Hidromorava

Presidenca e Thaçit na izolon nga BE-ja

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Mandati i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të kaluarën e tij të deritanishme ka filluar të identifikohet nga analistët e politikës, si një nga mandatet presidenciale të vendit ndër më të izoluarat nga faktori ndërkombëtar, për nga dinamika e zhvillimit të agjendave zyrtare protokollare dhe marrëveshjeve ndërshtetërore. Një sinjal të izolimit të dukshëm të presidentit Thaçi nga faktori ndërkombëtar, veçmas ai evropian, po e vërejnë tani edhe në raportet gjithnjë e më të ftohura të Kosovës me BE-në.

Nga niveli i dinamikës së takimeve, vërehet qartazi se ka një lloj veprimi anashkalues të presidentit të vendit Hashim Thaçi nga ana e BE-së, ku ai tani ka gjithnjë e më pak takime me zyrtarët e lartë evropianë. Kjo u pa së fundi edhe nga agjenda gjysmake në rajon e komisionarit Johanes Hahn, i cili shkoi në Beograd për t’i takuar zyrtarët e lartë të shtetit serb, por nuk erdhi edhe në Prishtinë, qoftë për takim me kryeministrin në detyrë apo edhe me presidentin Thaçi.

Sipas analistëve politikë, nëse BE-ja vazhdon me trendë të tillë të distancimit nga politika dhe institucionet e Kosovës, do të jetë rrezik për vendin e ri ndjekja e një politike të tillë evropiane, e ku dëmet më të mëdha u shkaktohen qytetarëve të Kosovës që po mbeten të izoluar e jo politikanëve të kamur e pasuruar në kurriz të popullit. Tani Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm i izoluar i Evropës, derisa kemi 7 vite që vendeve të rajonit u janë hequr vizat, e Kosova nuk është në rend të liberalizimit, kryesisht për faj të politikanëve tanë destruktivë, të korruptuar dhe që nuk e luftojnë korrupsionin dhe krimin në vend. Qytetarët po mbeten peng i kësaj klase politike të inkriminuar.

Kelmendi: Thaçi po vdes politikisht

Profesor dr. Jeton Kelmendi pohon se në fakt presidenti Hashim Thaçi sot është njeriu më i parëndësishëm politik në Kosovë, andaj anashkalohet nga ndërkombëtarët. “Nga aspekti ndërkombëtar është një figurë që pakkush po merret me të, madje jo vetëm si lojtar rajoni, por as lojtar në fushën e vet nuk po e fut kush më në lojë, sepse e ka humbur rolin edhe brenda vendit. Ky njeri ka mashtruar shumë herë popullin, por edhe faktorin ndërkombëtar, prandaj nuk po i beson kush më: as populli, as ndërkombëtarët, prandaj kemi një president kukull, edhe më kukull se Jahjaga. Nga brenda as partia e tij, PDK-ja, më nuk e respekton, sepse po pozicionohen të votojnë tani sipas Ramushit, kundër demarkacionit të Hashimit, ndërsa BE as që e merr seriozisht këtë njeri dhe as nuk e takon shpeshherë”, është shprehur Kelmendi. Ai shton se në një situatë të tillë ai duhej të jepte dorëheqje. “Sado ta shtrydhësh nuk qet më asgjë, prandaj unë mendoj se Thaçi po vdes politikisht, por ta shohim se si do jetë me të bëmat e tij”, theksoi analisti Jeton Kelmendi.

Analisti politik, Blerim Burjani, ndonëse thotë që raportet BE- Kosovë janë stabile, e vërteta e hidhur është se Kosova deri më tash nuk ka arritur të bëjë një lëvizje pozitive në një nga çështjet elementare për t’u dëshmuar partnere serioze dhe pjesë e BE-së, që ta zgjidhë problemin e liberalizimit e vizave. “Tema e liberalizimit të vizave, që është kategori universale e të drejtave të njeriut, është anashkaluar në një masë të pakufishme. Tani ndoshta Kosova do të duhej të kërkojë edhe një opinion nga Gjykata për të Drejta të Njeriut për (mos) respektimin e të drejtave të njeriut. Disi duhet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje, që të thyhet izolimi me kushtëzim të lirisë së lëvizjes nga BE dhe Kosova”, është shprehur ai.

