Vendimmarrës dhe zyrtarë komunalë vizitojnë komunën Jilldirim të Turqisë
Gjilan – Një delegacion i komunës së Gjilanit, i përbërë nga vendimmarrës, zyrtarë komunalë dhe shoqëria civile, po realizojnë një vizitë zyrtare në qytetin Jelldirim të Turqisë. Komuna kosovare dhe ajo turke janë binjakëzuar prej 7 vitesh dhe deri tani kanë shkëmbyer disa herë vizita të ndërsjella.
Në delegacion marrin pjesë Selim Selimi, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal, Jakup Bajrami, Sadudin Berisha, Ejup Haziri, Elisah Ymeri, Arben Mehmeti, Arben Maliqi, Sami Azemi, Nuhi Nuhiu, Fazli Abdullahu, Ilmi Limani, Isa Shefkiu dhe të tjerë.
Ata kanë marrë pjesë në një seancë të asamblesë komunale të Jilldirimit dhe më pastaj janë pritur edhe nga kryetari i këtij qyteti të regjionit të Brusës, që dominohet nga popujt e ardhur prej shteteve të Ballkanit dhe një numër i madh i tyre janë banorë me origjinë shqiptare.
Selim Selimi ka thënë se Gjilani është një nga komunat e mëdha të Kosovës, ku jeton edhe komuniteti turk.
Vendimmarrësit komunalë kanë shkëmbyer përvoja mbi qeverisen lokale me autoritetet e komunës turke, që është e njohur për industrinë e tekstileve dhe biznese të tjera dhe është qytet me dy universitete publike dhe private.
Jelldirimi është njëra ndër komunat e para me të cilat është binjakëzuar Gjilani, që më vonë, këtë bashkëpunim e ka lidhur edhe me një komunë të dytë në Turqi, qytetin Nazili.
Ndërkaq, kryetari kësaj komune, Keskin Ozgen ka thënë se Jelldirimi si vendbanim ekziston prej 700 vitesh e këndej, ndërsa si komunë në vete është themeluar në vitin 1987.
Në vitin 2005 e ka ndihmuar Gjilanin me një autoambulancë për nevojat e shëndetësisë primare, ka investuar në fasadimin e objektit të xhamisë së re në lagjen “Deremahallë” si dhe ne në një institucion parashkollor.
Ditën e parë të vizitës, delegacioni nga komuna e Gjilanit ka vizituar disa lokalitete të të trashëgimisë kulturore, një zonë industriale në Bursa, që është themeluar nga afaristi me origjinë shqiptare nga Gjilani, Faretin Gylener, pastaj qendrën për kërkime shkencore si dhe si dhe disa pika atraktive për vizitorë në regjionin e Brusës.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi, Gjilanin e kanë vizituar disa herë edhe afaristë turq, të cilët kanë premtuar se do të kthehen për të investuar në këtë qytet të pjesës lindore të Kosovës, prej nga disa prej tyre e kanë edhe origjinën familjare. Afaristi Gylener ka thënë se ka qenë në Kosovë disa herë për të shikuar mundësinë për investime, por sipas tij, atje ende mungon klima e duhur për biznes.
Jelldirim ka mbi 500 të punësuar në administratën komunale, të cilët i shërbejnë një popullate prej rreth 700 mijë banorësh. Në Bursë është themeluar edhe Shoqata turke-shqiptare, të cilën e udhëheq Rexhep Gundyz, një shtetas turk me origjinë nga komuna e Gjilanit.
Ndryshe, Turqia e ka ndihmuar luftën e popullit të Kosovës për çlirim nga Serbia. Tani Kosova duhet të punojë shumë për të ndërtuar të ardhmen e saj. “Lirisë nuk i duhen dëshmorë, por i duhen njerëz që punojnë shumë“, ka thënë Gylener./rajonipress/


