Partitë e kriminalizuara riciklojnë zotimet mashtruese
Duke analizuar ditët e para të fushatës së filluar zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, njohësit e zhvillimeve politike në vend po konstatojnë se për fat të keq edhe kjo fushatë ka nisur me premtime të vjetra, e që janë premtime joshëse, por pa mbulesë, vetëm për të mashtruar qytetarët përmes gënjeshtrave që ta japin votën e tyre për subjektin e caktuar politik dhe kandidatin që do të arrijnë më së miri ta mashtrojnë votuesin e painformuar sa duhet.
NJË FUSHATË “DEJA VU” PËR ZGJEDHJET LOKALE
Votuesit e kanë humbur shpresën, sepse nuk ka alternativë
“Politikanëve u janë shteruar premtimet, të cilat i kanë dhënë shumë herë, por që asnjëherë nuk i kanë realizuar. Qytetarët, edhe ata që dikur ishin militantë, tanimë janë vetëdijesuar…Me pak fjalë, e tërë klasa politike është kriminalizuar, korruptuar dhe shndërruar në strehë të kriminelëve dhe të banditëve”, theksoi Faton Mehmeti për “Kosova Sot”
Duke analizuar ditët e para të fushatës së filluar zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, njohësit e zhvillimeve politike në vend po konstatojnë se për fat të keq edhe kjo fushatë ka nisur me premtime të vjetra, e që janë premtime joshëse, por pa mbulesë, vetëm për të mashtruar qytetarët përmes gënjeshtrave që ta japin votën e tyre për subjektin e caktuar politik dhe kandidatin që do të arrijnë më së miri ta mashtrojnë votuesin e painformuar sa duhet.
Mirëpo, ajo që pritet t’i karakterizojë edhe këto zgjedhje të radhës, sipas analistëve politikë, rrezikon të jetë vazhdimi i trendit të mosdaljes në zgjedhje, rënies së elektoratit edhe në zgjedhjet e 22 tetorit, si rezultat i pakënaqësive të vazhdueshme ndaj kësaj politike aktuale të inkriminuar, e cila i ngjan njëratjetrës për nga lakmia për pushtet dhe para të pista, por jo edhe për të punuar për dobi të vendit e interesa të qytetarëve. Nuk përjashtohet fare edhe dukuria e një lloj “dezertim” të madh të elektoratit ndaj zgjedhjeve, i cili vetëm po kërkon rrugë si të dalë jashtë vendit, ngase tani nga zhgënjimi masiv qytetar me politikën, nuk po ikin vetëm të varfrit , por edhe shtresa e mesme, e cila nuk e ndjen veten të sigurt të jetojë me dinjitet në këtë vend, prandaj kërkon alternativa për të ikur nga këtu. Retrospektiva e zgjedhjeve të fundit parlamentare, si storje e injorimit të politikës, sipas analistëve, mund të përsëritet edhe në këto zgjedhje, e cila u karakterizua në zgjedhjet e kaluara me prishjen e fletëvotimit, duke mos votuar askënd prej kandidateve, mund të jetë episod i zgjeruar akoma më shumë edhe më 22 tetor.
Pakënaqësitë në rritje
Analisti politik Ymret Reshiti këtë drojë e bazon në faktin se pakë- naqësia e qytetarëve të Kosovës ndaj elitës politike kosovare nga viti në vit ka shkuar vetëm duke u thelluar. “Ky është një lajm i keq për Kosovën dhe synimet e saj që dëshiron t’i realizojë si shtet. Në secilin organizim të zgjedhjeve kemi pasur rënie të elektoratit, të cilët kanë qenë të zhgënjyer me atë që e kanë ofruar partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë. Gjendja e vështirë ekonomike, sociale, mungesa e sigurisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut profilizojnë më së miri shtetin e Kosovës. Afera ‘PRONTO’ ia dha vulën se Kosova është e kapur nga krimi dhe korrupsioni, dhe nuk ka gjasa që të bëhet mirë”, u shpreh ai. ” Një pjesë e qytetarëve të Kosovës pakënaqësinë e tyre po e manifestojnë përmes mosdaljes në zgjedhje, të bindur se kushdo që vjen në pushtet janë të njëjtë, mashtrues, profiterë dhe që nuk do ta ndryshojnë gjendjen. Për këta qytetarë ekziston bindja se politikanët po i mashtrojnë me premtime të “majme” derisa po ua marrin votat, e pastaj po i harrojnë premtimet dhe po punojnë për vete për t’u bërë milionerë”, vijoi më tutje Reshiti. “Në zgjedhjet e 22 qershorit, kjo pakënaqësi e votuesve kosovarë ka marrë një dimension të ri, duke u profilizuar si kategori e re e votuesve, të cilët po i prishin me qëllim fletëvotimet, duke përcjellë mesazh tek opinioni, se ata janë të pakënaqur me këtë klasë politike në Kosovë. Ky veprim i votuesve të Kosovës duhet të merret seriozisht nga klasa politike kosovare për ta ndryshuar veten, dhe të fillojnë që të mendojnë dhe të punojnë për qytetarët e Kosovës. Nëse kemi dalje në zgjedhje nën 50% të numrit ë përgjithshëm të votuesve, ne nuk mundemi të pretendojmë se kemi demokraci . Në realitet, me fajin e klasës politike, ne po e instalojmë autokracinë përmes daljes së një numri të vogël të votuesve në zgjedhje”, tha Ymret Reshiti. Prandaj, sipas tij, çdo qeverisje që bëhet nga subjektet politike që kanë mbi 50 % të votave në Kuvend dhe që dalin nga pjesë- marrja e më pak se 50% të gjithë votuesve në Kosovë, nënkupton se kemi qeverisje të pakicës dhe ky pushtet nuk është kredibil. Për të mos ardhur deri në këtë situatë, Reshiti thotë se duhet të ndryshohet ligji zgjedhor dhe të saktësohet më mirë niveli i daljes në zgjedhje mbi të cilin do të kemi edhe institucione kredibile dhe me legalitet demokratik qytetar.
