Arsimtarët e viteve të ’90-a mbeten qëndrestarë dhe rilindës të Kosovës
Nga Nexhat Buzuku- Si pasojë e kushteve të vështira të punës nëpër bodrume, dhoma mësimi pa dritare, udhëtime në të ftohtë, pa paga, të frikësuar e të kërcënuar, nën vëzhgim policor, në biseda informative dhe nën presionin psikologjik policor, sot, mijëra mësimdhënës të asaj kohe, por që ende vazhdojnë të punojnë në shkolla, janë me probleme të rënda shëndetësore.
Ata që sot janë në vende shtetërore ku merren e zbatohen vendime, pra në institucionet e legjislativit dhe ekzekutivit (Parlamenti e Qeveria), duhet t’i peshojnë mirë rrethanat, kohën, kushtet në të cilat u punua dhe të marrin vendimin dhe të bëjnë veprimin e duhur, që punëtorët e arsimit të periudhës 1990-1999 të trajtohen me dinjitet dhe të bëhen me statut të veçantë ligjor.
Arsimtarët e viteve 1990-1999 kurrë nuk kërkuan status të veçantë as privilegje. Ata punuan në kushte okupimi, sakrifikuan jetën dhe shëndetin, dhe për këtë nuk kërkuan as kërkojnë lëmoshë, sepse punën e bënë për fëmijët, rininë, popullin, Kosovën. Ata mbrojtën dinjitetin qytetar dhe kombëtar. Ata ndikuan dhe mobilizuan energji qëndrestare të njerëzve të këtij vendi dhe trasuan e farkuan fatin e të ardhmes së këtij vendi. Ata bënë një rrugëtim të vështirë, duke i dhënë Kosovës një rilindje të paparë prej Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Ata bënë një punë madhore e madhështore, pothuaj të pashembullt, duke organizuar sistemin paralel shkollor përbrenda një shteti policor. Dikush, mbase, edhe mund ta harrojë këtë periudhë, por arsimtarët dhe nxënësit e studentët që u shkolluan aso kohe nuk e harrojnë kurrë. Nuk e harrojnë as ata që hapën shtëpitë e tyre duke i kthyer në shtëpi-shkolla. Patjetër, që nuk e harrojnë as ata që u angazhuan në hallkat e sistemit paralel shkollor. Ata bënë punën e tyre në kohën e duhur, e të tjerët duhet ta vlerësojnë a duhet të çmohet dhe si të çmohet ajo sakrificë e madhe dhe pothuaj e pamatshme.
Në arsimin shqip në Kosovë, sistemi paralel shkollor 1990-1999 konsiderohet periudha e dytë e sistemit arsimor në Kosovë, por më e vështira, pa minimizuar periudhën para dhe pas Luftës së Dytë Botërore e deri me 1990 kur u hapën shkollat shqipe në Kosovë. prandaj, kjo periudhë kërkon një vlerësim meritor dhe pranim të dinjitetshëm të gjithë atyre që punuan në atë periudhë.
Kuvendi i Kosovës nuk mund të marrë një vendim tjetër pos të miratojë një kërkesë dhe thirrje legjitime, të arsyeshme dhe praktike të një kategorie themelore shoqërore, siç janë arsimtarët, të cilët në vitet kritike, nën shtypje, dhunë, presion psikologjik, përndjekje dhe arrestime e burgosje, biseda informative, mbajtën të gjallë frymën e arsimit shqip.
Arsimtarët mbajtën për dhjetë vjet të ndezur flakën e lirisë. Ata u vunë në ballë të rezistencës kundër regjimit pushtues, duke mbajtur sistemin paralel shkollor. Ata mbrojtën dhe lartësuan dinjitetin kombëtar dhe qëndrestar. Ata folën kur duhej folur. Ata punuan kur ishte më së vështiri për të punuar. Ata bënë atë që kërkonte sakrificë, guxim, trimëri, gatishmëri, dije e përkushtim.
Ata e dinin se po vënin vetveten në pikëpyetje, por po ashtu e dinin se po bënin diçka që ishte përtej vetvetes, që i kalonte kornizat individuale dhe shkonte e merrte shtrirje kolektive. Dimensioni etnik i arsimit të viteve 1990-1999 ishte mision i të ardhmes, e këtë e bëri gjenerata e asaj periudhe që u rreshtua me vendosmëri në arsimimin e brezave. Shkolla e asaj kohe, krahas arsimimit, pati edhe rolin dhe funksionin e parandalimit të shpërnguljes së rinisë dhe popullatës.
Arsimtarët i qëndruan të patundur e të palëkundur represionit e presionit të regjimit pushtues. Arsimtarët mbajtën në këmbë – vertikalisht dritën e ndezur të dijes e të lirisë për arsimin shqip, duke qenë pararojë të shtetit të Kosovës. Ata, arsimtarët, organizuan e mbajtën mësimin në kushte skajshmërisht të vështira, në shi e borë, në bodrume e lokale të ftohta. Arsimtarët punuan pa paga. Pa mohuar kurrë sakrificën edhe të atyre familjeve guximtare që hapën shtëpitë e tyre. Pa mohuar edhe punën e shkëlqyeshme që kanë bërë këshillat e arsimit dhe ato të financimit të asaj kohe.
Pa mohuar edhe disa autotransportues që bartën falas apo edhe me ndonjë çmim minimal të arsimtarëve udhëtarë. Pa mohuar të gjithë ata që mbështetën arsimin shqip të atyre 10 viteve, në të cilat, nuk mund të mohojë kurrë askush, është ruajtur popullata, është mbrojtur substanca kombëtare, duke mos krijuar hapësirë që rinia të shpërngulej e Kosova të mbetej një tokë e një vend pa popull, që ishte edhe synim kryesor i regjimit të Beogradit.
