Tash, edhe qendër e prostitucionit!
Nga Arbana Xharra – Në këto 13 vjetët e pasluftës, Kosova është shndërruar në qendër të trafikimit dhe prostitucionit të detyruar. Femra nga Moldavia, Rumania, Bullgaria dhe Ukraina trafikohen në Kosovë. Ato përjetojnë keqtrajtime të rënda fizike dhe psikike. Shumë nga këto femra vijnë nga kushte të vështira ekonomike dhe sociale. Këto të dhëna janë publikuar nga raporti i fundit i Amnesty International, para pak ditësh.
Fatkeqësisht tash edhe trafikimi dhe prostitucioni i detyruar i shtohen imazhit të denigruar të Kosovës, pas korrupsionit dhe krimit të organizuar, që tashmë janë shndëruar në sinonim i këtij shteti. Raportet ndërkombëtare për Kosovën një pas një nxjerrin fakte të reja për audiencën e huaj, të cilët secilën herë e më shumë na shohin larg e më larg tyre.
Mënyra sesi në detaje përshkruan ky, mbi rrjetin e kontrabandimit me njerëz, dhe mënyra sesi zhvillohet prostitucioni në Kosovë, do të na dëmtojë rëndë në procesin e liberalizimit të vizave. Për me keq në këtë raport, Kosova është përshkruar si pikëtakim në trafikun e kontrabandës me “mishin e bardhë”.
Shteti më i ri në evropë me vemendje të shtuar ndërkombëtare, na del të ketë mbi 200 lokale, ku femrat detyrohen me dhunë të ushtrojnë profesionin e prostitutës. Kjo shifër është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Pretendimet e pushtetit edhe e disa miqve të tyre ndërkombëtarë, se Kosova përgjatë 13 vjetëve ka arritur progres, me këtë raport na del të ketë arritur “sukses” në shëndrrimin e qendrës së trafikimit dhe prostitucionit në Ballkan.
Në kohën kur Kosovës i duhet shumë mbështetje dhe vëmendje përkrahëse ndërkombëtare, na del që trafikimi i qenjëve njerëzore është kthyer në problem goxha të madh të vendit. Edhe pse në raport kritikohen ashpër edhe ndërkombëtarët, ata në fund të ditës gëzojnë imunitet diplomatik dhe pasojat e degradimit i bartim ne si shtet. Ky raport ndërkombëtar del rreth një muaj pas atij të Komisionit Evropian, i cili ka kritikuar ashpër Kosovën për mosluftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke u vlerësuar si pengesëa kryesore për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
Përkundër zotimeve të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi karshi prezencës ndërkombëtare se qeveria e tij do të bëjnë çmos që t’i plotësojnë kriteret për t’u futur brenda zonës Shengen, raportet ndërkombëtarë zhveshin në detaje situatë në të cilën gjendet realisht Kosova.
E me këto ritme të stagnimit në të cilat është Kosova nuk ka shans që të zbatohen kushtet që janë në udhërrëfyes. Pretendimet se në vitin 2014 Kosova do të plotësojë kërkesat për zonën shengen, me problem kaq të rënda me krimin dhe korrupsionin, zor se do të jemi afër edhe për disa vjetë me liberalizimin e vizave.


