“Peshqit e amnistuar”, tmerri i Kosovës
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se kryesuesit e “Gjyqësorit” janë të shantazhuar, dhe se atyre politika iu ka krijuar kushte të mira dhe privilegje jetësore, kurse ata politikës po iu përgjigjen me heshtje.
DREJTËSIA, E PAFUQISHME PËR TË ZBATUAR LIGJIN
“Nuk është aktive asnjë aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë. Ata nuk ndiqen për keqpërdorim detyre, ata nuk ndiqen për pasurimin e paligjshëm, ata nuk kanë familjarë pa punë, ata i kanë fryrë listat e veteranëve dhe invalidëve të luftës. Ata janë tmerri i Kosovës së lirë, ata janë arsyeja kryesore e këtij depresioni kolektiv”, u shpreh Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet.
Zhvatësit dhe të korruptuarit mbeten të paprekshëm
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se kryesuesit e “Gjyqësorit” janë të shantazhuar, dhe se atyre politika iu ka krijuar kushte të mira dhe privilegje jetësore, kurse ata politikës po iu përgjigjen me heshtje.
Së këndejmi, ata thonë se derisa prokurorët dhe gjyqtarët e caktuar shantazhohen, frikohen, kërcënohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara kriminale për interesa të tyre, dhe duke u bërë pjesë e paligjshmërive të ndryshme, pra nuk mund të pritet kurrfarë drejtësie në shtetin tonë. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se a duhet që të ashpërsohen masat ndëshkimore, por edhe ato suspenduese e përjashtuese qoftë me largim krejtësisht nga puna të prokurorëve dhe gjyqtarëve të nënshtruar e të dëgjueshëm nga mafiopolitikanët dhe mafio- oligarkët e caktuar në mënyrë që dhe të njëjtët të zëvendësohen sa më parë me kuadro prokurorë e gjyqtarë të tjerë, të aftë e të ndershëm si dhe të përgjegjshëm, me etikë e integritet profesional, dhe që punojnë vetëm sipas ligjit dhe jo në bazë të interferimeve të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale. Për atë se pse KGJK-ja dhe KPK-ja po hezitojnë të bëjnë një pastrim të parë, para “VETTING”-ut, te të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë profesionalizëm dhe nuk kanë pasur performancë dhe dyshohet se po u shërbejnë politikës dhe nëntokës kriminale, flet shkrimi në vijim.
Keqpërdoruesit në liri
Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se kryesuesit e “Gjyqësorit” janë të shantazhuar, dhe se atyre politika u ka krijuar kushte të mira dhe privilegje jetësore, kurse ata politikës po iu përgjigjen me heshtje. Preteni tutje thotë se askush nga politika nuk ka bërë asgjë që Gjyqësori të veprojë drejt dhe i pavarur. “Deklarimet e disave nga politika janë stihike, joserioze dhe në shërbim të politikës ditore. Nuk është aktive asnjë aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë, ata nuk ndiqen për keqpërdorim detyre, ata nuk ndiqen për pasurimin e paligjshëm, ata nuk kanë familjarë pa punë, ata i kanë fryrë listat e veteranëve dhe invalidëve të luftës. Ata janë tmerri i Kosovës së lirë, ata janë arsyeja kryesore e këtij depresioni kolektiv”, u shpreh Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet. Ndërsa analisti Naim Kelmendi thotë se kjo neglizhencë dhe ky mosefikasitet ndërlidhet me vetë kuadrin e institucionit në sistemin e drejtësisë, sikur janë gjyqtarët dhe prokurorët joprofesionistë, të paaftë dhe njëherësh edhe të korruptuar e të ndikuar nga politika dhe ndërlidhjet e tjera që ndikojnë tërthorazi dhe drejtpërdrejt në punën dhe efikasitetin e vetë sistemit të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai shton se, fatkeqësisht, veç kësaj, dyshohet se prokurorët edhe qëllimisht po i neglizhojnë rastet e caktuara kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar e të lidhur me mafio- politikanë me pozita të larta të pushtetit në Komuna, Ministri, Qeveri e nëpër borde, përkundër, siç tha, faktit se thuhet se ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t’i hetuar apo edhe për ti ngritur aktakuza penale për krim të organizuar ndaj tyre.
