Vettingu “herr” gjyqtarët, prokurorët e pushtetarët e korruptuar
Ndonëse Qeveria e re e Kosovës, e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e këtij viti, ka miratuar dhe dërguar në Kuvend planin legjislativ për këtë katërmujor deri në fund të vitit, në këtë plan nuk është paraparë edhe Ligji për Vettingun.
Analistët politikë, ekspertët e fushës së legjislacionit, konsiderojnë se as Qeveria dhe as Kuvendi nuk po e kanë guximin të propozojnë një ligj për Vettingun, edhe për të gjithë politikanët në Parlament e kudo, në Qeveri dhe në institucionet qendrore të shtetit, në komunat kosovare dhe në administratat e inkriminuara komunale dhe jo vetëm për njerëzit e drejtësisë, ngase ky Vetting mbi drejtësinë do t’i hapte rrugën edhe Vettingut tjetër të madh e gjithëpërfshirës, atij mbi politikanët e inkriminuar, të cilët detyrimisht edhe ata do t’i nënshtroheshin kontrollit dhe verifikimeve të pasurive të pajustifikueshme të politikanëve dhe të fshehjes së tyre; të rekordeve të tyre kriminale dhe të lidhjeve të tyre me krimin politik, ekonomik dhe ordiner kriminal. Tani deri te një projekt i tillë mbase do të vijë vetëm nëse vjen një presion i madh ndërkombëtar, ngjashëm me atë që ndodhi në Shqipëri.
Eksperti i së drejtës, Blerim Burjani, ka pohuar se Vettingu, ndonëse është përmendur nga kryeparlametari, Qeveria nuk e ka bërë as të vetmin hap në këtë drejtim deri më tani dhe nuk pret se do ta bëjë. “Vettingu është përmendur nga kryeparlametari, por edhe ministri i Drejtësisë, por nuk dihet sa ekziston vullneti për zbatim të tij dhe tash varet edhe nga mekanizmat se si do të autorizohen për zbatim, kush do të jetë përgjegjës për zbatim. KPK dhe KGJK duhet të jenë bashkëpunuese me organet e rendit për të përmbushin obligimet ligjore. Sidoqoftë, kjo temë e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet dhe verifikohet pasuria e tyre, të hetohen dhe verifikohen kontratat e dyfishta, si dhe lidhjet eventuale me partitë politike, zgjidhja e rasteve, arsyeja e neglizhimit të rasteve të cilat kanë mbetur në sirtarë dhe nuk janë iniciuar. Gjendja është e atillë dhe duhet pra një hetim gjithëpërfshirës për të gjetur eventualisht shkaqet edhe të grumbullimit të lëndëve të pa kryera, e që janë të shumta që presin zgjidhje”, është shprehur analisti Blerim Burjani. Ai tutje ka shtuar: “Do të ketë shumë punë për zbatuesit e ligjit nëse ai veç miratohet, sikur që është premtuar tash për tash deklarativisht”.
Mungesë e vullnetit politik
Për gjykimin e analistit Florim Zeqa mosbërja e Ligjit për Vettingun, më tepër se mungesë guximi, është mungesë e vullnetit politik. Ai thotë se propozimi i ligjit të tillë nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit duhej të bëhej për faktin se të parët që do t’i prekte një ligj i tillë do të ishin ekzekutivi dhe Parlamenti, pastaj shumicën e politikanëve në skenën politike kosovare, gjegjësisht institucionet qendrore të shtetit, pushtetin lokal dhe administratat e inkriminuara. “Paraprakisht Vettingu për drejtësinë do t’i hapte rrugë Vettingut të madh dhe gjithëpërfshirës të skenës politike kosovare, për verifikimin e pasurive të pajustifikueshme të politikanëve të inkriminuar, për zbulimin e pasurive të fshehura, qoftë në emër të firmave dhe kompanive fantome kudo nëpër Kosovë e deri në ‘Parajsat Fiskale’ jashtë vendit”, theksoi analisti Zeqa për “Kosova Sot”.
