Koalicioni PDK – AKR deri në fund të mandatit
Shkurtimi i mandatit të Qeverisë për një vit, sipas Marrëveshjes së prillit të vitit 2011, ka pak shanse të ndodh. Edhe në LDK thonë se mundësitë janë gjysmë për gjysmë. Lutfi Haziri konsideron se mbi të gjitha afatet janë garancitë se zgjedhjet e ardhshme nuk do të vidhen ashtu qysh ka ndodhur në fundvitin 2010.
Koalicioni PDK-AKR sipas të gjitha gjasave do ta qojë deri në fund mandatin qeverisës.
Marrëveshje PDK-LDK-AKR e arritur prillin e vitit 2011 tashmë po konsiderohet e vdekur dhe askush nuk pret ta respektojë.
LDK një kohë pari kushtëzuar zbatimin e marrëveshjes me largimin e Jahjagës nga posti i Presidentes, bllokimin e ndryshimeve kushtetuese dhe shkurtimin e mandatit të Qeverisë në tri vjet.
Në dy kushtëzimet e para Partia e Isa Mustafës ka lëshuar pe, ndërsa nuk pritet të ketë as shkurtim të mandatit të Qeverisë, pasi PDK, AKR dhe AAK nuk janë të interesuar të shkojnë në zgjedhje të shpejta parlamentare.
Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Lutfi Haziri thotë se partia e tij ende pret që këtë vit të ketë tri palë zgjedhje – lokale, parlamentare dhe presidenciale.
Megjithëkëtë, Haziri thotë se gjasat janë gjysmë për gjysmë që të shkohet në zgjedhje parlamentare sipas marrëveshjes PDK-LDK-AKR.
“Gjasat reale tash janë 50 me 50 që të mbahen zgjedhjet parlamentare, plus minus gjashtë muaj pas zgjedhjeve lokale domosdoshmërish”, ka thënë Haziri, për Gazetën Express.
“Besoj se do të këtë shkurtim të mandatit, por e rëndësishme është që të shkurtohet sa më shumë. Nëse dalim në vitin 2014, Kryeministri e ruan kalendarin, por nëse zgjedhjet mbahen këtë vit mandati i tij shkurtohet hiq më pak se dymbëdhjetë muaj që ka qenë pjesë e marrëveshjes”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi ka deklaruar disa herë se nuk do të ketë zgjedhje parlamentare para vitit 2014, kur edhe përfundon mandati i kësaj Qeveria.
Qëndrim të njëjtë kanë shprehur edhe zyrtarët e AKR’së dhe të AAK’së.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në këtë situatë, deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri thotë se duhet të mendohet për kualitetin e zgjedhjeve dhe eliminimin e vjedhjes së votave.
“Gjithçka duhet të balancohet me kualitetin e zgjedhjeve. Me këtë kualitet nënkuptoj zgjedhje të drejta, fer dhe të garantuar sepse mënyra se si janë bërë zgjedhjet e fundit tergon qartë se legjitimiteti i përfaqësueseve është jokredibil për shkak të procesit të dyshimtë zgjedhor”, ka thënë Haziri.
Ai e ka ndërlidhur procesin zgjedhor edhe me dialogun që po zhvillohet në Bruksel, dukë thënë se gjithçka edhe sa u përket zgjedhjeve të reja do të definohet pas përfundimit të këtij procesi.
“Shumëçka do të varet nga përfundimi i procesit të Brukselit, i cili po merr formë në këtë fazë. Suksesi i këtij procesi do të determinoj se a do të flitet më vonë për një raund të ri të bisedimeve a jo”, ka thënë ai.(express)


