UBT

Avokatët kërkojnë lirimin e të gjithë të akuzuarve të grupit “Lëvizja e lirisë”

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan- Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Gjilan nga ana e EULEX-it avokatët mbrojtës të grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë” kanë kërkuar lirimin e të gjithë të akuzuarve nga paraburgimi dhe heqjen e masës së arrestit shtëpiak. Avokati Halit Azemi tha se është e pakuptimtë që një i akuzuar siç është Jeton Shabani mbahet në paraburgim për 20 fishekë të konfiskuar.

Në seancën vijuese ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë” ka vazhduar procedimi i provave dhe dëshmive të shumta që kanë ofruar prokurorët e EULEX-it.

Aktakuza e EULEX-it e ngritur ndaj Valon Jasharit, Skender Jasharit,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani i ngarkon këta nëntë persona për veprat penale të terrorizmit, organizimi i grupeve terroriste , pjesëmarrja në grupe terroriste dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.

Gjykimi i këtij grupi po udhëhiqet nga gjyqtari i EULEX- it, Arkadiusz Sedek, i cili në seancën e fundit ka dëgjuar nga palët e akuzës provat dhe dëshmitë e ofruara. Por ende pa filluar mirë prezantimi i këtyre provave avokatët mbrojtës kanë filluar të kontestojnë legjitimitetin e tyre, madje edhe caktimin e paraburgimit ndaj disa të akuzuarve.

Avokati Halit Azemi tha për rajonipress se ka të akuzuar siç është Jeton Shabani i cili ndodhet në paraburgim vetëm për 20 fishekë. “Ne e kemi kontestuar legjitimitetin e provave dhe dëshmive që ka sjellur EULEX dhe kemi kërkuar që të gjithë të akuzuarve që po dyshohen për terrorizëm tu ndërpritet paraburgimi dhe ata që janë në arrest shtëpiak tu hiqet kjo masë” tha Azemi.

Eco Higjiena

Azemi tha se aq shumë është e ngarkuar aktakuza e ngritur nga prokurori Maurizio Salustro saqë duhen vite të shikohen e dëgjohen ato CD të cilat realisht nuk përmbajnë ndonjë relevancë që ky grup të cilësohet si grup terrorist.

Azemi tha se seanca e radhës duhet të orientohet më shumë tek legjitimiteti edhe i provave, por edhe i vendimeve të Gjykatës për masën e paraburgimit.

Ndryshe grupi “Lëvizja e lirisë” dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet në punktin Dobrosin të Bujanocit më 17 maj 2012, 28 qershor dhe 7 tetor 2012.

Aktakuza saktëson se tek ky grup janë gjetur dëshmi e prova përmes përgjimeve telefonike, fotografi e gjësende tjera që lidhen me aktivitetet e këtij grupi.

Sipas aktakuzës më 17 maj 2012 një postbllok policor në Dobrosin të Bujanocit është gjuajtur me armë zjarri dhe dy sulme tjera më 28 qershor dhe 7 tetor 2012. Përgjegjësia për këto tri sulme është pranuar nga grupi i quajtur si “Lëvizja e lirisë” përmes tri komunikatave të publikuara në faqe të ndryshme të internetit thuhet në aktakuzë./rajonipress/

Mund të ju interesoj: