KKVITI

Dita historike

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Nga Flaka Surroi – Kosova ka mbijetuar dhe përjetuar shumë ditë historike, dhe gati gjithnjë duke mos ditur se çfarë po e pret më pas. As kësaj radhe nuk është më ndryshe.

Dhe, ndodhi dita historike. Dhe, nuk ndodhi gjë. Pompoziteti me të cilin u përcoll shkuarja e delegacioneve në Bruksel dhe konspiracioni në të cilin u zhvillua negociata që përfundoi pa rezultat, u shuan shumë shpejt, me një sërë deklaratash defetiste dhe gati katastrofike nga ana e zyrtarëve serbë; me një deklaratë të stilit të kryeministrit tonë dhe me fytyrën shumë të pikëlluar të baroneshës Ashton, së cilës iu prish plani – sepse nuk ia doli ta nxirrte marrëveshjen nga dy kryeministrat po atë ditë që e kishte caktuar ajo. Sepse të nesërmen nuk kishte kohë të merrej me ta, se kishte për të udhëtuar për në Turqi.Prej deklaratave që dëgjohen, serbët në Beograd ankohen se “kanë mbetur vetëm” dhe se “duhet të marrin vendime shumë të rënda për Serbinë dhe për serbët në veri të Kosovës”, ngase nga ato vendime do të varet e ardhmja evropiane e Serbisë.

Prej deklaratave të kryeministrit të Kosovës del se Kosova tashmë është pajtuar me një dokument (të cilin askush nuk e ka parë), madje qysh më 4 mars, dhe se është faji i Serbisë se përse nuk është arritur marrëveshja, përmbajtjen e së cilës duket nuk e di as Kuvendi. Kryeministri thotë se asociacioni i komunave serbe nuk do të ketë fuqi ekzekutive; thotë se gjykatat do të jenë pjesë të një sistemi unik gjyqësor; thotë se policia do të ketë një zinxhir komandues; por sërish dokumentin, i cili diskutohet, nuk e bën publik.

Evropa u ka dhënë palëve të bisedimeve afat deri të martën, që rastësisht i bie dita e Kushtetutës së Kosovës, për të vendosur nëse pajtohen ose jo me dokumentin, të cilin duket se madje nuk e kanë parë as shefat e partive politike që e kanë mbështetur këtë fazë bisedimesh. Serbët në Beograd vazhdojnë të qahen se janë të vetmuar, Thaçi vazhdon të përsërisë se nëse nuk ka marrëveshje, askush nuk fiton. E duke mos ditur se çfarë përmban dokumenti me të cilin Kosova ka një muaj është pajtuar dhe duke e ditur adetin e kryeministrit për t’i thënë shumë gjëra që disi nuk lidhen me të vërtetën, nuk e di a duhet besuar; dhe nëse duhet besuar, a përnjëmend Kosova e fiton njohjen edhe nga Serbia e edhe nga të pesë shtetet e mbetura të BE-së që nuk na njohin, përfshirë edhe Spanjën.

Mbase e marta historike do të ndodhë javën që vjen. Mbase atëherë do të na tregojnë se çfarë janë marrë vesh, e mbase atëherë do ta dimë se kush çka humb në gjithë këtë proces, të cilin e ka karakterizuar mungesa absolute e transparencës, por i cili përmbyllet edhe me një deklaratë mjaft shqetësuese nga zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas së cilës “Ne e njohim integritetin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. Por, tani qartësisht i takon Kosovës se si do ta etablojë një lloj autonomie që disa serbë etnikë janë duke e kërkuar në veri”. Sqarimi për këtë deklaratë nuk na erdhi nga Ambasada amerikane në Prishtinë, kurse ne e dimë se sa varen zyrtarët tanë politikë nga “miqtë tanë ndërkombëtarë”…

Ndërkohë, në Kosovë ndodhin tri gjëra me jo pak rëndësi.

