ARKATANA

Zvarritja e formimit të qeverisë së re dëmton rëndë interesat e Kosovës

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Nga Reshat Sahitaj – Krijimi i Qeverisë së re sipas rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit të këtij viti, është dashur që të përfundonte gjer më tani, mirëpo ajo mbahet peng e interesave personale të një grupi të vogël personalitetesh politike.

Zvarritja e themelimit të Qeverisë së re, dukshëm po e dëmton imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, e këtë prishje të imazhit më së miri e kuptojnë ata të cilët kanë kontakte sistematike me personalitete euro-amerikane, ku fillimi i bisedave me të huajt, miq të shtetit tanë, është zhgënjimi i tyre me zvarritjen e krijimit të Qeverisë. Natyrisht bisedat vazhdojnë me humbjen e milionave, për shkak të moskrijimit të Qeverisë dhe një varg problemesh dhe fenomenesh negative në dëm të zhvillimit të Kosovës dhe mirëqenies së popullsisë skajshmërisht të varfër.

A ka ndryshuar jeta e qytetarit në Kosovën e pasluftës?

Të bëhet një krahasim me gjendjen e popullsisë para dhe pas lufte, aktualisht është një gabim i madh, sepse do të mbetesh i pakuptuar nga strukturat politike, të cilët do t’i lëshojnë këlyshët e tyre për të etiketuar me lloj-lloj epitetesh. Jeta e qytetarit tonë gjatë kohës së okupimit ishte në rrezik në çdo sekondë, ku forcat serbe arrestonin dhe vrisnin me të vetmin pretekst se ne jemi shqiptarë. Gjendja ekonomike e shqiptarëve ishte shumë e vështirë, mirëpo në saje të solidaritetit të brendshëm dhe të diasporës sonë, popullsia arriti të mbijetojë. Shpresa e vetme kolektive ishte çlirimi kombëtar i Kosovës, ku secilin shqiptar e mbanin shpresat se në Kosovën e lirë do të jetonin pa dhunë policore dhe në gjendje ekonomike normale. Serbia e dinte se Kosova po i shkëputej nga duart, andaj ata do të ndërmerrnin masa që njerëzit e tyre të jenë faktorë në Kosovën e pasluftës, përmes së cilëve dora okupuese e tyre të mbante nën kontroll ekonominë dhe politikën tonë, pikërisht ashtu siç e kishte shkruar Makiaveli në fillim të viteve 1500. Për t’u çliruar në luftë u futën kryesisht pjesa më e varfër e shoqërisë sonë, familjet e të cilëve gjithnjë ishin të persekutuar nga sistemi okupues, ndërsa një pjesë e madhe e intelektualëve të asaj kohe, fëmijët e tyre i larguan nga lufta për t’i dërguar në Angli dhe vende të tjera të botës. Gjatë këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve në Kosovën e lire dhe demokratike, Serbia përmes shërbëtorëve të saj, që dikur i kishte rekrutuar, futur e infiltruar në pozitë dhe opozitë e në grupe të ndryshme legale dhe ilegale do t’i aktivizonte për t’i instaluar në të gjitha strukturat e institucioneve të Kosovës. Kjo strukturë, pavarë- sisht partisë që i takonte, do t’i koordinojnë aktivitetet e tyre, në mënyrë që asnjëri prej shërbë- torëve të sistemit okupues të mos mbetej i dëmtuar as ekonomikisht, e as politikisht. Me kalimin e kohës, secila parti ua mbylli derën hermetikisht të gjithë veprimtarëve të devotshëm, ua mbylli derën të gjithë luftëtarëve të lirisë dhe familjarëve të tyre dhe nuk është aspak për t’u habitur se si ende asnjë anëtar i familjes Jashari nuk arrin të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, ose Adem Demaçit nuk i ofroi asnjëra nga partitë ekzistuese një vend në Kuvend apo në Qeveri. A nuk do fitonte vota për të qenë deputet një nga familja e Jasharëve?! A nuk do fitonte vota të mjaftueshme Adem Demaçi për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës?! Largimi i luftëtarëve të sinqertë, injorimi që iu bë vite me radhë bijve dhe bijave më të mirë të Kosovës, zhvlerësimet e të gjitha aktiviteteve patriotike dhe kontributi i dhënë nga grupe, shoqata, individë të shumtë dekada me radhë, injorimi skajshmërisht i gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës, ka ndikuar që sot populli ta ketë humbur besimin në çdo parti politike dhe në çdo lider. Këtij mosbesimi i është shtuar edhe strukturimi i ishbashkëpunëtorëve të Serbisë në shumë institucione shtetërore duke i nënçmuar dhe duke i përbuzur familjet e dëshmorëve, të plagosurit gjatë luftës, gjymtyrët e të cilëve mbetën maleve e fushave të lara më gjakun më të pastër shqiptar. Kjo strukturë e shtrirë në rrafshin horizontal dhe vertikal të pushtetit, ka bërë që të ndëshkohen psikikisht dhe ekonomikisht pjesën më të madhe të atyre familjeve, që tradicionalisht ishin kundër pushtuesit. Rehabilitimi i shërbë- torëve të pushtuesit, duke i punë- suar në institucione tona, dhe pranimi i shumicës së tyre si veteranë të luftës i ka zhvlerësuar vlerat e luftës dhe vlerat e çdo patrioti shqiptar. Korrupsioni, krimi i organizuar ekonomik e politik, keqmenaxhimi i Qeverisë e të gjitha këto që u thanë janë pjesë e librit “Sundimtari” nga N.Makiaveli, që serbët po i zbatojnë në vendin tonë, për interesa të tyre.

