Dalipi: Vetëvrasjet problem madhor dhe shqetësues për shoqërinë kosovare
Gjilan – Bardhosh Dalipi magjistër i shkencave juridike – penale për rajonipress thotë se kjo dukuri negative shoqërore në Kosovë, është bërë një dukuri e shpeshtë dhe po merr përmasat e një problemi madhor dhe mjaft shqetësues për shoqërinë Kosovare. Dalipi thotë se kjo dukuri negative në të kaluarën ka qenë shumë pakë e shprehur në Kosovë, çka nënkupton se edhe tradicionalisht ndër shqiptarët nuk ka qenë e njohur kjo dukuri.
Bardhosh Dalipi e sheh nga një prizëm profesional fenomenin e vetëvrasjes. Ai pos që është i shqetësuar për një numër të vetëvrasjeve në rajonin e Anamoravës shpreh brengën për këtë dukuri e cila tashmë po merr përmasa nacionale tejet shqetësuese.
Dalipi thotë se është një fakt i pamohueshëm tashmë që në periudhën e tranzicionit për shkak të një vakuumi shpirtëror, ideologjik dhe moral si dhe problemeve të pabarazisë ekonomike dhe duke i marrë parasysh pasojat dhe traumat e luftës faktorë këta që i dhanë tipare të reja shoqërisë kosovare e cila tani po përjeton një krizë identiteti, fenomeni i vetëvrasjes është bërë pothuajse pjesë e jetës së përditshme të kosovarëve. “Tani kjo dukuri negative shoqërore në Kosovë, është bërë një dukuri e shpeshtë dhe po merr përmasat e një problemi madhor dhe mjaft shqetësues për shoqërinë Kosovare. Kjo dukuri negative në të kaluarën ka qenë shumë pakë e shprehur në Kosovë, çka nënkupton se edhe tradicionalisht ndër shqiptarët nuk ka qenë e njohur kjo dukuri” thotë Dalipi.
Sipas tij vetëvrasja si dukuri negative shoqërore bën pjesë në grupin e faktorëve socio – patologjik. “Quhet socio – patologjike se pse ka të bëjë me një sëmundje shoqërore e cila i kaplon raportet e caktuara në një horizont më të gjerë. Arsyeja pse një individ kryen vetëvrasje shpesh është e vështirë të përcaktohet. Nga shtysat madhore më të shpeshta janë: dëshpërimi, humbja e shpresës, sëmundja, papunësia, humbja e një marrëdhënie, vdekja e një personi të dashur, faji, zhgënjimet e ndryshme etj. Disa autorë flasin për motivin endogjen që gjendet në vet personin që e bënë vetëvrasjen dhe motivin ekzogjen që varet nga marrëdhënia e vetëvrasësit me rrethin dhe shoqërinë” shprehet ai.
Dalipi thotë se kur flasim për vetëvrasjen si dukuri negative shoqërore, përveç humbjes së një qenieje njerëzore patjetër duhet të kemi parasysh edhe reflektimin e pasojave në shoqëri. “Shembulli që i jepet rinisë, si një mënyrë e lehtë për zgjidhjen e problemeve përbënë një rrezik shumë të madh. Gjithashtu duhet përmendur edhe pasojat negative tek të afërmit e viktimës që mund të qojnë në drama të tjera shpirtërore dhe jo pa rëndësi janë edhe dëmet ekonomike, duke pasur parasysh që ata që vetëvriten janë kryesisht meshkuj, të cilët janë kryefamiljar dhe burim kryesor i të ardhurave”.
Por sipas Dalipit shkaqet e paraqitjes së kësaj dukurie tashmë janë të shumta. “Të gjithë jemi dëshmitarë të kohës se në Kosovë, për shkak të luftës shumë fëmijë dhe të rinj mbetën pa prind, pa kujdestar, shumë njerëz mbetën invalid dhe si rezultat i shkatërrimit të ekonomisë dhe të mirave tjera në Kosovë, tani po mbretëron një gjendje e vështirë, ku janë paraqitur skamja, varfëria, papunësia dhe shumë dukuri tjera. Në fakt mendojmë se këta dhe shumë faktor të tjerë ndikojnë që të paraqiten vetëvrasjet dhe shumë dukuri tjera negative” tha Dalipi.