Badallaj: Kokat e para që bien nga Vettingu janë njerëzit e pushtetit
Analisti Reshat Badallaj ka pohuar se edhe Qeveria e tanishme e koalicionit PANA do të veprojë njësoj si qeveria ‘Mustafa’, duke i ikur miratimit të Ligjit për Vettingun, sepse janë vetë kokat e shumta që gjenden brenda këtyre institucioneve që do të duhej të binin të parat nga zbatimi i një ligji të tillë. “Qeveria kuislinge që theu qafen, Kuvendi arenë përleshjesh nga banditët i shpërndarë, kanë qenë plot e përplot me hajna, të korruptuar, dhe tani kjo Qeveri e tashme e zorit dhe ky Kuvend i turpit janë klonim i së pares me hajna, matrapazë dhe mashtrues. Të jeni të sigurt se as këta matrapazë të tashëm nuk do të guxojnë të propozojnë ligjin për t´i hapur rrugë Vettingut, sepse ata janë aty brenda, të mbushur deri në fyt me hajni. Edhe ta zëmë në qoftë se propozohet një ligj i Vettingut, këta mashtrues dhe matrapazë do të bëjnë sa për sy e faqe dhe për t´i hedhur pluhur syve popullit dhe do ta zvarrisin deri në harresë”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot”. Ai mendon se kur është fjala për marrëveshje të fshehtë kundër zbatimit të ligjeve që ndjekin të inkriminuarit, dallimet politike tejkalohen me lehtësi dhe këtu bashkohen për rezistencë të gjithë të inkriminuarit. “Këta matrapazë dhe mashtrues kur të vjen puna aty do të bëhen bashkë prapa kurrizit të popullit që të mos vjen ky ligj”, është shprehur Badallaj.
KORPORATOKRACIA E KA KAPUR SHTETIN
Sipas analistit Skënder Kapiti, miratimi eventual dhe fillimi i zbatimit të ligjit për Vettingun në Kosovë do të ndikonte përfundimisht në çmontimin e shtetit nga sistemi i korporatokracisë, prandaj rezistenca është e madhe në inicimin e një ligji të tillë nga kushdo qoftë. “Në Kosovë politika, qeverisja qendrore e vendore, drejtësia si dhe media, nuk guxojnë të marrin përsipër nismën për miratimin e një ligji të Vettingut, sepse kjo do të përbënte një nismë vetëndëshkimore për vetë ata.Të tre apo të katër këto pushtete janë një kooperim që kanë vendosur një sistem korporatokracie antiligj dhe antishtet, duke u maskuar pas vellos së demokracisë. Kjo korporatokraci apo më saktë kjo korporato-klepto (hajduto) kraci korruptive dhe e kriminalizuar vepron në lidhje simbiotike duke mbajtur dhe mbrojtur komponentët përbërës të saj, që janë politika, pushteti, drejtësia dhe media.VETTING-u do ta çlironte së pari drejtësinë dhe paralelisht do ta pastronte edhe politikën, administratën dhe shoqërinë nga vargonjtë e krimit, të korrupsionit, si dhe shtetin e shoqërinë nga pengmarrja dhe prej kthetrave të politikës, të krimit të organizuar, të atij ordiner dhe nga korrupsioni. Së pari me miratimin e Vettingut dhe me fillimin e funksionimit të tij do të binin në rrjetë ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, pushtetit dhe gjyqësorit, të cilët kanë bërë batërdinë me korrupsionin, vjedhjen dhe grabitjen e pasurive publike, të qytetarëve dhe me pasuritë kombëtare dhe me paranë publike”, është shprehur analisti Skënder Kapiti.