E para, marrëveshja e partive politike për zgjedhjet e ardhshme, vetëm komunale duket, të cilat me gjasë do të mbahen nga fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit – dhe kjo në kohën kur fushata zgjedhore për t’u bërë me Prishtinën tashmë ka nisur. Thuhet se ka marrëveshje që të dilet me lista të hapura, por me mundësinë për t’i votuar vetëm pesë kandidatë, ashtu që të parandalohet vjedhja e votave edhe brenda partive – që vetvetiu tregon se çfarë shteti i korruptuar jemi, kur apriori dhe ende pa u mbajtur as fushata zyrtare zgjedhore, kandidatët partiakë frikësohen se kolegët e tyre do t’ua vjedhin votat… natyrisht, në bashkëpunim me hajnat e terrenit që i kanë vendet e rezervuara te vendvotimet dhe qendrat e numërimit.

Vendimi tjetër me rëndësi, i cili tashmë duket se është arritur, është ai i ruajtjes së vendeve të rezervuara për minoritetet, që ka nevojë për ndryshimin e Kushtetutës dhe mbase për eliminimin e garancisë që Pakoja e Ahtisaarit i kishte ofruar shumicës, ashtu që të mos kushtëzohej nga pakica, cilado që të jetë ajo, me të ashtuquajturën votë të dyfishtë. Kështu, me këtë vendim eventual, do të ndodhë sërish që pos 20 vendeve të rezervuara, përfaqësuesit e pakicave, cilado të jetë ajo, do të mund të bëhen edhe me më shumë vende në Kuvend (siç është rasti edhe tash, ku, nëse nuk gaboj, 27 ulëse të Parlamentit u takojnë minoriteteve) – e kjo posaçërisht nëse dalin më pak votues dhe në kushtet kur më pak votues nevojiten për të siguruar një kolltuk Kuvendi.

Nuk e di nëse ky është një vendim i mençur apo jo – por është evidente se pakicat i kanë shërbyer kësaj Qeverie shumë mirë për t’ia kaluar të gjitha planet dhe idetë, sepse gjithmonë i ka pasur votat e tyre, për shkak se shefat e atyre partive i ka shpërblyer me poste ministrore…, mbase kjo është logjika që e kanë përcjellë politikanët tanë teksa e kanë shqyrtuar ndërrimin e domosdoshëm të Kushtetutës…, ndërrim, i cili mund të mos jetë i vetmi, varësisht se me çka do të na “shpërblejë” dita historike.

Mobi Casa

Çështja e dytë që na tërhoqi vëmendjen ishte ajo e privatizimit të PTK-së dhe pranimit të dy ofertave nga dy kompani, më së buti thënë, të dyshimta. Në një elaborim shumë të thjeshtë e të detajuar, Lumiri e shpjegoi dje se për kë bëhet fjalë, prandaj edhe nuk do të merrem me ta. Por, nuk kam se si të mos flas për dilemën që ma shkakton fakti se në tender kanë konkurruar vetëm dy firma – dhe nëse për këtë shkak ky tender nuk është kompetitiv. Mendja e shëndoshë ma thotë se nuk është. Në raste kur shitësi nuk ka më shumë oferta prej nga të zgjedhë dhe përderisa nuk ka kurrfarë arsyeje urgjente për ta shitur pronën, nuk ka përse ta bëjë atë. Pos nëse përfaqësuesve të shitësve u është premtuar ndonjë “shpërblim” për këtë vendim.

Pra, po flasim për shitjen madje të 75% të aksioneve të PTK-së, pa e pasur të paracaktuar madje as çmimin minimal nën të cilin nuk bën të shitet aseti. Të kujtojmë se kur Kosova e ka shitur licencën për telefoninë e dytë mobile, ka kërkuar që çmimi të mos jetë më i ulët se 20 milionë euro. Kjo do të thotë se, në kushtet në të cilat e kanë sjellë qëllimisht postën, udhëheqësit tanë mund ta falin atë, sikurse bënë me Distribucionin, për kurrgjë hiç pare, duke ia dhënë shumicën absolute të vendimmarrjes blerësit të ri.

Kjo do të thotë se me shumë pak investime, blerësi i ri do të mund t’ia rriste vlerën shumëfish. Njëra nga mënyrat e rritjes së vlerës do të ishte aktivizimi i ofrimit të programit televiziv nëpërmjet platformës së internetit (të quajtur IPTV). Duke e shfrytëzuar tashmë infrastrukturën ekzistuese në gjithë Kosovën, lehtë do të kalonin prej 20 mijë në 200 a 300 mijë parapagues të një shërbimi që do të lidhej edhe me furnizimin e internetit (e mbani në mend “Dardanetin”, ende është gjallë më duket) e që do ta bënte shumë fitimprurës. Forma tjetër do të ishte, për shembull, marrja sërish nën kontroll të numrave telefonikë të telefonisë mobile që u janë dhuruar operatorëve virtualë, sërish me një përpjesëtim të çuditshëm dhe fare fitimprurës për PTK-në.

