Deputetët e superpaguar braktisin Kuvendin
Edhe pse kriza me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dhe nënkryetarëve të saj, është tejkaluar që nga data 7 shtator, deputetët e kësaj legjislature akoma po “flenë”, duke mos arritur të mbajnë asnjë seancë të rregullt pune për trajtimin e ndonjë çështjeje me interes për qytetarin, edhe pse ata i marrin pagat e rregullta mujore, madje që nga data e dhënies së betimit në muajin gusht, kur edhe u ka filluar mandati pas dhënies së betimit.
PËRFAQËSUESIT E POPULLIT IA MËSYJNË FUSHATËS
Zvarriten komisionet, seancat, ligjet
“Kuvendi ka hyrë në fazën e paralizimit total, shkaku i fushatës së zgjedhjeve komunale. Deputetët, të prirë nga kryeparlamentari Veseli, me fillimin e fushatës zgjedhore, i harruan dyert e Kuvendit të Kosovës, i harruan obligimet dhe përgjegjësitë, që mbajnë para qytetarëve të vendit”, tha analisti Florim Zeqa
Edhe pse kriza me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dhe nënkryetarëve të saj, është tejkaluar që nga data 7 shtator, deputetët e kësaj legjislature akoma po “flenë”, duke mos arritur të mbajnë asnjë seancë të rregullt pune për trajtimin e ndonjë çështjeje me interes për qytetarin, edhe pse ata i marrin pagat e rregullta mujore, madje që nga data e dhënies së betimit në muajin gusht, kur edhe u ka filluar mandati pas dhënies së betimit.
Analistët politikë vlerësojnë se tani zvarritja e procesit të konstituimit të trupave të punës kuvendore, të komisioneve parlamentare, që janë bërthama e punës në procesin legjislativ, është duke e dëmtuar seriozisht që në start dinamikën e nevojshme të punës, e kjo po vazhdon si storie negative edhe pas krizës 6 mujore të fazës pas zgjedhore. Kryetari i Kuvendit, por edhe të gjithë anëtarët e Kryesisë nuk po thirrin seanca, por po dalin nëpër fushata zgjedhore komunale, dhe kjo flet më së miri për një sjellje të skajshme papërgjegjësie të politikës karshi votuesit, papërgjegjësi ekstreme nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, që ia kanë mësyrë tani fushatës zgjedhore për pushtetin komunal dhe po zvarrisin pa asnjë arsye funksionalizimin e komisioneve të Kuvendit dhe me këtë edhe fillimin e procesit ligjvënës, i cili edhe ashtu mbeti në gjysmë të rrugës pas vendimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
BE-ja ia tërheq vërejtjen Kuvendit
Lidhur me këtë sjellje të papërgjegjshme, fillimisht nga aspekti menaxherial i punës së kryesisë së Kuvendit, reagoi edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila është shprehur e zhgënjyer me mosmbajtjen e asnjë seance plenare të Kuvendit të Kosovës që nga konstituimi i tij. Apostolova ka thënë se këtë zhgënjim të sajin do t’ia shprehë edhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, sapo ta ketë rastin ta takojë dhe të bisedojnë për këtë çështje. Ajo ka thënë se arsyetimi i Kuvendit të Kosovës se grupet parlamentare ende nuk i kanë propozuar deputetët anë- tarë të komisioneve, kryetarët dhe zëvendëskryetarët, nuk e ka bindur shumë, ngase, sipas saj, deri më tani grupet parlamentare është dashur që ta mbyllin këtë çështje dhe Kuvendi të fillojë punën. Apostolova ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur, sidomos në fushën e integrimeve evropiane, e që në këtë fushë sipas saj rol krucial ka vetë Kuvendi i Kosovës. Ndërsa analisti politik, Ymret Reshiti, konsideron se ky fillim dhe vazhdim i përgjumur i mandatit të ri të Kuvendit të Kosovës është pasojë e brishtësisë së tij funksionale, për shkak të mungesës së votave për të proceduar tema serioze, që janë në interes të përgjithshëm dhe kruciale për të dëshmuar koalicionin efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e vet të premtuar në zgjedhje. “Kriza e numrave në Kuvend është e vërteta e hidhur përse në të vërtetë nuk po mblidhet Kuvendi i Kosovës për të kryer detyrat e tija, që ia ngarkon kushtetuta. Vrapimi për marrje të posteve qeveritare nga deputetët e kampit politik të PANAL-it ka bërë që të zvogëlohet numri i deputetëve nga ky koalicion. Pastaj, loja e këtij koalicioni me KQZnë për ta decertifikuar deputetin e Nismës dhe për ta mënjanuar nga gara për kryetar të Prizrenit bëri që edhe më tutje të thellohet kriza e numrave. Nga 63 deputetë sa kishte koalicioni PANAL tani ka rënë në 60 deputetë”, u shpreh ai.
