Qeveria ‘Haradinaj’ në ‘hall’, kërkohet shkarkimi i ministrit serb Rikalos
Ende pa nisur mirë punën, qeveria “Haradinaj 2” është vënë në “ujëra të nxehta”. Ministri i Bujqësisë, për të cilin post Lista Serbe “luftoi” deri në momentin e fundit, Nenad Rikalo, po akuzohet se ka keqtrajtuar shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, shkruan sot, gazeta Zeri.
Dëshmitë e disa banorëve ndaj ministrit të qeverisë “Haradinaj” kanë bërë që shoqëria civile, analistët dhe opozita në vend të kërkojnë jo vetëm hetimin e rastit, por edhe shkarkimin e ministrit Rikalo.
Me këtë rast Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se do t’i ndërmarrë veprimet e duhura në pajtim me Kodin e Procedurës Penale, kurse kryeministri Haradinaj përmes një komunikate për shtyp ka thënë se nuk ka fakte që ministri Rikalo të ketë keqtrajtuar shqiptarë.
Pozitë e opozitë kërkojnë dënimin e Rikalos
Ndër të parët i cili reagoi për rastin “Rikalo” ishte sekretari organizativ i Aleancës Kosova e Re, Rrahim Pacolli. Ai ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që ta shkarkojë ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo, gjë që ka qenë vetëm nisje e një debati politik mes pozitës e opozitës.
Pacolli me këtë rast ka kërkuar që pas akuzave kundër Rikalos për keqtrajtim të banorëve të “Dardanisë” në Prishtinë të vihet në lëvizje Prokuroria e vendit. Për “Zërin” Pacolli e ka bërë të ditur se një gjë e tillë nuk vjen nga AKR-ja, por nga ai personalisht. “Kjo është kërkesë personale, nuk është e AKR-së”, ka thënë ai për “Zërin”.
Ai gjithashtu ka thënë se i qëndron pas kërkesës së tij për shkarkim të ministrit serb. “Unë e kërkoj të njëjtën gjë”, ka thënë ai duke iu referuar kërkesës së tij të ditës së martë për shkarkimin e ministrit Nanad Rikalo.


