UBT

Rrugëtimi drejt ushtrisë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Vjosa Osmani – “Krenaria jonë kombëtare, është Ushtria Kosovare” është pjesë nga marshi i Forcës së Sigurisë së Kosovë, që shumëkush nga qytetarët e dëgjoi për herë të parë më 17 shkurt të këtij viti, në festën e pesëvjetorit të pavarësisë së vendit. Ky marsh entuziazmoi qytetarët, ashtu siç entuziazmuan edhe fjalët e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë se Forca e Sigurisë së Kosovës shumë shpejt do të shndërrohet në ushtri.

Me rreth 2500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervë, Forca e Sigurisë së Kosovës, çdo ditë e më tepër po shkon drejt profesionalizimit dhe ngritjes së kapaciteteve operuese, që një ditë të jetë e gatshme të bëhet eksportuese e sigurisë në pjesë të ndryshme të botës si anëtare e NATO-s. Edhe pse në dukje të parë FSK është një forcë e re, ajo mishëron në vete një vazhdimësi historike të kontributit të vazhdueshëm për paqen dhe sigurinë.

Njëqind vjet më parë, Isa Boletini me 400 bashkëluftëtarë të tij shkuan nga Kosova në Vlorë, për t’u bërë Garda e ushtrisë së shtetit shqiptar, përderisa strategë të shquar të luftës vazhduan këtë traditë përgjatë Luftës së Dytë Botërore deri te lufta e lavdishme çlirimtare në vitet e 90-ta që sollën deri te çlirimi i vendit. Vitin që shkoi, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, ishim dëshmitarë të parakalimit emocional të FSK-së në Tiranë, përkrah Forcave të Armatosura Shqiptare.

Vlen të përmendet se pak kohë para këtij parakalimi, më 22 nëntor të vitit të kaluar, Forca e Sigurisë së Kosovës, mori vlerësimet më të larta nga KFOR-i, kur komandanti i këtij misioni Erhard Drews konfirmoi se ky mision ka raportuar në NATO se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitetet e plota operuese dhe shumë shpejt pritet që ky vendim të miratohet politikisht nga NATO-ja.

Eco Higjiena

Sidoqoftë, FSK-në gjatë vitit të ardhshëm e presin shumë sfida, si profesionalizimi i kësaj force, modernizimi me pajisje, menaxhimi i sistemit të informacionit dhe ngritja e strukturës. Sfida kryesore ndërkaq mbetet rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, i cili do të definojë detyrat shtesë për FSK-në si dhe pritet të rishikojë strukturën, misionin dhe detyrat për të ardhmen. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vendosë se çfarë force, strukture, madhësie dhe misioni i duhet FSK-së. Por për të gjitha këto, FSK-ja ka nevojë për më shumë buxhet.

Kosova do të duhej të kishte një forcë ushtarake të përafërt në madhësi me shtete e rajonit dhe numrin e popullsisë. Përderisa Shqipëria ka rreth 14.500 pjesëtarë aktivë, Maqedonia ka rreth 12.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervë, ndërsa Mali i Zi ka 3.250 pjesëtarë aktivë dhe rreth 10.000 pjesëtarë te forcës paramilitare. Institucionet duhet po ashtu të vendosin se si do të quhet forca e ardhshme.

Edhe pse kjo dikujt mund t’i duket vetëm simbolikë, ka rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës. Përgjigjen në këtë tashmë e kanë dhënë ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata që ishin prezent në parakalimin e FSK-së në shkurt, dëgjuan këtë përfundim të marshit:
“Kush jemi ne?”- pyet komandanti i Togut. “Ushtria e Kosovës” – përgjigjen ushtarët me zë kumbues.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Tribuna”)