantës” se edhe mua më ke në krah, të ndihmoj, shkruaj kundër…dhe tejkaloja me sharje e “degradime”!
Këtë degradime e futa në thonjëza, se të pëlqen ta përdorësh, si shprehje shumë fonike, a?! Nga sikleti i madh që të ka përla nuk di çka thua. Ma propozon “përzgjedhjen” e poetëve, numrin e tyre, numrin e poezive më “të bukura”, hapësirën (nuk di, mos e mendon me metër ky tipi). E vlerëson më mirë ti këtë e atë poet?! Na tregon se ai e ky kanë pasur njohuri të ndryshme. Shihe ti këtë “mësuesin” e vonuar! Pastaj i thërret autorët në bojkot. Ani më propozon ta pezulloj botimin?! Ev, ev! Po ti na qenke “rojtar” i mirë i poetëve të Dardanës. Aferim! Thirri të premten, Ditën e Pazarit, të gjithë ata që janë botuar në këtë antologji, nëse ata pajtohen me mendjen tënde, të siguroj se do të mendoj për pezullimin e botimit!
“Më i mirë se Halil Matoshi, se Bajram Kosumi…” (këtu ka dashur ta numërojë edhe veten – S. S.). Hë! Kompleksi dhe inati të shkatërron dhe ta humbë mendjen. Kur komunikon me të tjerët dhe për të tjerët duhet të qetësohesh pak. Ta marrësh vetën me të mirë. Ti i sistemon njerëzit me numër rendor, i pari, i dyti…, por je tepër inkompetent për këtë çështje. Veç sa i ngacmon edhe të tjerët pa nevojë. Ti mendon ashtu. Ti flet me ndonjë epitet negativ për personalitetin tim, prodhim subjektiv i egos tënde: nga ex çorodia à la narcissiane (sic.) Hë! dijetari drakonik! Tym e mjegull! Fatamorganë!… Hije…!Gurë e dhé!…
Do të kisha treguar shumë gjëra të tjera, po ti s’je i denjë të komunikosh me mua! Ti e ke mësuar përmendësh krejt mënyrën çka ke thënë. Ke emituar të tjerët, apo të kanë diktuar!…/rajonipress/

