Thaçi: S’ka dialog të drejtpërdrejtë me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar të dielën se “ende shpreson që gjërat do të lëvizin drejt marrëveshjes dhe se është momenti i fundit që Beogradi të jetë i qartë me Brukselin. “Adresa për çdo përgjigje është në Bruksel, e konkretisht tek Baronesha Ashton dhe se nuk do të ketë më dialog të drejtpërdrejtë me Serbinë”, ka thënë ai.
“Ne ende shpresojmë që gjërat do të lëvizin drejtë marrëveshjes. Është momenti i fundit, që Beogradi të jetë i qartë me BE-në me Brukselin. Të jetë i qartë me vendimmarrjen që do ta merr. Do të mbetet në pozicionet e së kaluarës, që determinojnë përfundimisht izolimin e Serbisë. Por nëse merr vendimin për arritjen e marrëveshjes, që e përcakton një të ardhme evropiane për Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin. Marrëveshja mes dy vendeve tona,është më tepër se marrëveshje veç për vendet tona dhe popujt tanë, por ka efekte dhe reflektime për gjithë rajonin, që siguron një të ardhme të sigurte euroatlantike”, pohoi Thaçi.
Ai po ashtu pohoi se Kosova ka qenë jashtëzakonisht bashkëpunuese dhe fleksibile me BE-në,në procesin negociator dhe se do të respektohen në plotni Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Kryeministri Thaçi po ashtu pohoi se nuk do të këtë më negociata dhe se adresa për çdo përgjigje është Brukseli.
“Tani gjithçka do të varet nga angazhimi, përkushtimi dhe udhëheqja e Baroneshës Ashton. Adresa për çdo përgjigje është në Bruksel, e konkretisht tek Baronesha Ashton. Tjetër negociata nuk do të ketë. Tjetër adresë nuk do të ketë dhe dialog të drejtpërdrejtë nuk do të ketë”, pohoi Thaçi, transmeton Kosovapress.
Sipas tij, është me rëndësi jetike, që këta gjashtë muaj, ka pasur suksese të vlerësuara nga gjithë bota dhe se kanë ndodhur marrëveshje, të cilat nuk kanë ndodhur për një shekull të tërë mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë ai thotë se Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë vullnetin e mirë, që nën mbështetjen dhe udhëheqjen e plotë të BE-së, në ditët që kanë mbetur, të arrihet marrëveshja dhe të vazhdohet me implementimin e saj. Ai po ashtu ritheksoi se Prishtina duhet të jetë e përgjegjshme për arritjen e marrëveshjes dhe në rast të refuzimit, Serbia do të humbasë edhe Kosova nuk do të fitoj diçka të veçantë.
Kryeministri Thaçi po ashtu theksoi se Kosova do të vazhdojë angazhimin e saj, për marrëveshje të drejtpërdrejtë në mes të BE-së dhe shtetit të Kosovës dhe se nuk do të mbeten peng i Beogradit.
“Askush as shteti i Kosovës dhe as BE, nuk do të mund të mbesin peng. Beogradi nuk do të mund ta mbajë peng të ardhmen tonë evropiane dhe Beogradi nuk do të mund ta mbajë peng procesin”, pohoi ai.
Ndërsa i pyetur për mundësinë e implikimit të Stefan Fule në ndërmjetësimin e këtyre bisedimeve, Thaçi tha se adresa ndërmjetësuese ka qenë Brukseli dhe Baronesha Ashton dhe se Kosova do të mbështes këtë proces të udhëhequr nga Ahton dhe se idetë tjera nuk kanë ndonjë validitet, nuk kanë ndonjë qasje serioze dhe është vetëm pretendim për zvarritje apo manovrim diplomatik nga ana e Serbisë.
Thaçi këto komente i bëri sot në ceremoninë e promovimi i ditarit te këshilltarit të ish kryeministrit britanik Toni Bler Alastair Campbell “Vitet me Toni Blair”. /Telegrafi/