Me dëbimin nga politika dhe gjyqësori i individëve me rekorde kriminale, me konfiskimin e pasurive të tyre të grumbulluara me vjedhje, korrupsion dhe me krim, si dhe sidomos ndëshkimi ligjor penal i tyre, sipas Kapitit, do t’ua kthehej qytetarëve shpresa dhe besimi i humbur te shteti dhe te drejtësia ligjore. “Kjo korporatokraci që e ka kapur shtetin nuk njeh dhe as nuk është fare e interesuar për zhvillimin dhe progresin e Kosovës si nga pikëpamja ekonomike, politike, demokratike, kulturore-akademike dhe as për punësimin dhe kundër varfërisë dhe as për vlera e standarde, por si antivlerë që është kjo korporatokraci parazitare, ajo është e interesuar vetëm për interesin e vet personal të pasurimit dhe të zhvatjes së shoqërisë dhe të shtetit. Me Vettingun do të fillonte çmontimi i këtij sistemi korporatokracie dhe përveç të tjerash do të çlirohej edhe ekonomia e kapur nga kthetrat e krimit ekonomik, e kapur prej monopolit të importit të produkteve dhe mallrave dhe të kontrabandimit, të cilat pengojnë dhe bllokojnë zhvillimit e biznesit dhe të ekonomisë kombëtare. Kontributin real në efikasitetin e punës së Vettingut do ta bënin qytetarët e lirë, duke denoncuar te organet e tij të gjitha aferat korruptive të pushtetarëve, si dhe vendimet skandaloze kriminale dhe korruptive të gjyqtarëve dhe prokurorëve .Vettingu për nga rëndësia do të përbënte ngjarjen e dytë të madhe pas asaj të Pavarësisë së Kosovës”, theksoi Skënder Kapiti për “Kosova Sot
Ahmeti: Nga paslufta, kemi një anarki të pashembullt në sistemin e drejtësisë
Ndryshe, analisti Hidajet Ahmeti, duke e parë të nevojshme bërjen e një ligji të tillë, thotë se vetëm aty ku politika distancohet brenda kornizës kushtetuese e ligjore nga ndërhyrjet në sistemin drejtësisë, drejtësia ka sukses dhe avancohet në rrugën lineare duke realizuar shumë objektiva, e përfundimisht duke arritur një qëllim të caktuar, prandaj duhet të ketë vullnet politik për t’i çuar proceset përpara, por jo ekzekutivi dhe legjislativi t’i fusin hundët në sistemin e drejtësisë. “Nuk ka diskutim se përmes mekanizmave pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale me sistemin gjyqësor, në mënyrë që të avancohet pushteti gjyqësor, por jo këta mekanizma të përdoren për ndërhyrje në këtë sistem. Nga paslufta kemi një anarki të pashembullt në sistemin e drejtësisë, fillimisht nga misionet ndërkombëtare për rend dhe ligj, e mbi të gjitha nga logjika e mbrapshtë e instaluar në sistemin e drejtësisë, e pikërisht nga njerëzit e pushtetshëm të pasluftës që kanë dizajnuar hierarkinë kriminale në institucionet publike, e mbi të gjitha kanë dizajnuar klientelën servile në sistemin e drejtësisë. Si mund të luftohen krimi, korrupsioni e kontrabanda nga mekanizmi i instaluar nga këta njerëz në sistemin e drejtësisë? Logjikisht i bie se këta njerëz nuk mund ta luftojnë veten, pasi që një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të instaluar nga njerëzit e sojit Grabovci, Veseli, Thaçi, Mustafa, Beqiri e Hamiti”, është shprehur ai. Shton se posaçërisht lufta e pakompromis e tyre për pushtet nuk është pse e duan aq shumë pushtetin, por në momentin kur sistemi i drejtë- sisë çlirohet nga ndërhyrjet politike dhe transformohet në një drejtësi të pavarur dhe profesionale dhe atëherë një pjesë e njerëzve të fuqishëm të politikës që kanë qenë në pozitat kyçe dhe kanë udhëhequr institucione të rëndësishme përfundojnë prapa grilave.
Ai thotë se për hir të korrektë- sisë dhe profesionalizmit, pa marrë parasysh spekulimet e vazhdueshme me emra të përveçëm, është mirë që drejtësia e pavarur ta thotë fjalën e vet dhe përgjithmonë të mbyllen debatet spekulative dhe keqpërdoruesit të përfundojnë prapa grilave.”Është mirë që legjislatura e re e Kuvendit të miratojë Ligjin për Vettingun dhe Ligjin për konfiskimin dhe justifikimin e pasurisë dhe ky ligj të mos amnistojë keqpërdoruesit e taksave të qytetarëve dhe ata të cilët i kanë keqpërdorur pozitat zyrtare”, potencoi Hidajet Ahmeti.
(Kosova Sot)


