Mobi Casa

Pak politikë

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Mimoza Kusari Lila – Ka javë të tëra që në faqet e kësaj të përditshmeje synoj të trajtoj tema të cilat lidhen kryekëput me çështje zhvillimore dhe ndikime sociale. Natyrisht dhe pa përjashtime nga realiteti që na rrethon, nuk mund t’i ik apo të mbes jashtë trajtimit politik.

Partia së cilës i përkas që katër vjet, ka filluar angazhimin e saj politik në bazën e vlerave liberal-demokratike dhe një programi zhvillimor me të cilin ende sot identifikohemi dhe i cili ende sot është shumë aktual.

Në periudhën jo të lehtë të kalimit të AKR-së nga partia opozitare në parti qeveritare dhe ngritjet e zbritjet e partisë nëpër faza, një gjë ka mbetur e pandryshuar, besimi në punë dhe angazhim të mirëfilltë për ngritjen e shtetit, jo rrallëherë pa e shikuar aspak interesin e partisë. Në situata të tilla, kur njerëzit kryesorë të partisë u angazhuam në ngritjen e institucioneve, ngritjen e performancës së shtetit, rritjes së njohjeve për shtetin e Kosovës, nuk ishin të paktë ata që na deshën dhe na uruan më të keqen për subjektin.

Zërat se AKR-ja është parti në shuarje, apo se AKR-ja është krijuar për një qëllim dhe një përdorim, nuk ishin të paktë. Madje të njëjtët vazhduan me këtë trend edhe në kohën kur ishim në vlugun e angazhimeve.

Këta zëra ishin ata të analizave sipërfaqësore, të trajtimit të çështjeve me inercion dhe ndonjëherë edhe me agjendë të veçantë: të bëjnë argatin e dikujt tjetër.
Lajmi i mirë nuk është lajm, thotë një thënie, andaj pse Kosova duhet të jetë përjashtim nga rasti. Por pse duhet lajmi i mirë ta pengojë dikë. Jo pak suksese dhe të arritura të kësaj Qeverie lidhen me pjesëmarrjen e AKR-së në Qeveri. Ngritja e numrit të njohjeve, përmirësimi i Kosovës në indeksin e Bankës Botërore “Për të Bërë Biznes”, progresi në përgatitjet për negocimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit – komponenta e tregtisë, ngritja e dialogut publiko-privat me sektorin privat, ngritja dhe bashkëpunimi me Diasporën dhe shumë të tjera, vijnë dhe janë ekskluzivisht kontribut i AKR-së, partia e cila u fokusua në Shtetin dhe jo Pushtetin.

UBT

Fyerjet, sharjet apo ofendimet që zakonisht karakterizojnë fushatat politike, por që kanë filluar të ndihen në Kosovë, nuk e amnistojnë asnjë subjekt apo asnjë përgjegjës institucional nga përgjegjësia e tyre para rendit dhe ligjit. Ne mund t’i kemi gabimet tona, por ato nuk e amnistojnë krimin e dikujt tjetër, manipulimin me pronën publike, ato nuk e amnistojnë haraçin apo keqmenaxhimin në kohën kur partitë opozitare ishin në pushtet. Nëse ka ardhur koha e llogaridhënies për dikë, mos ta shprehë frustrimin dhe hidhërimin aty ku nuk e ka vendin, por të ballafaqohen me pasojat e të bëmave të veta në kurriz të popullit.

Pushteti është kalimtar, postet gjithashtu, përgjegjësia me postet mbetet, por edhe puna, vlerat dhe angazhimi do të lërë dëshmi. Përderisa ne jemi fokusuar në punë konkrete brenda hapësirës së dhënë, jam thellësisht e bindur se qytetari i Kosovës do të dijë ta vlerësojë këtë punë. Suksesi nuk do të mungojë kur ekziston përkushtimi dhe angazhimi i të gjithëve.

Para se të hyj në debate politike për programet dhe idetë tona, dua të theksoj se çdo gjë që ne jemi fokusuar dhe do ta bëjmë, do të jetë për të mirën e qytetarit dhe ashtu si besojmë ne se është më së miri. Të tjerët le t’i matin veprat dhe jo fjalët, paragjykimet apo insinuatat dhe sulmet e ulëta personale. Znj. Thatcher thoshte: Gjithmonë gëzohem nëse një sulm është i drejtuar të më lëndojë, pasi që mendoj, nëse më sulmojnë në personalitet, do të thotë se nuk ju ka mbetur asnjë argument politik për të më sulmuar.

(Autorja është zv/presidente e partisë Aleanca Kosova e Re; zv/kryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Tribuna”)