ARKATANA

Të jesh (anti) historik

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Baton Haxhiu – Ilir Meta u dha fund të drejtave të papërsosura politike.Të jesh historik në rotacion, siç e quan Andi Bushati ndryshimin në politikën shqiptare, ku Rilindja e PS-së është rotacion dhe jo ndryshim, paraqet pikën e ndryshimit në Shqipëri.

Një rotacion që vjen nga dështimi i parimeve, thotë Mero Baze.

Koalicioni Meta-Rama është dështim, sepse ai nuk paraqet ndryshim, por thjesht është ndryshim partneri, konstaton Armand Shkullaku.

Ilir Meta është përcaktuar qartë të mos jetë antihistorik, sepse, ndryshe, nëse do mbetej brenda një institucionalizimi regresiv, do mbetej figura që e la Shqipërinë brenda moçalit. Dhe ky atribut për Shqipërinë e këtij shekulli nuk do mbahej me Doktorin, por do të ishte vulosur në lëkurën e Metës si një tatu dështimi.

Por, të tre autorët e shumë shkrimeve kanë të drejtë dhe nuk mund t’i quash të huqura qëndrimet e tyre – kur ndryshimin apo rotacionin i quajnë si procese të papërsosura.

E qartë është se ajo që ka ndodhur me Ilir Metën dhe Edi Ramën – është larg nga e përsosura. Por, miratimi dhe vënia në fuqi e kësaj të drejte të Ilir Metës për ndryshim, që mund të quhet “ndryshim i papërsosur”, është e drejtë më e fortë, shumë më e fortë sesa ai, Meta, të jetë me të drejtën antihistorike.

Mbi të drejtën e papërsosur dhe të drejtën antihistorike, personalisht jam për të parën.

Ideali i kërkuar nga Bushati, Baze e Shkullaku, për një rregull të përsosur dhe të kërkuar nga shumica shqiptare, e pranoj se nuk është kërkesë utopi. Përkundrazi, tash kur po ndodhin ndryshimet e përcaktuara, kjo kërkesë e shumicës në Shqipëri mund të përkufizohet si një cak ideal.

Por, a mund të flasim për të lejueshmen e ndryshimit që po e bën Meta apo për të palejueshmen e një rendi juridik që po merr pjesë ai dhe po kontribuon në kultivimin e tij? Kjo përplasje e të dy koncepteve na stërmundon të gjithëve dhe ka plot të tillë që po hulumtojnë të gjejnë fillin e më të mirës për datën 23 qershor. Njëri pushtet, i Berishës dhe Metës, është i njohur dhe ka referencë. I dyti – i paprovuar dhe ka gjasë që mund të mos jetë rotacion, por ndryshim.

Meta mund të kalojë nga një pragmatizëm dhe rutinë e palejueshme për të arritur te ndryshimi, në një koncept politik që kap Rilindjen si fjalë dhe e shndërron në parim, dhe pastaj në cak ideal.

Uji Dea

Berisha ishte arsye e besimit më 2005 dhe ishte vetë ndryshimi. Për shumëkënd, dukej e pabesueshme. Por, më vonë, vlerësimet morale, të ngritura nga Berisha, deri në pikën zero të korrupsionit, u deshën të shndërrohen në parime dhe në rregulla juridike.

Berisha humbi betejën kur vendosi të mos kalojë nga moralja tek e drejta. Habermas e ka një sentence te jashtëzakonshme mbi moralin dhe të drejtën, duke thënë se morali dhe lufta morale mbi të drejtën ka kuptim dhe është e dobishme nëse ka një rend juridik. Berisha e huqi me dorën e tij, dhe me këtë e humbi rastin të jetë historik në bërjen e Shqipërisë vend me rregulla dhe të drejtë.

