Premtimeve për liberalizim vizash nuk u beson më askush
Bazuar në këto ditë që po i lëmë pas të fushatës së pashpallur zyrtare të partive politike, që po bëjnë në terren, premtimet duket se nuk do të kursehen as këtë herë. Koalicioni PDK-AAK-NISMA, në fokus qendror nga pretendenti për kryeministër të ardhshëm të vendit është premtimi për liberalizimin e vizave.
Dy koalicionet rivale, për t’i fituar zgjedhjet, po premtojnë heqjen e vizave
Bazuar në këto ditë që po i lëmë pas të fushatës së pashpallur zyrtare të partive politike, që po bëjnë në terren, premtimet duket se nuk do të kursehen as këtë herë. Koalicioni PDK-AAK-NISMA, në fokus qendror nga pretendenti për kryeministër të ardhshëm të vendit është premtimi për liberalizimin e vizave.
Analistët politikë konsiderojnë se ky është vetëm një premtimi më i gënjeshtërt i koalicionit PDK-AAK-Nisma, që afatizohet brenda 3 muajsh. Edhe koalicioni rival i udhëhequr nga LDKja ka nxituar të japë premtimet e tij për këtë çështje. “Fitorja e koalicionit tonë në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit 2017 do t’i japë fund izolimit ndërkombëtar të Kosovës, duke liberalizuar fillimisht vizat për qytetarët e Kosovës, për t’i hapur rrugën procesit të integrimit të plotë euroatlantik të Kosovës”, është një premtim edhe nga koalicioni LDK-AKR-ALTERNATIVA pas certifikimit të listës së kandidatëve për deputetë. Partitë e mëdha, që ishin vazhdimisht në pushtet, gjithnjë premtuan, por nuk e arritën ta siguronin liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.
Zotime absurde
Opinionistët e Gazetës konsiderojnë se është edhe një absurd i madh ku politikanët në kërkim të votës e gënjejnë elektoratin edhe për gjëra që nuk janë në dorën e tyre, por në dorë të BE-së. Sidoqoftë, ky premtim mund të jetë vetëm një karrem mashtrues, si për ata që deri dje ishin në pozitë, ashtu edhe ata në opozitë, të cilët nuk e kanë problem të premtojnë gjëra që nuk realizohen dhe nuk është në duart e tyre. “Premtimet elektorale nuk duhet të merren seriozisht, sidomos kur premtojnë politikanët e shteruar nëpër fushata dhe qeverisje. Premtimet e kandidatit të koalicionit të partive të dala nga lufta janë të shumta, ndërsa vetë kandidati për kryeministër, Haradinaj, nuk ka fuqi elektorale dhe nuk është aspak i besuar i PDK-së, prandaj e bëjnë edhe më të pabesueshëm. Vizat nuk hiqen as për tre muaj, as për kurrë një kohë, nëse nuk ratifikohet Demarkacioni, prandaj këtu Haradinaj ka mashtruar keq, dhe atë ose ata që e kundërshtojnë Demarkacionin, sepse ky tani ose duhet ta votojë ose ka treguar përralla, sepse dihet se nuk kryhet kjo punë për tre muaj. Pra, nuk mund të rinegociohet as me Malin e Zi për tre muaj, sikur që nuk vendos as Arbitrazhi kaq shpejt”, tha analisti politik Jeton Kelmendi.
Përpjekje manipuluese
Joserioz është ky premtim edhe sipas politologut Arsim Haziri. “Trupit elektoral publik i bëj thirrje që assesi të mos bjerë pre e këtij premtimi të rrejshëm, pasi i njëjti ishte dhënë edhe më herët, por ja që Kosova, në këtë proces po ngec jashtëzakonisht shumë. Duke e ditur politika që sfera shoqërore ndjehet tejet e izoluar sa i përket çështjes së liberalizimit, ajo mundohet me këtë kartë të tentojë të përfitojë besimin qytetar. Pra, ky është manipulim dhe njëherësh përbën fytyrën e vërtetë të këtij koalicioni, i cili ndërtimin e saj e gjeti mbi bazën e interesit material, duke e shkelur fuqishëm atë nacional. Ky partneritet është pikënisje e vazhdimësisë së krimit dhe korrupsionit mbi të gjitha mosfunksionimit të përgjithshëm, andaj trupi publik kësaj radhe duhet të jetë më vigjilent, që me votën e tyre të ndëshkojë këto martesa politike të interesit”, ka theksuar ai. “Vendit i duhet ndryshim substancial, vendi mund të ketë qeverisje që për synim ka zhvillimin vetëm nëse opinioni mendon subjektivisht në procesin elektoral, çdo mundësi tjetër është e destinuar të dështojë”, tha Haziri për “Kosova Sot”.
Demarkacioni i komplikuar
Premtim i zakonshëm, mashtrues elektoral i tepruar me përsëritje është premtimi për heqjen e vizave brenda tre muajsh edhe sipas Muhamet Kelmendit. “Natyrisht se në fushatë dhe në parafushatë elektorale bëhen premtime të ndryshme. Shpeshherë këto premtime nuk finalizohen. Ato konsiderohen thjesht fushatë për vota. E di personalisht vullnetin e patundur të Ramush Haradinaj për punën e madhe në liberalizimin e vizave. A do të arrihet kjo për tre muaj është një çështje që duhet të presim”, është shprehur ai. “Dihet tashmë se liberalizimi do të varet nga Demarkacioni. Sa do të zhvillohet ajo pas rënies së kësaj marrëveshjeje në Kuvend, varet edhe nga Mali i Zi”, vlerëson ai. “Kam dëshirë që Podgorica të ketë vullnet dhe natyrisht se Demarkacioni në dy pikat më kontradiktore shumë shpejt mund të tejkalohet. Së këndejmi, mendohet se do të bëhet edhe liberalizimi. Në të kundërtën, nëse çështja shkon në Arbitrazh, liberalizimi do të zgjatë shumë. Pra, të presim zhvillimet. Sidoqoftë dihet mirëfilli që ,në dy pikat kontradiktore, në Çakorr dhe në Kullë, janë pika kontradiktore dhe ato duhet përmirësuar”, tha Kelmendi . Premtim pa mbulesë, që nuk do të realizohet me ekspres procedurë, është liberalizimi i vizave edhe sipas analistit Ali Hertica. “Afrimi i ditës së zgjedhje dhe dinamizmi i fushatës elektorale të të gjitha subjekteve politike, si parim e ka dhënien e premtimeve, por që të gjitha po shihet se janë thuajse boshe, pa dhënë asnjë shpresë se mund të përmbushen lehtë e shpejt, sepse edhe deri më tani qytetari është bombarduar dhe ngopur me premtime të njëjta nga subjektet e njëjta politike dhe liderët gënjeshtarë”, tha Hertica./kosova sot/


