Eko Higjiena

A është i humbur Sali Berisha?

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Armand Shkullaku – Edi, Edi, uli brekët. Analogjia me titullin e një skice që Edi Rama e pati shkruar në adoleshencën e tij të vonë i shkon më së miri aktit të fundit politik të kryetarit të Partisë Socialiste. Për të fituar diçka, ai u detyrua përsëri të sprapset dhe të mbyllë njëherë e përgjithnjë çdo diskutim se ai ishte në gjendje të ndeshej dhe ta mposhtte Sali Berishën si opozitë në zgjedhjet e 23 qershorit. Edi Rama nuk mundi ta bëjë këtë.

Ata që prisnin një ndëshkim të qeverisjes, një ndryshim të fortë pas kësaj, një dekadë apo epokë të re siç pëlqen ta quajë Henri Çili në shkrimet e tij të fundit, për fat të keq po ballafaqohen me një déjà vu. Ndërrim vendesh dhe jo vizionesh, abort dhe jo lindje e aq më pak rilindje. Kërthiza e qeverisë së re, nëse koalicioni i ri fiton zgjedhjet, do të pritet nga gërshërët e përdorura të Ilir Metës.

Për ata që e kanë kujtesën të freskët, “ndryshimi i madh” i Edi Ramës nuk është asgjë më shumë sesa skemat bajate të këpëdëve socialiste, ku ai njëherë i përkulej Metës e njëherë Nanos për t’u ndjerë i sigurt nën sqetullat e tyre. Edhe tani që është i madh, ose më saktë drejton një parti të madhe, Rama nuk guxoi të përballet me kundërshtarin por po tenton thjesht t’ia zërë vendin atij duke ruajtur të paprekur gjithë sistemin.

Ftesa për LSI i ka zhgënjyer të gjithë ata që besonin te mrekullia se Rama do ta ngrinte opozitën në nivelin e një alternative të fortë për të zëvendësuar qeverinë Berisha. Ithtarët më të zjarrtë të këtij besimi sot kanë ulur kokën përballë zbythjes së opozitës dhe ftesës që ajo i bëri LSI për t’i dhënë një dorë që të vijë në pushtet. Ata kanë gjetur si ngushëllim të vetëm ikjen e Berishës, por duket që mezi e kapërdijnë çorbën e prishur që Rama ua rrasi me zor në gojë. Sepse edhe nëse pas 23 qershorit Berisha largohet, ai nuk mund të quhet i humbur. Ai nuk do të mundej me program, ide apo vizion alternativ. As me taksë progresive e shëndetësi falas. Nuk do të ndëshkohej as për dështimet në privatizime, për abuzimet me pushtetin apo marrëdhëniet klienteliste me biznesin. Këto Edi Rama i amnistoi dhe shpalli vazhdimësinë. Më 23 qershor nuk mund të flitet për humbje ose fitore, thjesht do të ndërrohej kreu i qeverisë dhe të tjerat mbeten siç kanë qenë.

KKVITI

Ata që duan largimin e Berishës e kanë një mundësi, por jo një rast për të duartrokitur e për të shpërthyer në entuziazëm për një erë të re në politikën shqiptare. Mënyra se si po tentohet ndërrimi i pushtetit nuk ka asgjë të lavdishme apo të justifikueshme me arsyetimin e lodhur se duhet zgjedhur e keqja më e vogël. Pas zgjedhjes që bëri Edi Rama kush mund të thotë se cila është e keqja më e vogël? Ky arsyetim nuk ka të bëjë me moralin që prej kohësh ka dalë mode, por me një precedent që nuk çon drejt zgjedhjeve elektorale por drejt zgjidhjeve personale. Do ishte qesharake të gjykohej Edi Rama për moral kur ka dalë faqe botës për të pranuar ato që ka mallkuar më zë e figurë pak kohë më parë. Por është absurde për ata që përbëjnë opinionin publik ta cilësojnë këtë si pragmatizëm që sjell ndryshim. Jo nga këndvështrimi moral, por nga këndvështrimi pragmatik kjo që po ndodh në Shqipëri nuk sjell ndryshim por regres. Votimi i qytetarëve humbet vlerën, qeveritë nuk përballen me bilancet e tyre dhe opinioni publik e humb peshën e tij.

Vendimi i Ramës për të mos e mundur Berishën por për ta zëvendësuar atë me ndihmën e Ilir Metës nuk i heq thjesht moralin alternativës opozitare, por tenton që këtë zgjedhje të tij ta shndërrojë në normë të të gjithë shoqërisë, në diçka të pranueshme si normalitet. Ata që e pranojnë këtë akt si nevojë për largimin e Berishës, me naivitet ose me perversitet përligjin një fenomen që do ta çojë drejt degradimit shoqërinë shqiptare. Në emër të zgjedhjes së të keqes më të vogël, mund të zgjidhet një e keqe pafund.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)