UBT

“Dosja e Zhegocit” kurrë nuk u hetua – mbeti e “mbyllur”

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Edhe pse nga EULEX-i në Gjilan ishte hetuar dhe marrë në pyetje një ish polic serb si i dyshuar se ka marrë pjesë në krimet e kryera në Zhegoc e Verbicë, kurrë asnjë hetim zyrtar ndaj tij nuk është zhvilluar.

Ish polici serb V.I. nga Gjilani është marrë në pyetje para dy vitesh nga EULEX-i si i dyshuar për vrasjen e 12 shqiptarëve në Vërbicë të Zhegovcit e njohur si ofensiva e Zhegovcit e datës 15 prill 1999.

Ish polici serb V.I. në Prokurorinë e Gjilanit kishte rrëfyer gjëra interesante, derisa EULEX e ka quajtur vetëm si “bisedë informative” deklaratën e ish policit. Ish polici serb ka dhënë detaje interesante dhe emra të mundshëm si të dyshuar për vrasjen e shqiptarëve.

Ai ka deklaruar se në të njëjtën kohë pra në prill të vitit 1999 ka qenë në Carralevë duke shërbyer. Por ai ka thënë se vrasjet në Zhegovc janë kryer nga njësiti për antiterrorizëm dhe njësia speciale e ardhur nga Serbia.

Gjithnjë sipas këtij ish polici në vrasjet e Zhegovcit kanë marrë pjesë edhe disa polic serb nga Suhareka të cilët e kanë folur mirë gjuhën shqipe. Madje i njëjti polic i dyshuar ka thënë se “Dosja e Zhegovcit” është në Beograd dhe për të gjitha vrasjet ekzistojnë dokumentacione , prova dhe materiale interesante.

UBT

Ai e ka shfajësuar vetën duke thënë se me të njëjtin emër ekziston edhe një serb në një fshat të Gjilanit. Megjithatë polici V.I është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me hetuesit ndërkombëtarë.

Ndryshe, Verbica e Zhegovcit ka përjetuar të njëjtin fat sikurse fshatrat tjera të Gjilanit. Ofensiva serbe në këto rajone nuk ka kursyer as fëmijë, pleq e gra. Ndryshe për të gjitha vrasjet e Zhegovcit dhe Vërbicës të ndodhura nga datat 2 deri 22 prill 1999 është gjetur procesverbali mbi zhvarrimin e tetë shqiptarëve të vrarë për eks-humacionin e tyre e cila procedurë është kryer nga gjykatësi Zhivojin Jankoviq.

Kufomat i ka shikuar patologu dr. Millorad Pavlloviq si dhe inspektori policor Bojzhin Ristiq. Gjithashtu nga dëshmitë që ka mbledhur Komisioni për krimet e luftës në Gjilan për vrasjet në Zhegovc, Vërbicë, Bresalc, Gadish, Sllakovc, e Kishna Pole , ekziston dyshimi i bazuar se në këto treva gjatë ofensivave serbe ka vepruar Brigada 175 e Këmbësorisë së Leskocit nga Serbia.

Për vrasjet në Zhegoc kanë dëshmuar edhe Remzi Hajrullahu, Mustafë Zymberi, Afrim Myrtaj, por që dëshmitë e tyre asnjëherë nuk janë hetuar nga policia vendore e ndërkombëtare.

Ndryshe Komuna e Gjilanit për çdo vit shënon Betejën e Zhegocit. Edhe këtë të diel është paraparë një manifestim madhështor për nder të kësaj beteje./rajonipress/

Mund të ju interesoj: