Kosovarëve u është vrarë shpresa, karvani i ikjeve vazhdon
Stacioni i Autobusëve në Prishtinë sërish është bërë vendi prej nga kosovarët, kryesisht të rinj, nisin rrugëtimin e tyre drejt vendeve të perëndimit, duke mbushur autobusët që shkojnë për në Beograd, më pas për në Suboticë, për të kaluar kufirin hungarez. Skenat e para tri viteve po përsëriten prapë, por në përmasa shumë më të vogla se atëherë. Ekipi i gazetës “Kosova Sot” ka qëndruar të martën në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ku nuk ka parë numër të madh të qytetarëve që janë grumbulluar për të parë dramën e re. Tre autobusë përplot me udhëtarë të martën mbrëma udhëtuan për në Beograd.
KOSOVA MBETET NJË VEND I PASIGURT DHE I PAPERSPEKTIVË PËR QYTETARËT
Kelmendi: Në Kosovë de-fakto po ndodh një zbrazje e heshtur
“Është vrarë shpresa dhe nuk ka më hapësirë për lutje. Rezultatin e keqqeverisjes po e shohim, sepse po manifestohet me jovlerë dhe tallava. Nëse arsimi dhe shëndetësia nuk janë në nivelin e duhur dhe duhet rënë në dy gjunjë për një vend pune, atëherë pse duhet qëndruar. Mendoj se është koha për një mobilizim tjetër dhe me pastërti e vizion të qartë të rikthehet besimi në institucione”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Haki Abazi
Stacioni i Autobusëve në Prishtinë sërish është bërë vendi prej nga kosovarët, kryesisht të rinj, nisin rrugëtimin e tyre drejt vendeve të perëndimit, duke mbushur autobusët që shkojnë për në Beograd, më pas për në Suboticë, për të kaluar kufirin hungarez. Skenat e para tri viteve po përsëriten prapë, por në përmasa shumë më të vogla se atëherë. Ekipi i gazetës “Kosova Sot” ka qëndruar të martën në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ku nuk ka parë numër të madh të qytetarëve që janë grumbulluar për të parë dramën e re. Tre autobusë përplot me udhëtarë të martën mbrëma udhëtuan për në Beograd.
Numri i qytetarëve që kishin dalë të parë dhe përcjellë njerëzit ishte mjaft i madh. Qytetarët janë shprehur të mllefosur me mosperspektivën që i ka kapluar në vend dhe nuk shohin rrugë tjetër pos të largohen nga vendi. I tillë ishte qytetari Bahri Sheholli, nga Podujeva, që është shprehur se kjo situatë është një tmerr i vërtetë dhe po ndodh për fajin e kësaj klase politike. Situatën e rëndë në vend e shikon edhe qytetari tjetër, Hajzer Mulaku, nga Komorani, i cili thotë se ai është i gatshëm në çdo moment me plot shokë të tjerë të tij që të largohet nga vendi. “Dua të ik nga këtu, pasi s’ka asgjë në këtë vend. 20 vjet pritëm dhe më ka humbur durimi, s’mund të pres më populli, s’ka perspektivë, s’ka punë, s’ka paga, me çka të jetohet?”, është shprehur ai. Sipas Indeksit Global të Paqes 2016, del se shteti i Kosovës është renditur si vendi i katërt më i pasigurt në kontinentin e vjetër. Kjo renditje ka pasuar sepse qytetarët sërish kanë nisur me të madhe të ikin ilegalisht nga Kosova edhe atë përmes autobusëve nëpër Beograd për në Hungari e më pas në vendet e tjera perëndimore. Hulumtimi tregon se si po duket qytetarët veçanërisht të rinjtë tanë e kanë humbur shpresën në mungesë të perspektivës e punësimit në Kosovë. Ata po e bëjnë këtë migrim ilegal duke ia mësyrë botës në kërkim për të gjetur një jetë më të mirë nga kjo sepse atyre sikur ju venitur shpresa për të jetuar në Kosovën e inkriminuar dhe të pashpresë dhe që është kapluar nga dukuritë negative.
Sundojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni
Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se Kosovën si vend të pasigurt, jo me stabilitet politik e ekonomik, e ka sjellë në këtë gjendje qeverisja e keqe dhe pushtetet e qeveritë e papërgjegjshme, pra siç tha duke e renditur kështu në vendin e katërt në kontinentin evropian si vend i pasigurt sipas Indeksit Global të Paqes 2016. Sipas tij, kjo tregon se fatkeqësisht Kosova mbetet një shtet i pasigurt për perspektiven e jetës së qytetarëve, një shtet ku nuk sundon ligji dhe rendi juridik, një shtet pa stabilitet politik dhe pa zhvillim ekonomik, një shtet në të cilin sundon krimi i organizuar dhe korrupsioni, një shtet me një papunësi enorme, një shtet pa perspektivë jetësore të punësimit etj. “Në Kosovë de-fakto po ndodh një zbrazje e heshtur, pra qytetarët kanë filluar sërish të ikin ilegalisht, kryesisht të rinjtë, drejt shteteve evropiane për një jetë më të mirë dhe krejt kjo nuk i bën fare përshtypje klasës politike të inkriminuar, derisa Kosova është katandisur si njëri nga vendet më të pasigurta në Evropë, atëherë kjo gjendje është për fajin e vetë pushteteve dhe klasës politike që po qeverisin Kosovën që nga 2008- ta, e që nuk kanë qeverisur me përgjegjshmëri, por në të vërtetë kanë sunduar Kosovën duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve, kështu që ky sundim i Kosovës nga mafio-politika dhe oligarkia politika nuk ka assesi që t’i sjellë të mira Kosovës, derisa partitë politike pa përjashtim janë në shërbim ekskluziv të krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale në Kosovë, kështu e kanë vrarë shpresën e qytetarëve për një jetë më të mirëqenë në Kosovë”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.
