Kuvendi e nis me turp
Duke përcjellë dy seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, analistët konstatojnë se debati i parë parlamentar tregoi që edhe kjo legjislaturë po vazhdon traditën e keqe, të injorimit të qytetarëve të Kosovës, derisa me deputetët e tillë, banalë dhe joprofesionalë, servilë e argatë të liderëve politikë, ky institucion do të dështojë në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe procesin themelor të ligjbërjes edhe në këtë mandat.
ANALISTËT KOMENTOJNË DEBATIN E PARË PARLAMENTAR
Paralajmërime negative për legjislaturën e re
“Me deputetë të tillë: servilë, arrogantë, pa kulturë, me gjuhë të ashpër dhe denigruese, edhe kjo legjislaturë rrezikon të dështojë në mbikëqyrjen e punës së ekzekutivit, procesin ligjvënës dhe miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”
Duke përcjellë dy seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, analistët konstatojnë se debati i parë parlamentar tregoi që edhe kjo legjislaturë po vazhdon traditën e keqe, të injorimit të qytetarëve të Kosovës, derisa me deputetët e tillë, banalë dhe joprofesionalë, servilë e argatë të liderëve politikë, ky institucion do të dështojë në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe procesin themelor të ligjbërjes edhe në këtë mandat.
Analisti politik Florim Zeqa ka pohuar se është fakt publik që flet se seanca e fundit e mbajtur nën presionin ndërkombëtar, pa vullnetin e kryeparlamentarit, Kryesisë së Kuvendit dhe deputetëve, respektivisht debati i parë në Kuvendin e Kosovës i legjislaturës së re shpërfaqi edhe një herë traditën e keqe, të abuzimit të Parlamentit për çështje elektorale të partive politike, qërimin e hesapeve individuale të deputetëve mes tyre, si dhe konfrontimin e deputetëve servilë për llogari të liderëve partiakë. “Me deputetë të tillë: servilë, arrogantë, pa kulturë, me gjuhë të ashpër dhe denigruese, edhe kjo legjislaturë rrezikon të dështojë në mbikëqyrjen e punës së ekzekutivit, procesin ligjvënës dhe miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.
Të krijohet një mendësi e re politike
Sipas politologut Gurakuq Kuçi, problemi është esencial, kryerja e punës për të cilën është i thirrur Kuvendi, por këto përgjegjësi assesi të realizohen si duhet.”Deputetët duhet të mbesin brenda përgjegjësive të veta dhe qytetarëve. Çdo konflikt personal i tyre është fyerje ndaj qytetarëve dhe mos përgjegjësi ndaj asaj për çka janë thirrur. Gjuha e ashpër në Kuvend është një acarim që reflekton edhe tek masa dhe mund të ketë efekt domino që mund të prodhojë akoma më shumë acarime, inate deri në konflikte të dhunshme nga humbja e durimit ndaj njëritjetrit. Qytetarët nuk presin veprime të tilla nga të zgjedhurit e tyre dhe këto veprime ngjallin neveri tek masa që vetë deputetët e humbin autoritetin tek masa”, është shprehur ai.”Deputetët kanë një mundësi ideale para vetes, që të krijojnë një mendësi të re politike dhe legjislative në Kuvend me debate dhe vendime konstruktive. Kjo mund të bëhet jo duke pasur vetëm synime si të rrezohet qeveria apo tërë ditën të merren me një ekspoze programore ose Listën Serbe, sepse në fund pengesë e zhvillimit të vendit dhe e një jete normale institucionale nuk po del Lista Serbe, por palët e tjera. E nëse vërtet e duan që Lista Serbe të ketë një rol jovendimtar duhet një bashkëpunim i sinqertë në interesin e përgjithshëm pozitë-opozitë konstruktiv dhe një bashkëpunim shumë lojal ndaj interesave të Republikës”, tha politologu Gurakuq Kuçi.
