ARKATANA

Mbi turpin

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Arben Idrizi – Duke mos i pranuar për viktima, duke e mohuar dhe injoruar fatkeqësinë e këtyre femrave: nënave, motrave dhe bijave tona, ne i themi Historisë së e pranojmë se ato duhej të dhunoheshin, se ato duhet të dhunohen. Se respekti dhe kujdesi ynë për nënat, motrat dhe bijat është t’i lëmë në duart e dhunuesve dhe kur të ikin dhunuesit, të bëhemi ne dhunuesit e radhës. Pra, se ne jemi barbarë.

Nuk arrij ta shpreh me fjalët e duhura, po këtë herë le të më falet injoranca ime, trishtimin, tmerrin dhe indinjatën që ndjej kur shoh, dëgjoj dhe kuptoj se znj.Nazlie Bala kërcënohet me vdekje, fyhet dhe sulmohet fizikisht, se kërcënohet me vdekje, fyhet dhe sulmohet fizikisht për shkak të një gjesti dhe iniciative të saj aq humane s’ka ku të vejë më tepër.

Ende nuk dihet kush qëndron prapa letrave kërcënuese dhe sulmit fizik (Vetëvendosje beson dhe pohon se këtë e kanë bërë dikush nga PDK, të cilët edhe ashtu janë kundërshtuesit e iniciativës dhe për rrjedhojë edhe e kanë kërcënuar e fyer znj.Bala), mirëpo pretendimi se znj.Bala “po mbron turpin” – sipas letrave kërcënuese dhe tashmë sulmuesve fizikë – është pretendimi më i paqëndrueshëm, më mizor dhe më kriminal që kam hasur ndonjëherë.

Pretendimi i tillë ka të bëjë me iniciativën e Balës që në amandamentimin e Ligjit për veteranët, familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës, të vendosen si kategori e viktimës së luftës edhe personat e dhunuar seksualisht.

Termi ‘turp’ është kompleks. Kuptimi i parë i tij është (sipas Fjalorit të Gjuhës së sotme shqipe, Rilindja, 1981): ndjenjë e fortë turbullimi e hutimi kur bëjmë diçka të pahijshme a të pandershme, kur gabojmë, kur nuk ia dalim mbanë një pune, kur na fyen, ose kur na vë në lojë dikush, etj. Etj.

Siç e shohim, deri këtu, sipas definicionit, turpi është një emocion që lind në ne si pasojë e një veprimi që ne e bëjmë të shtyrë nga vetvetja, me dëshirë, për ta arritur një qëllim të caktuar; kur pa dashjen tonë, me a pa të keqen tonë, dikush na ngacmon në sedër, na poshtëron me fjalë a gjeste në unin, dinjitetin tonë. Në këtë rast, përveç ndonjë përjashtimi, kjo ndjenjë turpi është jetëshkurtër. E harrojmë atë që na ka ndodhur; e falim dhe tamam e harrojmë atë që na e ka shkaktuar. Është e natyrshme.

Kuptimi i dytë i foljes ‘turpëroj’, është: ia marr nderin, e dhunoj, e përdhunoj dikë. Dhunimi (seksual) tregon një akt që ndodh në kundërshtim me vullnetin e njërës palë. Do të thotë, pala e dëmtuar ka pësuar një tragjedi, një fatkeqësi. Deri më sot, përveç në kultura e tradita që i shohim me mendje kritike a edhe me përbuzje, s’di që fatkeqësia e individit a grupit të jetë konsideruar turp, kudo a kurdo. Përkundrazi, ndaj saj është vepruar, ka pasur qëndrim dhembshurie, mëshire, kujdesi dhe respekti – kuptohet aty ku kemi pasur të bëjmë me një shoqëri të ngritur dhe demokratike.

Mundet, e unë nuk jam njohës sociologjie e antropologjie, që, në rastin konkret, individë a grupe të caktuara ta shohin dhunimin e pësuar (jo atë të bërë) si një turp, bazuar në kulturën dhe traditën tonë. Kjo, ndoshta ngase në të kaluarën tonë, ose edhe në të tashmen, prej organizimesh primitive e fisnore, dhunimet kanë qenë pjesë e sjelljes familjare shoqërore. Për pasojë, që të mbulohet krimi i bërë nga keqbërësi, viktimës i është imponuar të konsiderohet e turpshme, të heshtë, ta mbulojë të keqen që i është bërë…

Individi që e ka pësuar një të keqe edhe mund të ndihet me turp përballë vetvetes a shoqërisë, në momente e rrethana të caktuara, mirëpo nuk ka një autoritet tjetër, nuk mund e nuk duhet të ketë, që do t’ia impononte atë turp si normë a ndëshkim. Kjo do të ishte vazhdim i keqtrajtimit në mënyra të tjera. Dhe nëse shoqëria vendoset në rolin e atij autoriteti turpërues, pra mohues, ndëshkues e linçues, atëherë ajo shoqëri është autoritare dhe mizore.

Në këtë rrjedhë, Bala pra nuk po e mbron turpin e atyre femrave, se aty s’ka turp, po e lufton turpin e shoqërisë dhe pushtetit, se aty ka turp.

