ARKATANA

Ja pse i futa në listë Vllasin dhe Bakallin

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka sqaruar se pse ish-zyrtarët komunistë, Azem Vllasin dhe të ndjerin Mahmut Bakallin, i ka futur në listë për veteranë të UÇK-së si pjesëtarë të Zyrës Politike të UÇK-së. Ai ka thënë se Vllasi dhe Bakalli e kanë ndihmuar me këshilla dhe informata.

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, e ka mbrojtur veprimin e tij për futjen e dy ish-zyrtarëve të lartë komunistë në listën për veteranë të UÇK-së. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se të dy ish-zyrtarët komunistë, Azem Vllasi dhe i ndjeri Mahmut Bakalli, kanë qenë këshilltarë të tij në Zyrën e Përgjithshme Politike të UÇK-së në Prishtinë.

Ai ka thënë se një veprim të tillë e kishte bërë për t’i treguar Serbisë dhe gjithë botës se shqiptarët janë unikë në luftë. “Të dytë i kam marr unë për t’i treguar Serbisë se ne jemi unikë si popull, për t’i treguar edhe botës se ne jemi unikë dhe nuk kemi dallime e përçarje. Për këtë punë i kam ftuar”, ka thënë Demaçi.

Duke folur për kontributin e tyre, ai ka thënë se roli i Vllasit dhe i Bakallit ka qenë këshillimi dhe sjellja e informatave. Sipas tij, Vllasi dhe Bakalli e kanë ndihmuar Zyrën Politike të UÇK-së aq sa kanë pasur mundësi. “Informatat që i kanë sjellë ata si njohës të mirë të Serbisë kanë qenë shumë të rëndësishme”, ka vlerësuar Demaçi.

ARKATANA

Ish-udhëheqësi i Zyrës Politike të UÇK-së ka treguar se e njeh të kaluarën e këtyre dy personaliteteve shumë më mirë sesa ata që e kundërshtojnë futjen e tyre në listë për veteranë.

Ai ka thënë se kushdo që ka qenë i gatshëm ta japë kontributin e tij për liri rrugën e ka pasur të hapur. Demaçi ka bërë me dije se në atë kohë i ka ftuar edhe disa personalitete të tjera për të punuar në Zyrën Politike të UÇK-së.

“I kam lutur edhe disa të tjerë, por nuk kanë pranuar. Janë disa të tjerë që tash shesin mend e patriotizëm, por nuk ua majti, sepse nuk ishte bash lehtë të hysh në zyrë. Kështu që, këta dy kanë ardhur dhe aq sa kanë ditur kanë fol, kanë këshilluar dhe kanë ndihmuar”, është shprehur Demaçi. Ndër të tjera, ai ka deklaruar se të gjithë njerëzit që gjenden në atë listë kanë ndihmuar që Zyra Politike e UÇK-së të jetë sa më funksionale.