Eko Higjiena

Perandoria e antivlerave

/ 12 minuta lexim
Fundamenti

Nga Nexhat Hajrullahu – Degradimin moral të shoqërisë sonë, e kanë pasuar degradimet në të gjitha sferat e jetës, si në rrafshin institucional, kulturor e politik, ku në luftën e vazhdueshme ndërmjet vlerave dhe antivlerave, kanë fituar terren këto të dytat. Nëse kthehemi në retrospektivë dhe mundohemi të gjejmë gjenezën e këtyre stërkeçjeve, në një mënyrë, vitet e nëntëdhjeta mund të konsiderohen si vitet e përpëlitjeve për mbijetesë.

Ndonëse në kushtet e atëhershme, edhe mund të arsyetohen disa devijime në dimensione të ndryshme, edhe pse në ato rrethana kushtet për veprim ishin shumë të kufizuara, dhe vlen shumë të theksohet se megjithatë kishte mbizotëruar një solidaritet ndërshqiptar shumë më i madh se sa që e hasim sot. Kjo edhe mund të shpjegohet se ne jemi dëshmuar se në kushte të zorit, dimë edhe të afrohemi, por dimë edhe të tregojmë kryeneçësinë tonë në momente shumë vendimtare e delikate, për të mos u marrë vesh thuajse për asgjë. Kjo kishte ndodhur me forcat politike dhe ushtarake gjatë luftës së fundit të UÇK-së, ku dallimet kishin arritur në një pikë të vlimit, dhe përafrimet në qëndrime deri në marrëveshje nuk ishin arritur asnjëherë.

Përfundimi i luftës, ndoshta mund të merret e dhe si pikë kthese, ku gjërat negative morën një kahe të hovshme, dhe shoqëria jonë u gjet e pafuqishme për ta kontrolluar sado pak tranzicionin e shumëfishtë që ishim duke e kaluar. Formimi i shtetit dhe i institucioneve dhe forcimi i tyre në të njëjtën kohë hasi në një luftë të pakompromis nga mujshia dhe fuqia e disa figurave që u imponuan nëpër të gjitha institucionet tona, duke e kapur shtetin dhe duke degraduar thuajse gjithçka.

Në luftën e vazhdueshme për ndërtimin e një sistemi të vlerave, jo rastësisht por në mënyrë shumë të sofistikuar dhe të organizuar ishin kujdesur për përmbysjen e sistemit të vlerave disa matrapazë dhe një pseudoelitë që filloi me uzurpime, pasurim të paligjshëm, marrje të pozitave në forma jo meritore, marrja edhe e titujve shkencorë si magjistra e doktorë, si nevoja të kohës për ti legjitimuar edhe pasurimet e tyre të paligjshme dhe ngritjet në shtresëzimin shoqëror në mënyrë të dhunshme përmes përfitimit të paligjshëm të atributeve materiale dhe jomateriale.

Avancimi me tituj është vetëm kulmi i degjenerimit të një sistemi, nga se do të vijë edhe koha kur do të na shiten edhe për intelektualë, dhe perandorinë që e kanë ndërtuar në këtë formë, do të kenë nevojë edhe ta mbrojnë përmes pushtetit të tyre suprem. Në këtë kontekst vlen të citohet ish Presidenti Amerikan Theodore Roosevelt kur thotë: – “Një njeri që kurrë nuk ka shkuar në shkollë, mund të vjedh një vagon mallrash, ndërsa në qoftë se ai ka edukim universitar ai mund të vjedh një tren të tërë”. Pra sistemi i hajnisë dhe korrupsionit do të mund të sofistikohet nga njerëz të edukuar keq, të cilët mund të lansojnë idenë se pasurimi në mënyrë të shpejtë është një aftësi dhe një vlerë.

Pasi t’i ketë arritur synimet e saj për t’u imponuar në shoqëri dhe shtet, kjo superstrukturë e kriminalizuar ka arritur që përmes klientelës së saj ta shtyej agjendën e saj deri në legalizimin e saj, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë shoqëror e politik. Pra, me kalimin e viteve këto devijime vetëm sa janë bërë një sistem i sofistikuar i antivlerave dhe shoqëria jonë e sheh vetën si të pafuqishme për ta shkatërruar këtë piramidë dhe perandori që e ka ngulfatur edhe jetën e qytetarit të rëndomtë, sepse kjo mënyrë jetese është bërë e padurueshme për secilin, ngase si shoqëri dhe si familje jemi edukuar në një frymë ku atdhedashuria dhe meritokracia ishin kultivuar me breza të tërë, dhe një degradim të tillë as që e kishte imagjinuar ndokush ndonjëherë.