Kështu, rritja e vlerës do të kishte për pasojë shitjen e re të PTK-së për shumë më shumë para, në të cilin rast pjesën më të madhe të parave do t’i merrnin “të dyshimtët”, duke ia lënë Kosovës vetëm 25% të vlerës. Ose, për më keq, me rritjen e vlerës së postës, lehtë do të mund të ndodhte që Kosova t’i blinte aksionet që njëherë i kishte shitur, por me çmim shumë më të lartë, përderisa ndërmjetësi i operacionit, dikush i afërt me pushtetin kuptohet, do ta merrte tallin milionësh.

Është me të vërtetë mëkat që PTK-ja t’u shitet anonimusve që nuk kanë lidhje me telekomunikacion, e që në fakt mund të paraqesin vetëm një paravan për t’ua mbuluar fytyrat blerësve të vërtetë, që lehtë do të mund të ishin madje kosovarë, pse jo. Do të ishte mëkat, për shkak se vetëm ndërtesat që i ka në pronë PTK-ja në gjithë Kosovën vlejnë më shumë se 300 milionët e përfolur. Do të ishte mëkat, për shkak se PTK-ja mund të gjenerojë më shumë dividendë, që do të mund të përdorej më mençur për shërbimet publike dhe për të mirën e qytetarëve.

Do të ishte mirë që ky tender të anulohej dhe që t’i jepej hapësirë PTK-së që të zhvillohet pa pengesa administrative dhe burokratike dhe ta ruajë statusin që duhet pasur – atë të një aseti strategjik, që nuk e vlen të falet për një tender rruge, së cilës mund t’i ndërrohet drejtimi sipas interesave të atyre që kanë blerë tokën nga do të kalojë autostrada.

Ngjarja e tretë që e shënoi javën johistorike ishte interpelanca në Kuvend dhe dështimi i opozitës së bashkuar rreth kërkesës së “Vetëvendosjes’ për ta shkarkuar ose për t’ia kërkuar dorëheqjen ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi. As debati, e as tashmë seria e gjatë e skandaleve, që nuk arsyetohen dot me asnjë fjalë dhe me asnjë arsyetim të pushtetarëve, nuk mjaftuan që ministri të dorëhiqej, nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkaqe morale.

Hyrja-dalja e ministrave përderisa zhvillohej seanca, qeshja dhe zgërdhirja e tyre sa herë që dikush do të fliste a kritikonte, vetëm e tregon kulturën të cilën e kanë instaluar pushtetmbajtësit në Kosovë: kulturën e arrogancës dhe të sigurisë se drejtësia nuk do t’i kapë kurrë, për shkak se janë të pandëshkueshëm. Për shkak se motoja e shtetit me gjithë këtë korrupsion që ngulfat është mosndëshkimi. Posaçërisht i politikanëve, që, siç e dëshmon Agjencia Kundërkorrupsion, bëhen të pasur brenda natës, e bëhen milionerë brenda ca muajsh, sa për të mos rënë fort në sy.

Kështu, Kuvendi nuk ia doli ta realizonte njërën kërkesë të qytetarëve që patën protestuar dhe kanë arsye të vazhdojnë të protestojnë për shkak të faturave enorme të energjisë elektrike. Me gjasë këtij qëllimi nuk do t’ia dalin as vetë protestuesit, përderisa do të ketë sulme brutale fizike ndaj punëtorëve të KEK-ut, që edhe po të kishin faj për marrjen e gabuar të gjendjes së njehsorëve, në asnjë formë nuk e meritojnë të bëhen për spital. Kjo, ngase në të kundërtën e asaj që e thonë dhe e besojnë pushtetarët për “revolucionistët”, protestuesit duan që institucionet të funksionojnë dhe që shteti të funksionalizohet – si me shkarkimin e ministrave të papërgjegjshëm, ashtu edhe me futjen në burg të atyre që e vjedhin popullin e edhe të atyre që besojnë se dajaku dhe dhuna janë e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet në këtë Kosovë, në pritje të ditës historike.