Politikanët e dështuar do të pësojnë fiasko
Analisti Florim Zeqa gjithashtu konstaton se edhe fillimi i kësaj fushate zgjedhore karakterizohet me premtime pa mbulesë të kandidatëve për kryetar komunash dhe përsëritje gënjeshtrash nga ana e liderëve partiakë. “Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, ku elektorati për herë të parë në historikun e zgjedhjeve (të shpeshta) të pasluftës i ndëshkoi partitë e dështuara politike me “prishje” të fletëvotimeve. Kësaj radhe, në zgjedhjet e 22 tetorit pritet që partitë dhe politikanët e dështuar të pësojnë fiasko të vërtetë nga elektorati, për arsye të pakënaqësisë qytetare ndaj klasë së korruptuar politike”, potencoi ai. “Kështu, shprehja e pakënaqësisë qytetare do të shprehet në dy aspekte; me mosdalje të elektoratit në zgjedhje dhe prishje të fletëvotimeve. Rënia elektoratit në zgjedhje, përveç bojkotit qytetar, pritet të ndodhë edhe si pasojë e largimit të popullatës nga vendi, e cili po kërkon rrugë dhe alternativa për të ikur sa më parë nga vendi më i pashpresë dhe pasigurt në rajonin e shkaktuar nga kusarët e pangopshëm politikë, nga mafio-oligarkët politikë dhe ekonomikë, të pasuruar nga paraja e pistë dhe mbi kurrizin e qytetarëve. Surpriza më e këndshme e këtyre zgjedhjeve pritet të jenë kandidatët e pavarur, të cilët do t’ua rrëmbejnë zemrat e elektoratit të partive të dështuara politike”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.
Qytetarët e humbën shpresën
Edhe analisti Hidajet Ahmeti thotë se është e çuditshme sesi partitë politike në Kosovë shfrytëzojnë çdo vakum institucional e çdo mekanizëm të pushtetit për ta mbajtur, për ta ruajtur e për ta marrë pushtetin. “Veprime makiaveliste, të cilat nuk iu bëjnë nder qytetarëve të Republikës, por as vetë partive politike, të cilat e pretendojnë pushtetin me çdo kusht, po humbin shpresën qytetare për një jetë më të mirë e të dinjitetshme. Vazhdimi i strategjisë së njëjtë, përveçqë akumulon problemet për qytetarët, njëkohësisht irriton qytetarët, të cilët zgjidhjen e vetme po e shohin ikjen nga Kosova, duke kërkuar një jetë më të mirë dhe një perspektivë më të madhe për fëmijët e tyre”, u shpreh ai. “Gjykoj se shtresa e ulët e shoqërisë zgjidhjen e kërkon për shkak varfërisë dhe në kërkim për një jetë më të mirë, kurse shtresa e mesme më shumë shkaku i humbjes së perspektivës për fëmijët e tyre e jo nga varfëria ekstreme. Qytetarët e Kosovës kanë humbur shpresën për një të ardhme më të mirë, duke mos shpresuar nga dora e shtetit dhe mekanizmat e saj institucional, por të vetmen mundësi e kanë ikjen nga Kosova”, potencoi Ahmeti. ” Ky realitet i hidhur e i ndërtuar për më shumë se një dekadë, dita e ditës po e thellon krizën shoqërore dhe njëkohësisht po e humb shpresën qytetare”, tha ai për “Kosova Sot”.