Piramida e së keqes dhe korrupsionit i ka mbërthyer pothuaj se të gjithë sektorët dhe institucionet, por më e keqja prej të këqijave, me pasoja afatgjate është degradimi i arsimit në të gjitha nivelet, por sidomos atij universitar dhe pasuniversitar, ku disa nga ligjëruesit e fëmijëve tanë do të jenë disa matrapazë, blerës të titujve shkencorë, pa kurriz dhe pa tru fare, dhe kështu e keqja do të shumëfishohet dhe do të shtrihet në kohë, ku pasojat do të barten për gjenerata të tëra.

Kur shtrohet pyetja se si do të mund të shembej kjo piramidë dhe ky sistem dhe cila do të ishte formula për ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë të vlerave, ku meritokracia dhe kriteret e avancimeve do të ishin alfa dhe omega e çdo zgjidhjeje, kjo mund të konsiderohet një pyetje shumë e vështirë për tu përgjigjur, dhe zgjidhja do të ishte shumë e vështirë për tu gjendur, sepse themelet e kalbura të këtij sistemi nuk do ta mbajnë një ndërtim të ri, pa u rrënuar ky i vjetri, që mund të quhet edhe një lloj procesi i refondimit.

Në këtë rast pra, individi është vetëm një vrojtues i pafuqishëm për të ndryshuar gjendje, ndërsa grupi për shkatërrimin e kësaj piramide ndoshta nuk do të mund të formohej kurrë.
Duke e ditur se ndryshimi rrënjësor nuk do të jetë i lehtë, andaj vullneti qytetar duhet të vijë në shprehje përmes ngritjes së vetëdijes së përgjithshme popullore, dhe se një gjendje e tillë mund të ndryshohet vetëm nëpërmjet një pjesëmarrjeje aktive qytetare dhe kjo donë një përkushtim dhe vetëmohim të pashoq, ngase ka ardhur koha kur e keqja duhet të ndalet dhe nuk duhet të ushqehemi me iluzione se ajo do të largohet vetvetiu, pa pjesëmarrjen tonë.

Hidromorava

Zgjedhjet janë një rast ku kredibiliteti i personave të hedhur në lista nga partitë politike duhet të vihet në shprehje, edhe pse sistemi zgjedhor dhe reformat e shumë përfolura nuk po duket se po japin rezultate, dhe lënë shumë për të dëshiruar, neve nuk na mbetet tjetër, përveç se të shpresojmë se disa të meta të së kaluarës mund të evitohen. Ndërsa, kur duhet të flasim për menaxhimin dhe përmirësimin e shërbimeve në institucionet e tjera duhet ta shikojnë me kujdes sistemin e kontrollit të etikës në punë të çdo nëpunësi dhe zyrtari, dhe ngadalë të çrrënjoset e keqja e mbjellur nga vet ne, sepse këtë të keqe nuk e kemi importuar, por e kemi krijuar vetë.

Nobelistja Aung San Suu Kyi thotë: – “Nuk është pushteti që korrupton por frika. Frika nga humbja e pushtetit i korrupton ata që e ushtrojnë atë, ndërsa frika nga goditja e pushtetit i korrupton ata që janë subjekt i tij’’. Pra kemi të bëjmë me dy shtresa apo palë në këtë lojë, të korruptuarit dhe korruptuesit. Kështu që, kur kemi të bëjmë me shtresat dhe hallkat që e përbëjnë sistemin tonë, ne padyshim duhet t’i vëzhgojmë nga afër se kush janë këta argatë të së keqes dhe cila është klientela e tyre. Kush po punon në bahçen e kriminelëve dhe matrapazëve, që krimi dhe korrupsioni të lulëzojë në çdo stinë, ndërsa aromën e keqe dhe kundërmimin e ajrit të ndotur gjithkah tjetër do të duhet ta thithim ne, qytetarët e thjeshtë. Pra dikush po kujdeset me fanatizëm, dhe është i gatshëm të na i nxjerr sytë, me kusht që ta mbrojë me çdo kusht këtë bandë kusarësh dhe zhvatësish, sepse rrezikun ata e kanë marrë përsipër me kushtin e vetëm që derisa të jetë e mundur t’i rrisin aksionet e tyre dhe ta shumëfishojnë pasurinë përmes krimit dhe instrumenteve mbrojtëse të sistemit të kapur nga ta.

Përderisa jemi të detyruar të bashkëjetojmë me të keqen dhe shfaqemi të pafuqishëm për ta çrrënjosur atë, me mosaktivizimin tonë qytetarë, ne i forcojmë themelet e kësaj perandorie të antivlerave dhe presim që ajo të shembet vet, pra pa asnjë minutë të kushtuar të argatit tonë. Por sigurisht se kjo nuk do të ndodh dhe guximi qytetar duhet medoemos të rritet dhe në asnjë mënyrë të mos nënshtrohemi, sepse ambientimi me një gjendje të tillë do të jetë shumë i rrezikshëm për të ardhmen tonë.

