Prilli i koncesioneve
Dokumenti i publikuar nga mediet serbe, në të cilin janë specifikuar modalitetet për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, është pritur “ftohtë” në Prishtinë. Megjithatë, marrëveshja për krijimin e këtij asociacioni pritet të arrihet në takimin e ardhshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Ivica Daçiq, që do të ndodhë me 2 prill në kryeqytetin evropian.
Analistët politikë konsiderojnë se marrëveshja eventuale ndërmjet dy kryeministrave për formimin e bashkësisë së komunave serbe do të jetë fillim i një mosmarrëveshje të madhe. Sipas tyre, me këtë marrëveshje eventuale do të tejkalohet Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës.
Raundi i fundit maratonik i kryeministrit Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, përfundoi pa marrëveshje, derisa Brukseli u kishte ofruar palëve një dokument-kornizë për bashkësinë e komunave serbe.
Mirëpo, ka qenë shefi i qeverisë serbe ai i cili ka refuzuar dokumentin e Bashkimit Evropian. Gazeta serbe “Politika” ka publikuar tekstin e dokumentit të BE-së prej disa pikave, në të cilin thuhet se për komunat me popullatë shumicë serbe do të themelohet asociacioni (bashkësia) e komunave.(zeri)


