Tenderomania milionëshe, zhvatja e shekullit, që amnistohet nga drejtësia
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se tenderimi është fusha ku ka kriminalitet më të lartë dhe në të gjitha nivelet, ngase nuk ka tender që është dhënë dhe që nuk ka lidhje të dukshme të korrupsionit të lartë, derisa, sipas tyre, ka raste kur vetëm në letër figuron firma, ndërsa i ndahet tenderi dhe pastaj kjo firmë e vazhdon ndarjen më tej deri te ndërtuesi dhe ky i fundit e kryen punën shkel e shko, sa për ta kryer dhe pa kualitet.
Ata thonë se qytetarët e Kosovës janë bërë viktimë e madhe në këtë vend ku nuk ka sundim të ligjit, edhe pas 18 viteve, dhe e tërë kjo falë klanit “PRONTO” të Adem Grabovcit & Co me Shkëlqim Devollin, dhe të tjerëve, që po e degradojnë shtetin e Kosovës. Ndaj, kanë shtruar edhe çështjen se si po vazhdojnë të jepen tenderët, e shumëçka tjetër përmes formave të paligjshme edhe atë për mbi 18 vjet me radhë, ndërkaq Prokuroria, si në kohen e UNMIK-ut, pastaj të EULEXit, e deri te Prokuroria Speciale po vazhdojnë të injorojnë dhënien e qindra miliona eurove të parave të tatimpaguesve kosovarë përmes rrugëve të krimit të organizuar. Për atë se përse qytetarët e këtij vendi janë të pambrojtur nga drejtësia dhe nuk jetojnë me dinjitet, pasi nuk sundon ligji i së drejtës, por edhe a janë qytetarët viktima më e madhe e këtij sistemi të degraduar të drejtësisë, ku qytetari i ndershëm i këtij vendi kot pret drejtësi dhe nuk ka shans të gjejë drejtësi në këtë sistem të “drejtë- sisë” të inkriminuar në krimin e organizuar, flet shkrimi në vijim.
Përfitimet ilegale përmes parasë publike
Profesori i së drejtës Riza Smaka ka nënvizuar se tematika e tenderimeve në vendin tonë veçanërisht është shumë problematike dhe kjo ndër të tjera edhe për shkak të mungesës së eksperiencave të mira, pastaj mungesa e aplikimit të ligjit në fuqi, edhe qëllimet jo të mira për ta përfillur ligjin, derisa, sipas tij, të gjitha këto kur akumulohen del se në tenderime janë bërë mjerisht dhe vazhdojnë të bëhen abuzime të konsideruara në disfavorin e parasë publike, të interesit publik, të ligjshmërisë në vendin tonë, sigurisë juridike. ” Më pastaj, përpos përfitimeve ilegale financiare të shumave të mëdha, rezultojnë edhe pasojat edhe më të rënda, pasi nuk kryhen punët me cilësinë e garantuar, sepse ekziston marrëveshja e heshtur që kaq para i more prej meje, dhe tash me këto para që po mbeten nuk mundem ta kryejë punën me material, po e zëmë, të vlerave optimale, por duhet me ato minimale, të kategorisë së tretë, edhe së andejmi del se punimet e kryera shpeshherë janë defektuoze, se duhet të riparohen, më pastaj kontraktimet nuk bëhen ndershëm, sepse nuk përcaktohen zakonisht afatet e garancisë. Po e zëmë, e ka kryer objektin dhe duhet të jetë afati i garancisë, ta zëmë 10 vjet, që çfarëdo defekti që ndërtimtari ishte dashur ta evitonte, por kjo nuk ekziston, ose nëse ekziston, formulimet bëhen të tilla që mund të japin interpretime ekuivoke, antivalente që paraqiten më pastaj problematika edhe për gjykatat”, shpjegoi për gazetën “Kosova Sot” Profesori i së drejtës, Riza Smaka.
KRIMINALITETI NË SHKALLËN MË TË LARTË
Profesori universitar Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se natyrisht që tenderimi është fusha ku ka kriminalitet më të lartë dhe në të gjitha nivelet, ngase nuk ka tender që është dhënë dhe që nuk ka lidhje të dukshme të korrupsionit të lartë. Sipas tij, ka raste kur vetëm në letër figuron firma, ndërsa i ndahet tenderi dhe pastaj kjo firmë e vazhdon ndarjen më tej, deri te ndërtuesi dhe ky i fundit e kryen punën shkel e shko, sa për ta kryer dhe pa kualitet.”Këtë fakt e dokumentojnë më së miri ndërtimet e bëra. Nuk ka rrugë, ambulantë, shkollë apo objekt i ndërtuar për institucione që i plotëson standardet e ndërtimit. Ato shkatërrohen ende pa u lëshuar në punë.Kjo në njërën anë, në anën tjetër kemi sistem të tillë të drejtësisë, ku qytetari nuk gëzon mbrojtje juridike. Mjafton të dihet pozita, grupi a prejardhja dhe mbrojtja të caktohet.Këtë e tregojnë mbi 300 mijë lëndë të pazgjidhura, kryesisht të qytetarëve të thjeshtë, të cilët nuk kanë pozita”, u shpreh ai. “E tërë kjo është rrjedhojë e sistemit “PRONTO”, sepse me këtë sistem kemi punësim të njerëzve të paaftë në organet e shtetit. Kemi prokurorë dhe gjyqtarë që ende nuk dinë të shkruajnë shqip.Të vjen për të vjellë kur lexon aktakuzat, ankesat apo vendimet dhe gjykimet. Mendon se ke të bëjë me analfabetë. Janë të mbushura me gabime.Krejt kjo ka bërë që të kemi sistem të së drejtës kundër të drejtës së sanksionuar me ligj. Ky sistem nuk po funksionon. Ai do renovim të tërësishëm”, u shpreh Profesori universitar, Muhamet Kelmendi
QYTETARËT, VIKTIMAT E SISTEMIT
Analisti Ragip Guraziu thotë se qytetarët e Kosovës janë bërë viktimë e madhe në këtë vend ku nuk ka sundim të ligjit, edhe pas 18 vjetëve, dhe e tërë kjo falë klanit “PRONTO” të Adem Grabovcit & Co me Shkëlqim Devollin, dhe të tjerëve që po e degradojnë shtetin e Kosovës. “Që pas shpalljes së pavarësisë, klani ”PRONTO” i Adem Grabovcit& Co me Shkëlqim Devollin, përmes ryshfetit dhe shpëlarjes së parave, dhe kur kemi një Prokurori si në kohën e UNMIK-ut dhe tani EULEX-it, po deri te Prokuroria Speciale po injorojnë dhënien e qindra miliona të parave të tatimpaguesve kosovarë, dihet përmes krimit të organizuar që e ka zhvatur Kosovën dhe nuk dihet deri kur do të ndalen këto marifete”, ka theksuar ai. “Kompanitë më të vogla, në “out” nuk po munden të vijnë dhe nuk po kanë shans të vijnë deri te ndonjë tender, sepse ryshfetet janë në pyetje, “PRONTO”, me Co Shkëlqim Devolli, ‘kafshoren’ e bukës ua kanë lënë në fyt dhe këto kompani kanë dështuar. Tani qytetarët e këtij vendi janë të pambrojtur nga drejtësia dhe nuk jetojnë me dinjitet në këtë vend ku nuk sundon ligji i së drejtës”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Ragip Guraziu.
(Kosova Sot)