Kriza e numrave
Sipas Reshitit, ky koalicion ka dëshmuar se janë të verbuar nga interesat e tyre personale për të qeverisur me vendin, me qëllim të përfitimeve të tyre personale, prandaj ata nuk preokupohen pse nuk mbajnë mbledhjet e Kuvendit të Kosovës. “Atyre u interesojnë përfitimet personale, që marrin nga marrja e pushtetit, ndërsa punën e Kuvendit e shohin si punë pa leverdi për ta, edhe pse marrin paga të majme si deputetë. Kjo tregon se sa të papërgjegjshëm janë këta deputetë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Në vend që Kuvendi i Kosovës të mbajë mbledhjet e tij dhe të miratojë agjendën e legjislaturës së re, të formojë të gjitha trupat e tij, ky organ mbahet pengë nga kryetari Veseli dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit nga radhët e koalicionit PANAL”, tha Reshiti për “Kosova Sot”. Ai thekson se përbërja e kryesisë së Kuvendit duhet ta kenë shumë të qartë, që duke e paralizuar punën e Kuvendit nuk mund të kompensojnë mungesën e numrave në Kuvend, por kjo sjellje paraqet shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së punës së Kuvendit, sepse nuk ka këtu asnjë pengesë që vjen nga fushata e nisur zgjedhore për zgjedhjet lokale. “Fushata e zgjedhjeve lokale në Kosovës është vetëm një “arsye” e mirë për ta mbuluar të vërtetën e mungesës së numrave të koalicionit PANAL në Kuvend. Kjo fushatë po merret si “dhuratë” tepër e çmuar në këto momente kritike që po kalon koalicioni PANAL, dhe i cili fushatën e zgjedhjeve lokale do ta përdorë si kohë për të “kthyer” prapë shumicën e numrave në Kuvendin e Kosovës. Ndryshe, nëse për një kohë të shkurtër koalicioni PANAL nuk mund të sigurojë minimumin 61 vota do të bëhet gazi i botës”, vlerëson Reshiti për “Kosova Sot”.
Zvarritjet dëmtojnë konsolidimin e shtetit
Sipas prof. të së drejtës, Muhamet Kelmendi, shkaqet e mosfunksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet kërkuar te të dyja blloqet politike, te pozita dhe te opozita që, sipas tij, kanë ambicie që të sigurojnë sa më shumë kontroll mbi pushtetin, respektivisht mbi ekzekutivin, nëpërmes trupave të Kuvendit, prandaj edhe ka përplasje të mëdha në ndarjen e komisioneve parlamentare, gjë që po mbulohet duke zvarritur propozimin e emrave për kryetarët, nënkryetarët dhe anëtarët e komisioneve, trupa këto që duhet të funksionalizohen, pasi të votohen në seancë plenare. Kelmendi e sheh mbetjen jofunksionale të Kuvendit të ri të Kosovës deri në fillim të muajit dhjetor, kur pritet të përmbyllet tërë- sisht procesi zgjedhor për nivelin komunal. “Këto dy anë janë në papajtueshmëri të madhe midis veti në drejtim të marrjes nën kontroll të komisioneve dhe të iniciativës parlamentare te ne. Po kështu duhet kërkuar këtë moskonsolidim edhe te interesi i subjekteve politike tash para zgjedhjeve lokale. Të gjitha subjektet politike po e përdorin gjendjen jofunksionale të Kuvendit të Republikës së Kosovës për të bërë fushatë në drejtim të fitoreve nëpër asambletë komunale dhe të kandidatëve për kryetarë të komunave. Dhe, në këtë anë, tani nuk mund të pritet ndonjë zhvillim tjetër, deri në përfundim të zgjedhjeve. E ato me raundin e dytë do të zgjatin deri në fund të nëntorit”, ka thënë ai. “Natyrisht se subjektet politike po akuzohen reciprokisht për mosfunksionim. Por, faktet flasin lidhur me interesa të ngushta partiake, e jo për ndonjë interes të Republikës. Republika jonë është e re dhe e pakonsoliduar sa duhet. Asaj i duhet funksionimi pa vonesë i Qeverisë dhe i Kuvendit, sikundër edhe ai i presidencës. Të gjitha këto institucione tani për tani janë keq sa i përket punës dhe efikasitetit në funksion të interesit qytetar. Tash për tash dihet që më së keqi është Kuvendi dhe presidenca, këto dy janë krejtësisht në gjumë dhe po mbështeten vetëm në vizita të ndryshme, dhe duke u fokusuar në raportin me shtetin serb. Kosovës i duhet funksionalizimi i shtetit juridik”, potencoi Kelmendi për “Kosova Sot”.
