Opozita s’ka fuqi ta rrëzojë Thaçin
Shefi i Grupit Parlamnetar të AAK-së, Ardian Gjini, ka pranuar se opozita nuk ka fuqi që të bashkohet për rrëzimin e Qeverisë së Hashim Thaçit. Ai, madje ia ka zënë për të madhe LDK-së e Vetëvendosjes që pa asnjë plan po kërkojnë shkarkimin e Thaçit. “Çdo forcë politike duhet ta ketë një qëndrim se nëse rrëzon Qeverinë, çka do të bëjë nesër me vendin. Nëse nuk ka plan se çka më tutje, nuk është mirë me ndërmarrë veprime të mëdha”,ka thënë Gjini.
Gjatë një interviste për “Tribunën”, Gjini është përkujdesur t’u dërgojë porosi këtyre partive të cilat po e kontestojnë opozitarizmin e partisë së Ramush Haradinajt në Kuvend. Ka thënë se LDK e Vetëvendosje kanë filluar të frikësohen nga rritja e AAK-së. “Është një fjalë që e thotë populli : ‘Sa më e madhe dhimbja aq më e madhe është piskama’. Kur po u dhemb shumë rritja e një subjekti politik, po bëjnë piskamë të madhe”, ka deklaruar Gjini.
Anëtari i kryesisë së AAK-së nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme brenda këtij viti. Ai ka thënë se AAK, po kërkon partnerë të qendrës së djathtë, ndërsa ka vlerësuar se PDK nuk ka orientim të tillë. Ai ka folur edhe për dialogun, ndërsa ka thënë se përfaqësuesi i tyre Blerim Shala, është i përfshirë në çdo detaj që del nga Brukseli.(Tribuna)