Megjithatë sipas tij si shkaqe kryesore të paraqitjes së kësaj dukurie janë: shëndeti mendor, shkaqet ekonomike, shkaqet sociale, dhe varësia nga droga. Ai mendon se tek shëndeti mendor se çrregullimet mendore dhe emocionale janë pjesë e realitetit të përditshëm.
Kurse tek shkaqet ekonomike përmend veçanërisht papunësinë e cila është një faktor madhor që përveç nevojës ekonomike krijon tek individi ndjenjën e të qenit i pavlefshëm. “Gjendja e papunësisë ushtron efekte negative si në aspektin social ashtu edhe në atë individual. Për shkak të papunësisë lindë varfëria, skamja, lindin mosmarrëveshje në familje dhe kështu vjen deri te shkatërrimi i familjes dhe dhënia e anëtarëve të familjes pas dukurive negative, ku kjo situatë mund të sjellë individin në gjendje të rëndë shpirtërore dhe deri në vetëvrasje” thotë Dalipi.
Shkaqet sociale sipas Dalipit janë një aspekt tjetër i arsyeve që qojnë në vetëvrasje. Tek ky fenomen Dalipi përmend si shkaktar ndryshimet në strukturën e familjes kosovare, kontradiktat në familje përfshirë edhe dhunën ndaj grave dhe të miturve. “Në këto vitet e fundit, si në të gjitha fushat edhe familja pësoi ndryshime në strukturën e saj, u rrit shumë numri i divorceve dhe kjo bëri që të rritet numri i familjeve me një prind. Stresi që në shumicën e rasteve përfiton përmasat e kompromentimit të shëndetit mendor, po ashtu është një faktor madhor që shpesh mund të ketë pasoja dramatike si vetëvrasja”.
Edhe varësia nga droga është një faktor madhor që mund ta shpie individin në vetëvrasje. “Përdorimi i drogës është një problem madhor tek të rinjtë, sidomos në këto vitet e fundit, ku vërehet një rritje e numrit të përdoruesve. Duke i marrë parasysh specifikat e zhvillimit psikik në adoleshencë droga përbënë një rrezik të madh në stabilizimin e psikikës. Përdorimi i rregullt i drogave qon në varësi fizike dhe psikike, ku kjo varësi mund ta qoj individin në vetëvrasje” sqaron Dalipi.
Dalipi ka edhe propozime konkrete për parandalimin e kësaj dukurie. “Kjo dukuri negative mund të reduktohet ndjeshëm me anë të zbulimit të hershëm dhe trajtimit efektiv të shkaqeve të saj. Krijimi i ambienteve të mira të jetesës dhe punës mund të ndihmojnë në rritjen e vetëvlerësimit tek individi dhe harmoninë brenda shoqërisë, në ruajtjen e marrëdhënieve të mira shoqërore, gjë që i mundëson individit që të përballojë më mirë situata dhe ngjarje stresuese. Nga ana tjetër zbutja e problemeve si papunësia dhe varfëria kanë ndikim të ndjeshëm në reduktimin e problemeve të shëndetit mendor. Duke i marrë parasysh rrethanat aktuale në Kosovë, mendoj se për ta parandaluar këtë dukuri duhet që të ndërmerren këto masa: Përmirësimi i kushteve ekonomike, ndihmë psikologjike dhe sociale, identifikimi i personave me tendenca vetëvrasëse, rehabilitimi i personave që kanë tentuar vetëvrasjen, organizimi i veprimtarive të ndryshme si seminaret, debatet publike, emisionet e ndryshme etj./rajonipress/