Në luftën politike në Shqipëri ka një armë që e përdorin dy partitë e mëdha: LSI-në. Analogjitë historike janë delikate. Dhe japin edhe mësime të ndryshme. Por, ato njëkohësisht ndihmojnë për të sqaruar idetë, ndonëse dallohen kohët për të cilat po flasim. Viti 2005 ishte vit i Ilir Metës dhe i ndryshimit të madh. Viti 2013 është vit i Ilir Metës dhe vit i ndryshimit të asaj që Ilir Meta i pati ndihmuar të jetë i rikthyer në pushtet për arsye parimore dhe historike për Shqipërinë. Ky rikthim ka qenë një fitore e të gjithëve, duke mohuar çdo të kaluar politike të Berishës. Kjo ndodhi sepse e keqja më e madhe ishte përjetim që ndodhte, që për të gjithë, dhe për Berishën vetë fitorja dhe kthimi ka qenë një përrallë e bukur politike.

Ndoshta pajtohem me nivelin parimor që Andi Bushati ka ngritur për konceptin e Rilindjes së PS-së. Ndoshta, mund të them se Armand Shkullaku edhe një herë ka bërë “mbrojtjen heroike” për Ilir Metën dhe LSI-në, duke i faktuar problemet që mund t’i ndodhin rrugës vizionit pragmatik të Ilir Metës, nëse do të hynte me Ramën dhe PS-në në koalicion. Por, ka një gjë që në të dyja rastet s’më mbushet mendja dhe mendoj se është krejt ndryshe, e gjithashtu na paraqitet si imanente për shoqërinë shqiptare: Që ndryshimi duhet të ndodhë dhe është i domosdoshëm.

Tek ky konstatim mund të jemi më shumë pragmatikë dhe më pak idealistë sesa caku ideal i Bushatit për formën e ndryshimit, dhe, natyrisht, edhe më pak vizionarë se sa Shkullaku, në dëshirën e ndryshimit, ku politikën pas 23 qershorit duhet ta vazhdojë koalicion Berisha-Meta, si mënyrë e vetme për t‘i humbur të dy liderët politikë të ngatërruar në armiqësi.

Nuk mund të jetë idealizmi politik dhe i shkronjave të Bushatit, që për vite ka projektuar idenë e pastërtisë së funksionimit të shtetit shqiptar, duke refuzuar riciklimin e njerëzve dhe situatave politike, më i nevojshëm dhe më i domosdoshëm për Shqipërinë sesa e keqja e saj më e madhe – qeverisja e keqe e këtij Mandati të Z. Berisha.

Nuk mund të jetë vizioni i Shkullakut për LSI-në dhe të ardhmen e saj mbështetje për një mandat të ri për këtë qeverisje, duke mohuar dhe pamundësuar ndryshimin, për faktin se Edi Rama nuk është njeriu i duhur i së ardhmes.
Në jetën politike në Shqipëri, kemi të bëjmë me një të keqe dhe një të keqe më të madhe.

Dy miqtë e mi që pretendojnë të shkëputen njëherësh dhe përgjithmonë nga dy liderët politikë të dy kampeve, mund të pretendojnë se nuk duan të zgjedhin konceptin e jetës së tyre dhe qytetarëve të Shqipërisë mbi dy të këqija: Të madhes dhe asaj më të voglës.

Dhe kanë të drejtë. Por, mbi një situatë reale, duke hequr pastërtinë dhe idealizmin e Bushatit për një shoqëri të pastër evropiane në Shqipëri, dhe vizionin e Shkullakut për Shqipërinë e së tashmes – pa dy liderë të konsumuar, më duket se e keqja më e vogël që po shtrohet si domosdoshmëri ka një përparësi: Mund ta mohojmë faktin se politika e ndryshimit në Shqipëri më 2005 lindi për faktin se Nano ishte e keqja e madhe. Mund ta mohojmë faktin se Rama me gabimin e tij e çoi Metën në rrugën e ndërtimit të një hegjemonie politike. Dhe nuk mund ta refuzojmë dhe ta mohojmë faktin se Meta i detyrohet Shqiptarëve e jo Ramës – ndryshimin. Pa të, Shqipëria do të jetë e pashpirt dhe Meta do të jetë antihistorik.

Doni të rrëmoni ndërgjegjen e Metës e ta pranoni këtë Shqipëri? Edhe kjo bën. Por, të gjithë jemi pjesë të gjykimit dhe historisë së gabuar. (Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)