Optimizmin tonë të mbytur nga kjo ngulfatje e këtij sistemi të përmbysur të vlerave nuk duhet ta shuajmë kurrë dhe angazhimet tona për ndryshimin e gjendjes nuk duhet të na mungojnë asnjëherë. Nuk thuhet më kot se ‘ata që kanë vlera, gjithmonë do të mundohen t’i ruajnë ato, ndërsa ata që nuk kanë vlera nuk do të kenë çka për të ruajtur’. Në përditshmërinë tonë ne jemi dëshmitarë të stërkeçjes së një sistemi ku pozitat kyçe nëpër shumicën e institucioneve i mbajnë njerëz jokompetentë, jo profesionalë apo njerëz të politizuar skajshmërisht, ku detyra e tyre e parë do të jetë shërbimi ndaj partisë që e ka punësuar apo shefit dhe jo profesionalizmi dhe shërbimi korrekt e me përgjegjësi ligjore ndaj vendit dhe popullit.

Marrja e përvojave të vendeve që e kanë kaluar tranzicionin mbetet një detyrë e jona që këtë të keqe ta heqim ngadalë nga vetja, ashtu sikur lokalizimi i qelizave kancerogjene dhe eliminimi i tyre me metoda të zbatuara, nëse shkalla e atyre qelizave nuk e ka arritur stadin e përhapjes apo metastazimit nëpër pjesë tjera të organizmit dhe varësisht nga lloji i atyre qelizave. Diagnostifikimi, lokalizimi dhe heqja e qelizave kancerogjene është një operacion i krahasueshëm me luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar, ndërsa sistemi ynë imunologjik nuk është në një nivel shumë të sigurtë për t’iu përballuar operacioneve të rënda apo për të vazhduar jetën tonë me vuajtje, për një kohë të gjatë.

Nuk i’a vlen të vajtojmë tërë kohën, dhe të rrimë duarkryq, pa ndërmarrë as më të voglin mundim që këtë të keqe të përgjithshme ta heqim bashkërisht, dalëngadalë dhe me kujdes të shtuar, duke dëshmuar sikur në luftën tonë për liri, se ne e deshëm më shumë vendin tonë se sa armiku për ta mbajtur atë të pushtuar. Ashtu siç e kemi fituar lirinë me mund dhe sakrifica, ashtu duhet ta fitojmë edhe lirinë tonë për të vepruar, lirinë e zgjedhjes dhe lirinë për të qenë të barabartë para zotit dhe ligjit. Kjo arrihet me vetëdije të plotë, me vullnet të madh dhe dashuri të pandërprerë për atdheun, përderisa nuk demoralizohemi dhe të vijmë në një gjendje të një pacienti të pashpresë në luftën për mbijetesë deri në minutën e fundit kundër një sëmundje malinje.

Shkrimtari dhe producenti i njohur amerikan G. Edward Griffin luftën kundër korrupsionit në qeveri e sheh si ‘…një obligim të lartë patriotik’, pra patriotizëm i madh në ditët e sotme është lufta kundër kësaj dukurie të shëmtuar. Kurse filozofi dhe politologu i njohur Irlandez Edmond Burke deklaron se ‘në mesin e njerëzve përgjithësisht të korruptuar, liria nuk mund të ekzistojë më’. Pra asnjëra nga palët nuk mund ta konsiderojnë veten të lirë.

Sido që të jetë, megjithëse perandoritë shquhen për jetëgjatësinë e tyre, ato prapëseprapë janë rrënuar dhe kanë rënë, dhe ‘perandoria e antivlerave’ gjithashtu do të bjerë, herët a vonë. Vlerat duhet të sundojnë mbi antivlerat, në kuptim të sistemit, përndryshe as jeta nuk do të kishte kuptim nëse kemi një përmbysje të tillë, dhe luftën për mbijetesë do ta fitonin gjithmonë këto të dytat.

Po e përmbyll këtë shkrim me një thënie të filozofit dhe historianit të vjetër grek Taciti i cili lidhur me korrupsionin shprehet se ‘sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më i madh është numri i ligjeve’. Pra nuk na duhet aq shumë ligje nëse ato nuk funksionojnë dhe nuk respektohen së pari nga vet institucionet dhe përpiluesit e tyre, ku ne jemi dëshmitarë të përditshëm se si shkelet ligji nga zyrtarë të lartë dhe funksionarë e familjarë të tyre, sikur nuk vlejnë ligjet për ta.