Badallaj: Fajtor në këtë situatë të humbjes së shpresës së qytetarit është edhe bashkësia evropiane
Analisti Albrim Badallaj thotë se realisht largimi përmes rrugëve ilegale i qytetarëve të vendit, përveçse është humbje e shpresës dhe kërkim për një jetë më të mirë, është edhe mungesë e përgjegjësisë së klasës sonë politike. Tutje sipas tij gjatë gjithë këtyre viteve kemi parë mosstabilitet ekonomik, me mandate të papërfunduara dhe me protesta të dhunshme për çështje politike, e asnjëherë për papunësinë apo mirëqenien sociale. Ai shtoi se largimi i investitorëve u bë për shkak të pasigurisë dhe mungesës së klimës investuese, të cilët u larguan në vendet e rajonit, u bë për shkak të kushtëzimeve nga institucionalitët tanë, të cilët dëshironin të ishin “hisedar” në fitim. “Përveç fajtorit të brendshëm, fajtor në këtë situatë të humbjes së shpresës së qytetarit është edhe bashkësia evropiane. Përmes misionit të saj EULEX, dikasteri i Drejtësisë, ka dështuar pothuajse totalisht, e nga ana tjetër edhe statusi i Kosovës mbetet ende i padefinuar. Po ashtu standardet e dyfishta të përdorura ndaj Kosovës në proceset integruese e bënë qytetarin e Kosovës, përveçse të izoluar e pa perspektivë, edhe të pashpresë. Është e dhimbshme se si pasuria e këtij vendi, rinia dhe kuadrot e arsimuara po detyrohen të largohen si në vitet e para luftës, përmes një eksodi të ri tanimë. Korrupsioni ka bërë që Kosova t’i ketë të gjitha këto pasoja dhe këtë pasiguri për një jetë të mirë në vend”, është shprehur Badallaj. Sipas tij, duke mbetur një vend i përbetuar pro-evropian, Kosova është shndërruar në një top të Evropës, e cila nuk po na pranon në gjirin e saj dhe shtetet me të kaluar kriminele po i favorizon më shumë se sa neve, veçse jemi një shtet i vogël.”Mirëpo shqiptarët e Kosovës janë më tepër se kosovarë, meqë kanë një shtet amë dhe janë një fuqi në Ballkan, të cilët mund ta destabilizojnë vendin për shkak se janë të irrituar me trajtimin që u bëhet, si qytetarë të botës së tretë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Albrim Badallaj. Analisti Fadil Lepaja ka veçuar se Kosova nuk po shkon kah siguria, por po rrëshqet gjithnjë e më tepër nga pasiguria, derisa siç tha zgjedhjet e fundit treguan se oligarkia ka humbur elektorat, kështu që edhe një turr shpërnguljesh të organizuara, përmes nëntokës kosovare dhe asaj serbe gjithsesi se u shkon përshtati.” Ende me prioritet për bashkësinë ndërkombëtare mbeten marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi dhe do të tolerohen parregullsi të brendshme për të kaluar marrëveshjet. Koalicioni i ri që do të formohet i ka këto prioritete: të vazhdojë me të vjetrën brenda dhe të bllokojë proceset me jashtë, sepse me liberalizim për shembull bie krejt profiti i planifikuar nga masa e madhe e njerëzve që do të donin të iknin nga këtu”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Fadil Lepaja. Analisti Haki Abazi thotë se është kohë e gjatë e paqartësisë dhe situatës pa prosperitet, sidomos për të rinjtë, derisa siç tha është e natyrshme që ka humbur sensin dhe qëllimin një masë e madhe. “Është vrarë shpresa dhe nuk ka më hapësirë për lutje. Rezultatin e keqqeverisjes po e shohim, sepse po manifestohet me jovlerë dhe tallava. Nëse arsimi, shëndetësia, nuk janë në nivelin e duhur dhe duhet rënë në dy gjunjë për një vend pune, atëherë pse duhet qëndruar. Mendoj që është koha për një mobilizim tjetër dhe me pastërti e vizion të qartë të rikthehet besimi në institucione”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Haki Abazi.
(Kosova Sot)