PROKURORËT E GJYQTARËT, TË SHANTAZHUAR
Sipas Kelmendit, në anën tjetër, mbase vetë KGJK-ja, por edhe KPK-ja do të duhej ta zhvillonin luftën e spastrimit nga gjyqtarët e prokurorët joprofesionistë, të paetikë, të papërfomancë, të papërgjegjshëm e të korruptuar në detyrën dhe përgjegjësitë e tyre para ligjit. “Përndryshe, derisa prokurorët dhe gjyqtarët e caktuar shantazhohen, frikohen, kërcënohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara kriminale për interesa te tyre, dhe duke u bërë pjese e paligjshmërive të ndryshme, pra nuk mund të pritet kurrfarë drejtësie në shtetin tonë. Andaj, duhet urgjentisht që të ashpërsohen masat ndëshkimore, por edhe ato suspenduese e përjashtuese, qoftë edhe me largim krejtësisht nga puna të prokurorëve e gjyqtarëve të tillë, të nënshtruar ndaj dukurive negative dhe të dëgjueshëm nga mafio- politikanët dhe mafiooligarkët, dhe se për rrjedhojë të njëjtët të zëvendësohen sa më parë me kuadro, prokurorë e gjyqtarë të tjerë te aftë, të ndershëm e të përgjegjshëm, por edhe me etikë e integritet profesional, dhe që punojnë vetëm sipas ligjit dhe jo në bazë të interferimeve të politikës dhe mafio-oligarkise kriminale”, theksoi ai. “Pa spastrimin e kësaj kategorie gjyqtarësh e prokurorësh, asnjëherë nuk mund të mendohet se me këtë kategori mund të shkojë përpara zhvillimi i sistemit të drejtësisë, pra drejt reformimit, pasi pikërisht të tillë gjyqtarë e prokurorë janë pengesë për vetë sistemin e drejtësisë dhe Gjyqësorin përgjithësisht, por edhe për vetë zhvillimet e tij dhe të demokratizimit e të shëndoshjes së këtij sistemi”, theksoi për gazetën, “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.
Pushtetet të respektojnë pavarësinë
Profesori universitar, Mazllum Baraliu ka veçuar se për të pasur një sistem funksional, efikas të drejtë- sisë së mirëfilltë, një shtet të së drejtës dhe të drejtësisë duhet domosdoshmërish, ndër të tjera, institucionet e vendit të kenë një qasje pozitive, të paanshme, jointerferuese në mes të tri pushteteve, pra në këtë rast në pushtetin e drejtë- sisë, gjegjësisht atë Gjyqësor, të mos interferojnë dhe të mos intervenojnë, por t’u krijojnë kushtet prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe t’u krijojnë një atmosferë të tillë. “Të kenë siguri, që të kenë kurajë e të mos mendojnë në prapaskenë se kur i sjellin vendimet e duhura, të drejta dhe të bazuara në ligj ndaj kujtdo qoftë të mos kenë frikë se çfarë pasoja do të kenë dhe eventualisht shantazhe, interferime, pengesa etj. Pra, rreziqe lidhur me vendimet e tyre që marrin dhe procedurat që udhëheqin, dhe gjithsesi të mos mitizohen, dhe kështu edhe ata që punojnë mirë”, spikati për gazetën “Kosova Sot” Profesori universitar, Mazllum Baraliu. Sipas tij, sigurisht ka në mesin e tyre të tillë, por ka edhe atyre të tjerëve që eventualisht ose nga mungesa e profesionalizmit apo nga prania e korrupsionit, ose nga fenomenet e tjera negative dhe interferimet e ndryshme nga jashtë dhe nga brenda nuk janë efikas sa duhet, nuk janë të drejtë, nuk paraqesin drejtësi, nuk realizojnë të drejtat dhe intencat e qytetarëve, të cilët kanë interes juridik kur i drejtohen gjykatës për të realizuar të drejtat e tyre.
Të iniciohen reformat në drejtësi
Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se sigurisht se nëse nuk kontrollohet kurrë puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo kontrollohet tepër rrallë, atëherë ajo është çështje e neglizhencës dhe çështje që në njëfarë mënyre gjyqtarëve dhe prokurorëve u lejon që të bëjnë dhe të veprojnë si të duan vetë. Andaj, sipas tij, në këtë drejtim performanca është e nevojshme për të parë se a janë ata njerëz në gjendje që ta kryejnë punën e vet, a kanë vullnet, dije, dhe guxim, por edhe a kanë shkathtësi juridike për ta kryer punën e vet për të cilën janë emëruar. “Sa u përket reformave në drejtësi, ato janë interes shtetëror, kështu që marrë parasysh këtë, organet shtetërore si përfaqësuese të shtetit, duke filluar nga Qeveria, pastaj prej Parlamentit, komisioneve të ndryshme, prej KGJK-së, e që këto janë organe, të cilat do të duheshin që të inicionin reformat në drejtësi apo ‘ Vettingun’ siç është në Shqipëri, ngase do të sillnin rezultate pozitive dhe po ashtu do të sillnin edhe ndryshime në sistemin juridik të Kosovës, e që kjo do të ishte pozitive”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” avokati Tomë Gashi.
(Kosova Sot)