Deputetët mashtruan zgjedhësit
Analisti Florim Zeqa thotë se shumica e deputetëve të rinj erdhën në Kuvendin e Republikës së Kosovës nën premtimet për respektim të rregullave dhe ligjeve, për përmirësimin e kualitetit në vendimmarrje dhe për funksionalitetin e plotë të legjislativit, por deputetët e rinj dhe të vjetër ia grabitën votën qytetarit nën zotimet për përgjegjësi të lartë shtetërore dhe llogaridhënie para qytetarëve të vendit, që tani nuk po ndodhin. “Mirëpo me fillimin e fushatës zgjedhore po ndodh e kundërta. Pas krizës 4- mujore të fazës paszgjedhore, Kuvendi ka hyrë në fazën e paralizimit total shkaku i fushatës së zgjedhjeve komunale. Deputetët, të prirë nga kryeparlamentari Veseli, me fillimin e fushatës zgjedhore i harruan dyert e Kuvendit të Kosovës, i harruan obligimet dhe përgjegjësitë që mbajnë para qytetarëve të vendit”, theksoi më tutje ai. “Për mungesën e deputetëve në Kuvend janë shqetë- suar edhe zyrtarët e BE-së, por jo edhe qytetarët e Kosovës, nga djersa e të cilëve deputetët e papërgjegjshëm marrin paga të larta mujore, mbase edhe më të lartat në rajon”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.
Vonesat e seancave të pajustifikueshme
Harresa e obligimeve, që kanë partitë politike në Parlamentin e Kosovës, dhe vrapimi në fushatën zgjedhore për nivelin komunal, shihet si abuzim me votën qytetare edhe nga analisti Hidjat Ahmeti. “Fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka hutuar partitë politike, pasi që rezultati i këtyre zgjedhjeve është një barometër matës për peshën politikë të të gjitha partive veç a veç, dhe njëkohësisht do të mbyllë debatin e pakuptimtë se cila është partia më e madhe në vend”, ka thënë ai. “Edhe pse natyra e zgjedhjeve lokale dallon nga natyra e zgjedhjeve nacionale, por nuk mund të kemi ndryshime substanciale nga rezultati i zgjedhjeve nacionale. Vonesat e tilla në mbajtjen e seancave nuk mund të arsyetohen në asnjë formë, pasi që vullneti qytetar nuk po përfaqësohet në masën e duhur, për të cilin qytetari ia ka dhënë mandatin”, theksoi Hidajet Ahmeti. Ai ka pohuar se këto zvarritje më së miri tregojnë për seriozitetin, sinqeritetin dhe mbi të gjitha zbehjen e fuqisë së Kuvendit të Republikës brenda kornizës mandatore të deputetit.
Ligjvënësit të kthehen në vendin e punës
Publicisti dhe njohësi i skenës politike, Naim Kelmendi, thotë se ligjvënësit duhet të kufizohen nga fushata e zgjedhjeve lokale dhe t’i kthehen mandati të besuar nga qytetarët. “Deputetët e Kuvendit të Kosovës, edhe pas krizës gjashtëmujore do të duhej të jenë më koshientë dhe më të përgjegjshëm ndaj punës së tyre, ngase Kosova ka humbur mjaft në kohë, për shkak të krizave qeveritare, pastaj edhe me zgjedhjet parlamentare dhe kështu me radhë. Duket se kjo nuk po u bën përshtypje deputetëve të rinj të Parlamentit, por tashmë e kanë lënë në pushim vjeshtor Kuvendin dhe që nga kryekuvendari iu kanë turrur fushatës elektorale në zgjedhjet komunale”, potencoi Kelmendi për “Kosova Sot”. Ndërsa, sipas analistit tjetër Skënder Mulliqit, shumë punë qe ishte dashur të kryhen nga Kuvendi, kanë mbetur pa u bërë nga legjislatura e kaluar, nga mospërgjegjësia e deputetëve, sepse jemi dëshmitarë se Kuvendi i Kosovës si organi më i lartë i shtetit viteve të fundit më shumë ishte arenë e zënkave të partive politike në pushtet me opozitën, sesa kishte punë efektive, duke harruar së deputetët janë aty për t’i përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve, dhe janë aty për të sjellë ligje në interes të vendit. Tani ka rrezik që ky mosfunksionim të përsëritet edhe në këtë mandat të ri, i cili që në fillim po shpenzohet në fushatë për zgjedhjet lokale. “Deputetët e kanë punën për çka janë edhe të thirrur, jo të merren gjithmonë me punë fushatash zgjedhore, siç po ndodh edhe me këtë fushatë të 22 tetorit. Mospërgjegjësia e kuvendarëve i ka tejkaluar të gjitha normat”, u shpreh Mulliqi për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