Pse bllokohet krijimi i Qeverisë së re?

Eco Higjiena

Zvarritja e krijimit të Qeverisë së re vjen nga shumë faktorë që në vete ngërthejnë shumë arsye dhe pretekste për interesa të grupeve që në dukje të pare janë të paimagjinueshme për opinionin tonë. Është e paimagjinueshme të mendohet se zvarritja e themelimit të Qeverisë shkakton humbje ekonomike katastrofale,që kalojnë shumën 100- milonëshe. Është e pamundur të mendojmë se zvarritja e krijimit të Qeverisë po e dëmton rëndë imazhin e shtetit tonë kudo në botë dhe me këtë po i largojmë miqtë e Kosovës, që dikur ishin aleatë të luftës sonë çlirimtare. Është absurd të imagjinojmë se moskrijimi i Qeverisë në kohë të duhur dukshëm po e konfirmon propagandën qindravjeçare serbe, se shqiptarët nuk duan dhe nuk kanë aftësi për të mbajtur shtet stabil, sepse, sipas tyre, jemi ende popull primitiv që punojmë sipas interesave të fiseve. Që nga paslufta e deri më sot, personalitetet tona politike, Kosovën e kanë shndërruar në një oazë të korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomiko-politik, duke krijuar pasuri përrallore personale dhe për familjarët e tyre nga buxheti i shtetit më të varfër në botë. Në Kosovë është krijuar qëllimisht një klimë e mossigurisë për investime kapitale të huaja, pa të cilat investime në makroekonomi vendi ynë do të mbetet vetëm si importues, duke mos pasur asgjë për eksport. Të gjitha këto bashkërisht ndikojnë në thellimin e krizës ekonomike dhe në ardhmëri të pasigurt për të rinjtë tanë. Zvarritja e themelimit të Qeverisë së re nuk bëhet vetëm për dëmtimin e imazhit tonë, por në radhë të parë për mbrojtjen e pasurisë së fituar ilegalisht, ngase duke qenë në pushtet ajo pasuri mbetet e paprekshme. Duke qenë pjesë e pushtetit jo vetëm që mbrojnë pasurinë ilegale, por edhe e legalizojnë.

Kalkulimet politike

Këto ditë partitë politike, në fakt disa liderë të partive politike, janë në ethe të rënda, ku secili prej tyre është duke e shikuar mundësinë të jetë pjesë e pushtetit. Këto ditët e fundit kanë filluar negociata e biseda sekrete dhe jo sekrete ku secili përpiqet t’ia hedhë tjetrit, duke përdorur metoda radikale jo demokratike. Gjatë ditëve të kaluara kur ekzistonin shanse të mëdha për krijimin e Qeverisë, disa nga bosët kryesorë të mafies politike ia filluan kërcënimeve më të paskrupullta ndaj liderëve të ndryshëm, duke i shantazhuar në mënyrë që Qeveria të krijohet vetëm kur dikush nga bosët të sigurojë vetveten dhe grupet e tyre. Pengesa kryesore e moskrijimit të Qeverisë vjen nga vetë PAN-i, sepse disa bosë të këtij koalicioni i frikësohen forcimit të autoritetit të Kadri Veselit, i cili brenda partisë së tij po arrin të ketë kredibilitet më shumë se të gjithë të tjerët. Forcimi i Kadri Veselit sot, dukshëm do ta rrezikojë autoritetin e disa të tjerëve, si: Xhavit Halitit, Adem Grabovcit e shumë të tjerëve, të cilët në asnjë mënyrë nuk dëshirojnë një Qeveri të re, ku ata nuk janë pjesë e vendimmarrjeve. Në anën tjetër, Ramush Haradinaj me marrjen e postit të kryeministrit do të forconte karrierën e tij personale dhe të AAK-së, gjë që një grup brendapërbrenda PAN-it po e shohin si rrezik i ardhshëm ku PDK-ja do zbehet e AAK-ja do të ngritët. Forcimi i Kadri Veselit nuk shihet i dobishëm as për VV-në e Albin Kurtit, të cilët përdorin të gjitha mjetet dhe metodat në mosformimin e Qeverisë së re, ose formimin e Qeverisë se re me Albinin si kryeministër, por që aktualisht kjo do mbetet ëndërr e parealizuar e Albin Kurtit. Moskrijimi i Qeverisë për VV-në është i dobishëm, sepse, sipas tyre, në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme, nëse shkon vendi, kjo parti planifikon të fitojë shumicën absolute, gjë që edhe ky opsion i tyre do të mbetet ëndërr e parealizuar. Disa liderë brenda VV-së , edhe pse i takojnë të njëjtës familje politike, janë të lidhur ngushtë më grupin e PDKsë, të cilët ka spekulime se janë satelitët e PDK-së, sepse i bashkon e kaluara e tyre, e veçanërisht keqpërdorimi i fondit “Vendlindja thërret” dhe shumë veprime të tjera enigmatike, që ende kanë mbetur pa përgjigje. Është duke u përfolur, por jo e konfirmuar se Albin Kurti ka filluar të grumbullojë nënshkrimet e deputetëve që t’i bëjë mbi 61, e në anën tjetër ndoshta edhe Miliam Zeka do t’i bëjë thirrje miqve te tij deputetë që t’i grumbullojë më shumë se Albin Kurti. Pavarësisht këtyre pengesave interne dhe tinëzare, sipas bisedave konfidenciale që kam pasur rastin t’i zhvilloj këto ditë me disa personalitete politike, pritet që Qeveria të krijohet shumë shpejt me Ramush Haradinajn kryeministër e Kadri Veselin kryeparlamentar.

(Kosova Sot)