Thaçi po mundohet që ta rikthejë imazhin nëpërmjet dialogut me Serbinë

United Hospital

Politologu Gurakuq Kuçi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, thotë se injorimi më i ri i presidentit të vendit nga BE-ja është bërë edhe për shkak të jokonstruktivitetit të tij në zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale në Kosovë, duke mbajtur anë në vend që të luajë rolin unifikues kushtetues. “Ky veprim i fundit, veprimet e tjera në të kaluarën, josinqeriteti i tij ndaj popullit dhe kapja e shtetit, të gjitha këto kanë ndikuar në qëndrimin e BE-së, dhe tani këta të fundit po kërkojnë një njeri tjetër që ta bartë flamurtarin diplomatik të Kosovës, por fatkeqësisht një të tillë nuk kemi në klasën politike dhe partitë politike nuk u japin njerëzve të tillë hapësirë që do të prekte sistemin e tyre oligarkik dhe uzurpokrat. Andaj nga kjo lënie në hije, Thaçi po mundohet që të rikthehet nëpërmjet dialogut me Serbinë, për t’u dukur para ndërkombëtarëve, që është i vetmi në Kosovë që mund ta mbajë fatin e Republikës dhe mund të shtyjë proceset dhe qëllimet e tyre përpara, pa marrë parasysh se ato veprime mund të kenë pika të dëmshme për Kosovën, ndërsa në nivel vendor për veprime të tilla të shpërndajë përgjegjësinë tek e gjithë klasa politike”, theksoi Gurakuq Kuçi. Ai ka pohuar se është shumë e rrezikshme për ne një sjelle e tillë e BE-së, të cilët sikur të ishin me ndonjë shtet tjetër normal, do të ishin shumë më të ashpër deri në mosnjohjen e presidentit të atij vendi apo edhe të qeverisë, por se në Kosovë po bëhen krejtësisht disa teste të tjera. “Por, jemi tek Kosova si një rast sui generis, që po u mundë- son klasës politike në Kosovë të keqpërdorin të mirat që na vijnë nga BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja. Kosova liberalizim të vizave nuk do ketë as para 2019 madje, sepse në fund të fundit janë edhe procedura brenda vetë BE-së që Kosova duhet t’i plotësojë”, është shprehur ai. Tutje ka shtuar: “Thaçi dëshiron të kthehet si faktor, pastaj t’i sigurojë vetes përkrahje me imazh të mirë në arenën ndërkombëtare, të cilin imazh do të mund ta kapitalizonte në nivel vendi për të vazhduar qëndrimin e tij në politikë edhe pas mandatit të presidentit. Pra, nëse BE-ja, SHBA-ja dhe NATO shikojnë secila nga perspektiva e vet si ta konsolidojnë Kosovën, këtë më së paku po e bën vetë klasa e saj politike”, theksoi Kuqi.

Sinjal për t’u shqetësuar qytetari i varfër

Ndryshe, sipas analistit Ali Hertica, anashkalimi i liderëve politikë të Kosovës në disa nga agjendat e fundit në rajon nga faktori ndërkombëtar është duke u rritur në masë mjaft të hetueshme dhe ky është një sinjal për t’u shqetësuar qytetari i varfër për të ardhmen e pa shpresë që po i servon politika destruktive “Kjo tregon se lidershpi kosovar-shumica shqiptare e Kosovës në sy të faktorit ndërkombë- tar dhe në vlerësimin e qasjes së tyre ndaj qeverisjes së vendit, nuk është aspak serioz. Të anashkalohet një president vendi nga agjendat me rëndësi të debateve, në raportet me shtetet e rëndësishme të rajonit dhe Evropës, duke mos sjellë dinamikë më të madhe në marrëdhëniet bilaterale ne shenjë bashkëpunimi të gjerë me faktorin e jashtëm, tregon se liderët kosovarë dhe krerët e institucioneve nuk janë fare seriozë as në politikëbërje as në qëndrimet e partneritetit më faktorin ndërkombëtar. Pra, mungesa e takimeve për tema konkrete të përafrimit të raporteve me BE-në do të jetë një rrezik edhe për ta shtyrë një hap akoma më larg procesin e shumëpritur të liberalizimit të vizave”, është shprehur Hertica.

Klasës politike udhëheqëse të pasluftës i konvenon vazhdimi i kësaj gjendjeje

Edhe analisti Arsim Haziri konsideron se izolimi i politikës ndërkombëtare në raport me Kosovën është lajm i keq. “Fakti se komisionari Hahn ka përjashtuar autoritetet kosovare për të vizituar, tregon qartësisht për një mungesë bashkëpunimi me ata protagonistë, të cilët janë sinonim i keqmenaxhimit. Falë kësaj garniture të degraduar politike, ne si shoqëri jemi të përjashtuar prej proceseve të rëndësishme integruese, pjesë e këtij procesi është edhe ai i liberalizimit, në të cilën Kosova çalon jashtëzakonisht shumë”, është shprehur Haziri për gazetën. Edhe analisti Hidajet Ahmeti thotë se është një fakt që BE-ja vepron e punon brenda agjendës dhe mandatit të saj, por jo duke iu përshtatur vendeve pretendente si Kosova. “BE-ja ka qenë e hapur në të gjitha aspektet, por është lidershipi kosovar, i cili ka prodhuar një gjendje të pashpresë për qytetarët e saj. Klasës politike udhëheqëse të pasluftës i konvenon vazhdimi i kësaj gjendjeje, e cila nuk prodhon politika publike. Çdo kalkulim politik i zotit Thaçi është fuqizimi i tij në raport ndërkombëtar e jo në interesa qytetare, por gjykoj se edhe ndërkombëtaret kanë një pasqyrë të qartë për personalitetin dinak të Thaçit. Çdo përpjekje e Thaçit për përmirësimin e imazhit të një personaliteti të rrënuar është e kotë dhe e pashpresë”, është shprehur ai. Analisti Skënder Mulliqi thekson se para që gjë që Thaçi po anashkalohet nga struktura e BE-së, është fakti së atë e ngarkon akuza për krime të luftës nga Raporti i Dick Martit. “E dyta , faktori ndërkombëtar e di mirë së në çfarë rrethanash politike gati të shtetrrethimit është bërë president i Kosovës. E treta, gjatë qeverisjes 7-vjeçare Thaçi jo që nuk e luftoi krimin e organizuar dhe korrupsionin si kusht për liberalizim të vizave , por veç sa u trashën ato. Gjatë qeverisjes së tij u rrëmbyen të mirat materiale pa mëshirshëm nga strukturat në pushtet, dhe ndodhën edhe shumë afera korruptive të qeveritarëve të cilët u përballën më gjykata”, është shprehur Mulliqi.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.