Dalja në votime mund të bjerë
Drojën se mund të ketë abstenim të madh edhe në këto zgjedhje, madje edhe rritje të numrit të fletëvotimeve të prishura qëllimisht nga qytetarët, e shpreh edhe analisti Faton Mehmeti. “Si asnjëherë më parë, dëshpërimi i qytetarëve me klasën politike s’ka qenë më i madh. Kjo pritet të pasqyrohet edhe më 22 tetor, në të cilën ditë qytetarët në shenjë frustrimi ose s’do të dalin ose do t’i bëjnë fletëvotimet të pavlefshme. Politikanëve u janë shteruar premtimet, të cilat i kanë dhënë shumë herë, por që asnjëherë nuk i kanë realizuar. Qytetarët, edhe ata që dikur ishin militantë, tanimë janë vetëdijesuar nga dëshpërimi, qytetaria në Kosovë nuk ka votuar dhe s’po voton, sepse po mungojnë alternativat e besueshme. Nuk shkon më jeta me atë shpresën hajt ta provojmë këtë apo atë, dhe këdo që e provojmë po dalin më të këqij se ata të cilët duam t’i largojmë nga pushteti. Me pak fjalë, e tërë klasa politike është kriminalizuar, korruptuar dhe shndërruar në strehë të kriminelëve dhe banditëve”, theksoi Mehmeti për “Kosova Sot”. Ai konsideron se tani si rezultat i dëshpërimit dhe mospasjes së shpresës se këtu do të bëhet mirë, qytetarët po ikin vazhdimisht. “Ikja në heshtje mediatike, po ndodh tash e sa kohë. Kjo po reflektohet edhe në shkolla, ku çdo vit kemi më pak nxënës, disa edhe në mes të vitit shkollor marrin fletë-kalimet, pasi po ikin nga këtu. Nuk po ikën vetëm shtresa e varfër, por edhe ajo e mesme, ata që sadopak kanë një jetë mesatare. Kjo shtresë po ikin, sepse këtu dinjiteti i të ndershmit përdhoset, shkelet nga njerëz që janë mbi ligjin dhe që ligji punon për ta dhe nuk i prek dot ata. Kjo ikje do të vazhdojë edhe më tutje, si pasojë e politikanëve të dështuar, të cilët nuk kanë asnjë qëllim tjetër, pos të pasurohen sa më shpejt dhe sa më shumë”, potencoi Faton Mehmeti.
Elita në pushtet e zhvati popullin
Edhe analisti Skënder Mulliqi thotë se jo vetëm fushata e tanishme e zgjedhjeve lokale, por krejt fushatat e pasluftës treguan tashmë se kanë qenë vetëm një mashtrim i madh, së pari karshi elektoratit e pastaj edhe karshi Kosovës. “Shumë premtuan gjatë fushatave partitë politike e pak i realizuan nga këto premtime. Aktorët e skenës politike kosovare u interesuan më shumë që të marrin paga të majme, që t’i sigurojnë familjet dhe militantët e tyre partiakë. Po të ishte vetëm kjo do të ishte e keqja më e vogël, sikur mos të ishim dëshmitarë të hajnive masovike, të pasurimit të pafund të kësaj klase politike dhe atyre përreth tyre. Kosova bashkë me popullin e saj nuk ka përjetuar ditë të mira gjatë këtyre 18 vjetëve e që me të drejtë është menduar se do të kemi një gjendje shumë më të mirë ekonomike dhe sociale”, u shpreh ai. “Pakënaqësia e qytetarëve ka arritur përmasa shqetësuese, se nuk po shohin perspektivë për të jetuar në Kosovë. U është mbyllur hapësira e veprimet, siç thuhet, për të mbetur disi gjallë. Për shkak të sjelljeve shumë të papërgjegjshme të elitës politike, sidomos këtyre viteve të fundit, të cilët vendin e futën në kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, sigurisht se ka rënë edhe interesimi për dalje në votime të 22 tetorit. Janë demoralizuar aq shumë njerëzit, sa nuk po shohin më dritë në fund të tunelit. Kjo është më e keqja që mund t’i ndodhë një populli. Me praktika të vjetra të veprimit pas së cilës palë të zgjedhjeve janë ngopur qytetarët”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”. Mulliqi thotë se qytetarët me të drejtë kanë pritur një zhvillim shumë më pozitiv të ngjarjeve politike, e veçmas të atyre ekonomike. Ai thotë se përfundimisht në Kosovë po zhduket klasa e mesme, kanë mbetur një pakicë pasanikësh, dhe kategoria shumicë, e cila gjithnjë e më shumë po varfërohet.
(Kosova Sot)


