Partitë i shmangen reformës në drejtësi
Ndonëse sundimi i rendit dhe ligjit është shtylla kryesore e shtetit që garanton funksionim normal dhe perspektivë të qëndrueshme zhvillimore, duke pasur një sistem të reformuar të drejtësisë që i mungon akoma Kosovës, edhe në këtë fillim fushatë zgjedhore, askush nga partitë politike deri në këto moment nuk po shfaq vullnet politik për të pasur në qendër të fushatës zgjedhore politike reformat rrënjësore në drejtësi.
Politikanët i shohim të përmendin administratën dhe punësimin, por jo edhe të çka është më e rëndësishme në këtë vend, reformimi i drejtësisë. Sipas njohësve të kësaj fushe dhe analistëve të politikës, politikanët i frikësohen reformimit të drejtësisë, prandaj nuk shohin me prioritet trajtimin serioz të kësaj fushe dhe inicimin e reformave të thella me një aneks program të përgatitur enkas për këtë lëmi.
Prof. Riza Smaka konsideron se reformat në sistemin e drejtësisë mbeten objektiva kryesore për ekzekutivin pas këtyre zgjedhjeve. “Deri tani, zaten gjithnjë para fushatës elektorale, asnjë subjekt politik nuk e ka vënë në spikamë këtë objektiv. Për këtë mund të dalin dy shpjegime të mundshme. Një që nuk u përshtatet organizimi cilësor i sistemit të drejtë- sisë nga droja e efikasitetit të mundshëm dhe të përshpejtimit të shumë rasteve juridike me konotacion e përmbajtje dhe karakter inkriminator. Së dyti nga se gjithnjë nuk janë të gatshëm, së pakut jo me projekte konkrete dhe me vizion të skicuar sa dhe si do të duhej të ristrukturohej kuantitativisht dhe kualitativisht sistemi i drejtësisë”, tha Smaka për “Kosova Sot”.
Drejtësia nën diktatin e politikës
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, pohon se sistemi gjyqësor është një ndër mekanizmat më të çrregulluar në shtetin e Kosovës dhe shikuar nga ky kënd nuk është e lehtë që të riparohet. “Tashmë është e qartë se ky sistem mund të fillojë rrugën e mbarë me dekriminalizimin e vetë politikës. Pa nxjerrë ligj mbi forcat politike kurrë nuk mund të fillohet dhe të rregullohet as sistemi juridik. Derisa në politikë kemi njerëz të përfolur dhe ndoshta edhe kriminalë, është e pamundur të kemi prokurori dhe gjyqësor të drejtë, të pavarur e legal, funksional. Politikës i duhet një prokurori dhe një gjyqësor që është nën diktatin e politikës, sepse vetëm kështu jeton krimi dhe korrupsioni kur kemi edhe politikë të papastër”, tha Kelmendi.
Ai jep edhe versionin e tij autentik pse tani partitë politike nuk flasin për reformat e duhura në drejtësi. “Pse partitë nuk flasin… tash kjo del kryesisht nga fakti se nëpër lista ka mjaft njerëz të përfolur. E ata dëshirojnë një sistem të tillë, një sistem prokurorial dhe gjyqësor që nuk i ndjek ata”, theksoi ai. “Sistemin e drejtësisë në Kosovë e rregullon Ligji Antimafia në fushën politike. Në fushën juridike kërkohet një ligj Vetting-u si në Shqipëri. Pa këto masa nuk do të kemi kurrë sistem juridik ligjor dhe të pavarur nga politika”, tha Kelmendi për ‘Kosova Sot’.
Qytetarët nuk u besojnë më premtimeve mashtruese
Edhe analisti politik, Albrim Badallaj, konsideron se çështja e reformës në drejtësi është një iniciativë kundër vetes, për disa parti apo edhe për individë të caktuar brenda partive, kështu që nuk ka vullnet për jetësimin e saj, pos nëse ka presion ndërkombëtar. “Kur flitet për administratën, harrohet të përmendet depolitizimi i saj, e njëkohësisht kur flitet për zhvillimin ekonomik harrojnë që të përmendin (pa)sigurinë për investime”, potencoi ai. “Mungesa e shtetit ligjor prodhon pastaj të gjitha stagnimet e vendit, si në moszhvillim ekonomik, si në krim të organizuar dhe korrupsion, si në shëndetësinë, e cila gjendet në katrahurë dhe në të gjitha segmentet e tjera publike. Reformimi i drejtësisë do të nënkuptonte që të kemi një gjyqësor të pavarur dhe fare, apo sa më pak të ndikuar politikisht, praktikë e cila nuk preferohet nga shumë politikëbërës”, tha Badallaj.
Ai pohon se partitë politike tek ne e dinë që me një premtim të tillë nuk do të gjenerojnë vota. “Ata e dinë që edhe qytetarët nuk e besojnë një premtim të tillë, derisa ai vjen nga ata të cilët më së shumti e shkelin ligjin dhe të cilët para drejtësisë kanë qenë vazhdimisht dhe janë gjithmonë të favorizuar”, theksoi Badallaj.
Analisti Skënder Mulliqi ka thënë se partitë fushatën e kanë filluar duke bërë akuza dhe kundërakuza të ndërsjella, të cilat lidhen më shumë për luftën për pushtet, sesa për reforma përmbajtjesore shumë të nevojshme për shoqërinë tonë të re. “Politikanët tanë nuk i dëshirojnë reformat në drejtësi, së çdo reformë në këtë hallkë të rëndësishme të pushtetit do të thotë të shpallësh luftë kundër vetit, se këta janë ata të cilët ka kanë futur në kthetra drejtësinë dhe gjyqësorin, të cilat kanë rënë moti në provim”, u shpreh ai.