Mungojnë temat serioze
Duke parë këtë fillim joserioz të punës së Kuvendit, analisti e publicisti Skënder Mulliqi tha se që nga dita e parë e fillimit të punës së legjislaturës së re po shihet se do të vazhdohet me atë traditën e mbrapshtë nga mandati i kaluar, ngase në Republikën e Kosovës Kuvendi është bërë më shumë një arenë gladiatorësh, sesa vend ku duhet të merren vendime të rëndësishme për shtet. “Kjo çka po na servohet që shumë kohë në lokalet e Kuvendit të Kosovës është më shumë se turpëruese. Kur e bëjmë veten që ndërkombëtarët të na qortojnë se nuk po mbajmë seanca pas konstituimit të organeve të reja të shtetit, nuk ka gjë më turpëruese për ne. Kuvendi më shumë është ka shfrytëzohet për lojëra politike shumë të dëmshme sesa për të aprovuar ligje aq të nevojshme për Kosovën”, ka theksuar ai.”Edhe seanca e parë e cila u thirr nga kryekuvendari Kadri Veseli ishte skandaloze. Në vend që të shihnim një seancë serioze, debate serioze për tema serioze, sërish na u servua një pamje e zymtë, më akuza dhe kundërakuza të deputetëve. Po kështu vjen puna kur kemi kuvendarë të padenjë për postin të cilin e ushtrojnë, kur kemi kuvendarë, të cilët janë futur aty për qëllime të caktuara politike, kur kemi kuvendarë me hipoteka për korrupsion. Qytetarët rregullisht po injorohen dhe atë shumë keq nga të ‘zgjedhurit’ e tyre. Kështu i vijnë punët në zgrip një shteti, kur vota qitet ashtu kotazi, kur i votojnë njerëzit të cilët nuk kanë punuar për të mirën e tyre që 18 vjet më radhë”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”.
Ai potencoi se në dy mandatet e fundit patëm dy herë radhazi zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale, me qëllime të caktuara politike, që zgjedhjet të mbahen brenda afatit kohor prej 45 ditësh, në mënyrë që mos të ketë kohë për reformë zgjedhore aq të nevojshme për Kosovën. “Një zonë zgjedhore janë duke e shfrytëzuar një kategori njerëzish që të mbeten përjetësisht në pushtet, kur dihet se brendapërbrenda subjektit politik po bëhen manipulime me votën e sovranit. Kështu siç kanë nisur punët mbrapsht, zor është të presim që këta deputetë t’i sjellin gjë të hairit Kosovës, e cila është mbërthyer në krizë të madhe politike. Është duke u bërë luftë e hapur për primate politike dhe për primate biznesore”, vijoi më tutje Mulliqi.
Seanca matrapazësh
Po aq i zhgënjyer me debatin e seancave të fundit është edhe Ali Hertica. “Seanca e djeshme e debatit në Parlamentin e Kosovës i ngjante më shumë një tregu të çrregullt të matrapazëve që provojnë të shesin e blejnë, duke mashtruar njëri-tjetrin. Aty nuk pamë gjë tjetër as nuk dëgjuam veç se një fjalor, i cili nuk ishte aspak i nivelit intelektual, ishin sjellje dhe fjalë nga më banalet dhe fyeset ndaj njëri-tjetrit, në vend të debatit të argumentuar dhe konstruktiv e tolerant, sikur e kërkojnë normat e demokracisë së civilizuar”, potencoi ai. “Kjo sjellje skandaloze e deputetëve në seancat e para të debatit tregon se qytetari nuk e meriton një përfaqësim të tillë, nuk e dëshiron një sjellje të atillë të atyre që u dha bekimin për t’u ulur në ato ulëse në pritje për t’i shtyrë proceset përpara drejt zhvillimit dhe rregullimin social ekonomik të shtetit. E gjithë kjo sjellje dhe nivel i ulët i deputetëve tregon dhe sinjalizon sovranin se tani më 22 tetor duhet të jetë shumë i kujdesshëm se kujt do t’i japë votën, sepse pjesa dërmuese e deputetëve janë vetëm servilë të liderëve politikë dhe asgjë më shumë, të paedukuar politikisht e moralisht”, tha Hertica për “Kosova Sot”.
Shpërdorimi i mandatit
Analisti politik Hidajet Ahmeti konstaton se diskursi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e traditës së keqe, të fyerjeve, sharjeve, shpifjeve dhe etiketimeve, e njëkohësisht brenda kornizës së vijës lineare të subjektit politik që i takojnë.”Vullneti qytetar, i cili përfaqësohet në mënyrë institucionale, mandatin e deputetit e ka transformuar radikalisht, nga zëri i popullit në zërin e partisë politike. Ky dhunim i vullnetit qytetar, duke mos përfaqësuar mandatin kushtetues e ligjor ka prodhuar një zhgënjim për qytetarët e Kosovës. Me logjikën e vazhdimësisë së traditës së mbrapshtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mund ta mbikëqyrë punën e ekzekutivit, por do ta vazhdojë logjikën e fyerjes, sharjes, etiketimeve e shpifjeve”, ka vlerë- suar ai. “Qytetarët me këtë legjislaturë përfaqësuese nuk do të shohin dritë në fund të tunelit, por me këtë logjikë të diskursit do të ketë thellim të zhgënjimit qytetar”, u shpreh Hidajet Ahmeti.
(Kosova Sot)