Shkolla shqipe në vitet 1990-1999 ka bërë njërën ndër qëndresat më të qëndrueshme dhe më të spikatura e barabartë me dimensionin historik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kontekstin kohor. A mund të quhet shkolla shqipe 1990-1999 Rilindje e Dytë Kombëtare Shqiptare? Në kontekstin kohor dhe në rrethanat në të cilat arsimtarët mbajtën gjallë frymën e arsimit shqip, gjithsesi kjo është periudha më qëndrestare në historinë e Kosovës. Arsimi shqip në Kosovë ka qenë faktor mobilizues i popullit të Kosovës, dhe një frymëzim e mënyrë e mobilizimit të energjisë çlirimtare të rezistencës dhe qëndresës vertikale deri në luftën e armatosur të UÇK-së për lirinë e Kosovës.
Arsimtarët e shkollës shqipe të viteve 1990-1999 bënë betejën më të gjatë qëndrestare në dy shekujt e fundit. Ata, arsimtarët, prandaj, janë ballëlartë, janë fitimtarë, sepse ata punuan pa lëmoshë, pa kompensim, duke vënë për dhjetë vjet në rrezik e sprovë jetët e tyre, të familjeve të tyre, vetëm për interesin e rinisë së Kosovës, të popullit, të Kosovës.
Se vërtet arsimtarët qenë kategoria më qëndrestare që kurrë nuk kërkuan as medaljone, as privilegje, u dëshmua për këto vite dhe po dëshmohet në vazhdimësi.
Nuk ka një shembull në Evropë që një kategori e tillë shoqërore të jetë më e edukuar, më e formësuar e me kulturë qytetare e kombëtare, siç u dëshmuan arsimtarët e shtetit të Kosovës. Ata kurrë nuk dolën në rrugë gjatë këtyre viteve e të kërkojnë privilegje duke i thirr në vuajtjet dhe sakrificën në të kaluarën. Ata kurrë nuk kërkuan nga shteti i tyre atë që ai ende nuk kishte mundësi të bënte – lëmoshë, pensione të parakohshme, para. Ata, arsimtarët, dëshmuan se puna e tyre arsimore ishte bërë në baza vullnetare, se ishte obligim dhe detyrë qytetare e kombëtare, se ishte mision i tyre historik.
Dhe, askush nuk e ka përmbushur më mirë, më bukur, në mënyrë më sublime e më madhështore misionin e tyre kombëtar e historik se sa arsimtarët që punuan në vitet 1990-1999. Prandaj, lavdia dhe nderimi, respekti e përkushtimi u takon atyre që në kohë të rënda bëjnë punë të mëdha. E këtë më së miri e kanë bërë arsimtarët e Kosovës, në çdo cep të saj, në vitet e vështira, kur vendi ndodhej nën rrethim policor, nën frikë e kërcënim, nën përndjekje të vazhdueshme.
Mirëpo, duhet parë e matur atë kohë, kushtet në të cilat punuan e vepruan arsimtarët. A e meritojnë arsimtarët e asaj kohe, mendoj të atyre që punuan ato vite të vështira, që tashmë kur janë me moshë të shtyrë e të stërlodhur, me probleme shëndetësore të gëzojnë të drejtën në stimulim a kompensim, në pensionim të parakohshëm e të dinjitetshëm.
Fundja, statusi i posaçëm për arsimtarët, apo siç u tha nga kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, se të punësuarit në arsimin shqip të Kosovës nga viti 1990 deri më 1999, duhet të trajtohen të barabartë me veteranët e luftës së UÇK-së, është edhe çështje humane.
Prandaj, një betejë 10-vjeçare e punëtorëve të arsimit nuk mund të heshtet as të anashkalohet nga askush, aq më pak nga Kuvendi i Kosovës. Çdo mospërfillje e kontributit të punëtorëve të arsimit të Kosovës gjatë periudhës 1990-1999 nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të tjera të Kosovës do të ishte mohim dhe injorim i këtij kontributi 10-vjeçar, që mbajti gjallë frymën arsimore, qenësinë shqiptare dhe mobilizimin popullor drejt lirisë dhe pavarësisë.
Askush nuk ka të drejtë të anashkalojë apo minimizojë duke e lënë për nesër a pasnesër a për më tej sakrificën e punëtorëve në arsimin shqip të Kosovës në vitet 1990-1999. Sa për rikujtim, ishin arsimtarët të cilët i kanë rezistuar regjimit të Serbisë me sistem paralel shkollor. Prandaj, më shumë se kushdo tjetër, ata, arsimtarët, duhet të trajtohen me statut të veçantë ligjor, dhe kjo duhet të vendoset pa shtyrje.
Si pasojë e kushteve të vështira të punës nëpër bodrume, dhoma mësimi pa dritare, udhëtime në të ftohtë, pa paga, të frikësuar e të kërcënuar, nën vëzhgim policor, në biseda informative dhe nën presionin psikologjik policor, sot, mijëra mësimdhënës të asaj kohe, por që ende vazhdojnë të punojnë në shkolla, janë me probleme të rënda shëndetësore.
Ata që sot janë në vende shtetërore ku merren e zbatohen vendimet, pra në institucionin legjislativ dhe ekzekutiv (Parlamenti e Qeveria), duhet t’i peshojnë mirë rrethanat, kohën, kushtet në të cilat u punua dhe të marrin vendimin dhe të bëjnë veprimin e duhur, që punëtorët e arsimit të periudhës 1990-1999 të trajtohen me dinjitet dhe të bëhen me statut të veçantë ligjor dhe t’u njohë statusin e veteranit të arsimit në kushte okupimi, identik me atë të veteranit të UÇK-së.