* * *

Unë nuk kam guximin njerëzor t’i them znj.Bala se duhet ta vazhdojë përpjekjen e saj humane dhe të guximshme pavarësisht të gjitha këtyre kërcënimeve, fyerjeve dhe sulmeve fizike. Nuk mundem, ngase duke e bërë atë gjë, do të duhej në të njëjtën kohë t’ia ofroja një siguri të qenë fizike, përndryshe mbështetja ime s’do të ishte veçse hipokrite dhe me pasoja për jetën e saj, humbjen e të cilës nuk do ta arsyetonte asgjë. Them se atë siguri mund dhe gjithsesi duhet t’ia sigurojë vetë shteti dhe shoqëria, për mirëqenien, demokratizimin dhe zhvillimin e të cilës, besoj shumë, ajo përpiqet, të paktën me këtë iniciativë. Ajo që unë personalisht mund t’i them, është, me pak fjalë: »Edhe unë e mendoj atë gjë si Ju«. Kam bindjen e pamposhtshme se po qe se arrijmë të bëhemi më shumë veta që e mendojmë atë gjë si ajo dhe e themi atë gjë që e mendojmë si ajo, atëherë sigurisht do t’i kemi ofruar një siguri intelektuale dhe morale.

Jam shumë i sigurt se asaj i duhet kjo siguri po aq sa ajo e para. Bile, sado e kalkuluar të duket, me kaq ne po ashtu i rezervojmë edhe vetes një siguri të tillë, në rastin e dhënë apo kurdo qoftë. Të mos jesh i vetmuar as fizikisht as intelektualisht është një e mirë që nuk paguhet dot, të urtët antikë do të thoshin se është një dhunti që vdekatarëve të shkretë ua japin hyjnitë. Të jesh i vetmuar intelektualisht duke qenë gjeni është diçka tjetër. Mirëpo, të jesh intelektualisht i vetmuar për shkak të frikës të të shoqërojnë, përkrahin dhe ndajnë me ty atë të vërtetë, njohje a bindje, tregon se je duke jetuar në një shoqëri dhe vend jo demokratik, me edukim dhe kulturë të ulët, me raporte ndërnjerëzore pothuajse barbare. E këtë të fundit sigurisht se e duan dhe kërkojnë ta ruajnë dhunuesit dhe ata që nuk duan t’ua njohin femrave të dhunuara seksualisht në luftë statusin e viktimave të luftës. Ata janë të mjerë dhe mizorë, por ta dimë dhe ta themi këtë, nuk na ngushëllon as nuk na bën më ndryshe neve karshi tyre. Do të na bënte sikur të mos ishin.

FIDANISHTJA

* * *

Atëherë, ç’është ajo që e mendojmë njëjtë?

Është e njohura, mendimi dhe bindja jonë se femrat e dhunuara seksualisht gjatë luftës janë viktima të luftës, si çdo kategori tjetër qeniesh njerëzore që e meritojnë dhe fitojnë atë status. Andaj duhet të kategorizohen si të tilla dhe të trajtohen si të tilla.

Para civilëve nuk mund të jetë askush viktimë e luftës. Dhe askush më shumë se viktima e luftës nuk e pëson nga lufta. Për këtë, një shoqëri me parime dhe vlera humane, do të duhej të vente mbi gjithçka këto viktima civile. Civilët nuk zgjedhin të luftojnë as të vriten; nuk zgjedhin të ketë luftë as ta pranojnë luftën. Këtë e bëjnë luftëtarët. Lufta kurrë s’ka asgjë humane në vete. Parë kështu gjërat, them se është krejtësisht jonjerëzore të glorifikohen ata që në një mënyrë ose tjetër i shkaktojnë viktimat e këto të përfundojnë në fundin e pashqyrtueshëm të listës së kujdeseve dhe interesave. Po edhe do të ishte paradoksale të presim nga dhunuesit potencialë të kujdesen për të dhunuarat. Duhet të mendojmë mirë dhe të veprojmë ne, shoqëria, nëse ende na ka mbetur pakëz mendje dhe shpirt.

Në të vërtetë, bindja ime intime është se femrat e dhunuara seksualisht janë ndër viktimat më të mëdha të luftës dhe se, për rrjedhojë, meritojnë trajtim dhe kujdes më të madh dhe më të veçantë.

Do të sillja në mbrojtje të kësaj bindjeje opinionin se dhunimi seksual është përvojë më e keqe, më e papërballueshme dhe më çnjerëzore se çdo keqtrajtim tjetër. Një qenie njerëzore e mbajtur në burgim, e rrahur dhe ushqyer keq do ta përballojë më lehtë këtë sjellje se sa një qenie njerëzore e dhunuar. Një qenie njerëzore e keqtrajtuar fizikisht arrin më lehtë të rikuperohet fizikisht dhe psiçikisht se sa një qenie njerëzore e dhunuar seksualisht. Etj.

Megjithatë, do të më bëhej vërejtje, e mbase me vend, se nuk është humane të bëhet një vlerësim i tillë shkallëzues i vuajtjeve të këtyre viktimave civile, duke i krijuar kujdese e dëmshpërblime më të madha njërës palë në kurriz të një pale tjetër.

Secila vuajtje është vuajtje.

Për ta përmbyllur këtë: personat e dhunuar seksualisht në luftë janë viktima të luftës dhe duhet të njihen si të tilla, në Ligjin përkatës që pritet të amandamentohet dhe për çka po kërcënohet me vdekje, fyhet dhe sulmohet fizikisht znj.Nazlie Bala.

Dukë mos i pranuar për viktima, duke e mohuar dhe injoruar fatkeqësinë e këtyre femrave: nënave, motrave dhe bijave tona, ne i themi Historisë së e pranojmë se ato duhej të dhunoheshin, se ato duhet të dhunohen. Se respekti dhe kujdesi ynë për nënat, motrat dhe bijat është t’i lëmë në duart e dhunuesve dhe kur të ikin dhunuesit, të bëhemi ne dhunuesit e radhës. Pra, se ne jemi barbarë.

Ka mbi të gjitha dy lloje kafshësh që e bëjnë këtë: kafshët që e duan atdheun dhe kafshët që e duan zotin.

Prandaj mendoj se bota do të ishte shumë më rehat, në paqe, dashuri dhe zhvillim, pa atdheun dhe pa zotin.